Ndërlidhjet

Kuvendi të enjten mban seancë të jashtëzakonshme për rastin “Drenica II” 


Kuvendi i Kosovës
Kuvendi i Kosovës

Kuvendi i Kosovës pritet të mbajë të enjten një seancë të jashtëzakonshme për, siç thuhet, mbrojtjen e vlerave të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Me nismën e Partisë Demokratike, seanca është mbështetur edhe nga një numër i caktuar deputetësh dhe më pas është aprovuar nga Kryesia e këtij institucioni.

Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, tha se kryesia ka shqyrtuar një kërkesë të Grupit Parlamentar të PDK-së, lidhur me situatën e krijuar në rastin “Drenica II”.

“U dakorduam që të enjten të mbajmë seancë të jashtëzakonshme në orën 10:00 për të diskutuar për vlerat e luftës", ka thënë Veseli.

Ndërkaq, PDK, përmes një komunikate thotë se po përcjell me shqetësim proceset gjyqësore ndaj luftëtarëve dhe komandantëve të UÇK-së, në secilin rast, e në veçanti në rastin Drenica.

“Në cilindo rast të këtillë, ne kemi pasur dhe kemi bindjen e thellë se lufta e UҪK-së ishte e drejtë, çlirimtare dhe që ka respektuar çdo normë ndërkombëtare”, thuhet në komunikatën e PDK-së.

Tutje, PDK rikujton se kishte edhe disa raste tjera “në të cilat është tentuar të dëmtohen figura të larta të luftës çlirimtare dhe vetë lufta e drejtë e UҪK-së”.

Kurse, rasti i fundit, sipas PDK-së, “tregon një shpërfaqje të re të një qasjeje të tillë ku jo vetëm dënimi, por edhe i tërë procesi, ishte një tendencë e mohimit të vlerave sublime".

Dënimi i figurave të larta të ish-UÇK-së, sipas PDK-së, po bëhet në kundërshtim me vetë standardet e drejtësisë të njohura në botë dhe ligjet e Kosovës.

“Me këto dënime jo të drejta, haptazi vërehet tendenca e inkriminimit të luftës së drejtë të UҪK-së dhe e krijimit të baraspeshës në mes luftës së drejtë të UҪK-së dhe agresionit të Serbisë”, thuhet në komunikatë.

Ndryshe, reagimi i ashpër i PDK-së ndaj vendimeve të organeve të drejtësisë në Kosovë ka pasuar vendimin e Gjykatës së Apelit për t’ua konfirmuar dënimet me burg disa prej ish-udhëheqësve të lartë të UÇK-së, të cilët pas luftës ishin të njohur si figurave të larta politike të PDK-së.

Gjykata Themelore e Mitrovicës, më 15 maj të vitit 2015, dënoi Nexhat Demakun me 3 vjet burg, së bashku edhe me vëllanë Fadil Demakun, në rastin “Drenica II”.

Trupi gjykues në Gjykatën Themelore në Mitrovicë, në aktgjykim për rastet e njohura si Drenica I dhe II, shpalli fajtorë edhe ish-pjesëtarët e UÇK-së, Sami Lushtakun, Sylejman Selimin, Jahir Demakun, Zeqir Demakun dhe Isni Thaçin për, siç thuhet në vendim, veprat penale të trajtimit mizor, torturë dhe trajtim poshtërues dhe degradues ndaj qytetarëve shqiptarë të Kosovës, në periudhën e luftës.

Për veprën e keqtrajtimit të personave të ndaluar Agim Demaj, Bashkim Demaj, Driton Demaj, Selman Demaj, Fadil Demaku dhe Nexhat Demaku janë dënuar të gjithë me nga tri vjet burgim. (REL)

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG