Ndërlidhjet

Brenda dhjetë vjetësh, rroga mesatare rritet vetëm 30 euro


Ilustrim
Ilustrim

Bazuar në të dhënat e Entit Shtetëror të Statistikave rroga mesatare në Maqedoni për 6 vjet me radhë ka shënuar rritje vetëm prej rreth 2 mijë denarësh, përkatësisht 32 eurove, duke u betonuar në 22 mijë e 334 denarë (rreth 360 euro).

Por, njohësit e çështjeve ekonomike thonë se ngecja në rrogën mesatare ka bërë që qytetarët e Maqedonisë të jenë shumë më të varfër sa ishin para dhjetë vjetësh, ngase kostoja e shportës konsumuese për një familje katër-anëtarëshe është rritur pothuajse dyfish, duke arritur vlerën prej 32 mijë denarëve, përkatësisht rreth 500 euro në bazë të përllogaritjeve që ka bërë Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë, gjatë vitit të kaluar.

Goran Rafajllovski, konsulent ekonomik, thotë për Radion Evropa e Lirë se rrogat në Maqedoni mbeten në nivel shumë të ulët, përderisa nuk shënohet përparim në sektorin e biznesit.

Nuk mund të pritet që rrogat në Maqedoni të rriten, përderisa nuk shënonpërparim, përkatësisht hapa pozitivë zhvillimi ekonomik në vend, që nënkupton hapjen e vendeve të reja të punës, kushte më të mira për punë, punësime të personave me kualifikim të lartë, ekspertë në lëmi të caktuara, që do të rrisin dhe profitin e vetë kompanive. Kjo, sepse është e njohur se zhvillimi i biznesit nuk bëhet përmes makinave të sofistikuara që gjithsesi janë të nevojshme, por nevojitet edhe kuadër i specializuar që do të dijë të manipulojë me to” , thekson Rafajllovski.

Qeveria e Maqedonisë në vazhdimësi promovon projekte për përmirësimin e cilësisë së jetesës së qytetarëve të saj, siç janë benifitet e shumta për kompanitë që hapin vende të reja të punës, kreditë e volitshme për vetëpunësim dhe shumë projekte të tjera.

Por, Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri-perëndimore, dhe së fundmi edhe opozita maqedonase Lidhja Social-Demokrate e Maqedonisë, vlerësojnë se ndihmat sociale vetëm rruajnë stabilitetin ekonomik, po në asnjë mënyrë nuk kontribuojnë në cilësinë e jetesës duke shtuar se rroga mesatare duhet të jetë në nivel të barabartë të paktën me shportën konsumuese.

Përderisa qytetarët nuk kanë para, nuk ka as qarkullim të mjeteve në treg, ekonomia e vogël bëhet gjithnjë e më e brishtë”, kishte deklaruar në një takim me qytetarët gjatë këtij muaji lideri i opozitës maqedonase, Zoran Zaev.

Ai kishte vënë theksin në nevojën e stimulimit të kompanive të vogla dhe atyre të mesme me mjete financiare nga buxheti i shtetit në funksion të garantimit të rrogës mesatare prej 500 eurosh në muaj.

E, ekspertët e ekonomisë thonë se çështjet ekonomike lihen në plan të dytë menjëherë pas zgjedhjeve, sepse deputetët në këtë formë siç është sistemi zgjedhor, nuk i ballafaqon në masë të nevojshme me elektoratin.

Arben Halili, ekspert i çështjeve ekonomike, thotë për Radion Evropa e Lirë se duhet ndryshuar modeli zgjedhor, nga gjashtë njësi zgjedhore në 120, aq sa ka ulëse Parlamenti i Maqedonisë, me lista të hapura me atë që çdo deputet do të detyrohet të mendojë mirë se do të angazhohet për projekte populiste ashtu siç e urdhëron lideri i partisë apo do të jetë i detyruar të angazhohet për sigurimin e mirëqenies së qytetarëve gjatë votimit të ligjeve.

“Përderisa deputetët kanë komoditet në ulëset e Parlamentit, sigurisht përderisa qëndrojnë në atë pozitë, sepse i ka vendosur lideri i partisë, çdo herë që miratohen ligje që kanë të bëjnë me financat, buxhetin, interpretimet bëhen nga këndi politik ashtu siç janë dakorduar liderët e partive që përbëjnë mazhorancën dhe jo interesat e qytetarëve”, vlerëson Halili.

Një studim i kryer nga Instituti i Kërkimeve Ekonomike "Finance Think", ka nxjerr në pah se mbi 80 për qind e të punësuarve, marrin paga shumë më të ulët sesa rroga mesatare në Maqedoni, përkatësisht vetëm çdo i 12-ti i punësuar arrin të sigurojë në muaj rrogë prej 20 mijë deri në 25 mijë denarë që do të thotë prej 350 deri në 400 euro, përderisa mbi 43 për qind e të punësuarve në Maqedoni, paguhen më pak se 12 mijë denarë (rreth 200 euro), derisa 38 për qind e të punësuarve në Maqedoni marrin pagë prej 12 deri 20 mijë denarësh.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG