Ndërlidhjet

Lajm i jashtëzakonshëm

Migrantët në Ballkan, pre e trafikantëve me qenie njerëzore


"Përmes një angazhimi të përbashkët të gjitha vendeve të rajonit mund t'i kundërvihemi me sukses aktivizimit të grupeve të caktuara të cilët trafikojnë qenie njerëzore", u theksua në konferencë rajonale të mbajtur në Shkup dhe përkrahur nga OSBE-ja, me temën:- “Promovim i qasjes së përbashkët në parandalimin e trafikimit me njerëz përgjatë rrugës së Ballkanit Perëndimor".

Kjo krizë, u tha se ka marrë përmasa edhe më shqetësuese pas shfaqjes së krizës me migrantët.

“Qasja jonë është e orientuar kah viktimat. Si të identifikohet se kush ka qenë viktimë e trafikimit si dhe në ç’mënyrë tu ndihmohet viktimave që të dalin nga situata në të cilën ndodhen. Në instancë të fundit, të nxirren para drejtësisë trafikuesit me njerëz”, ka nënvizuar ambasadorja e OSBE-së në Shkup, Nina Suomalajnen.

Në konferencë është potencuar si problem mosveprimi i organeve të drejtësisë për të ndjekur penalisht trafikuesit me njerëz.

“Numri i refugjatëve është shumë i madh, andaj dhe problemet rreth menaxhimit të kësaj situate janë shumë të mëdha, ndërkaq është shumë i vogël numri i trafikuesve të cilët janë nxjerrë para organeve të drejtësisë”.

“Përderisa nuk i kundërvihemi këtij problemi nuk mund të arrihet asnjë zgjidhje. Që të mund t'i kundërvihemi këtij problemi madhor që ka të bëjë me të drejtat e njeriut, ne duhet t`i bashkojmë forcat tona dhe të punojmë bashkërisht", ka thënë Madina Xharbusinova, koordinatore e departamentit të luftës kundër trafikimit me qenie njerëzore në OSBE.

Ndërkaq, përfaqësues të organizatave joqeveritare thonë se me mbylljen e rrugëve ballkanike është rritur numri i kalimeve ilegale. Sipas tyre, tani janë aktivizuar grupe të shumta të cilat trafikojnë me migrantë nga pika kufitare e Bogorodicës me Greqinë deri në pikën kufitare të Tabanovcit me Serbinë.

“Mbyllja e rrugës ballkanike në pranverë të këtij viti ka ndikuar që të lulëzojë trafikimi i migrantëve ashtu siç ishte situata para hajes së rrugës ballkanike”.

“Udhëtimi, thënë kushtimisht në të zezë, bën që migrantët të bëhen pre e trafikantëve me njerëz. Në fshatrat e Kumanovës aktivistët e organizatës sonë hasin në shumë migrantë që kërkojnë ndihmë për tu strehuar disa ditë. Më pas, ata vazhdojnë rrugën në mënyrë ilegale për fatin e të cilëve më nuk dimë”, ka thënë për Radion Evropa e Lirë, Sead Ramadani nga organizata joqeveritare, ‘Vllaznia’ e cila ndihmon migrantët në rajonin e Kumanovës.

Ndryshe përmes konferencës rajonale të organizuar nga misioni i OSBE-së në Shkup është synuar që të rritet bashkëpunimi për luftimin e kësaj dukurie. (REL)

XS
SM
MD
LG