Ndërlidhjet

Në mungesë të perspektivës, të rinjtë duan të ikin nga Mitrovica


Të rinjtë duan të ikin nga Mitrovica
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:02:20 0:00

Të rinjtë duan të ikin nga Mitrovica

Qyteti i Mitrovicës është i ndarë, i pasigurt dhe i politizuar skajshëm dhe autoritetet lokale dhe qendrore më tepër merren me të ashtuquajturat ‘politika të larta’ se sa me problemet thelbësore të këtij qyteti apo mbijetesën e njerëzve, vlerësojnë disa të rinj të këtij qyteti, shqiptarë dhe serbë.

Qyteti i Mitrovicës, ka dy komuna, atë jugore dhe atë veriore. Komuna jugore është e banuar me shumicë shqiptare ndërkaq ajo veriore me shumicë serbe.

Në rubrikën e përjavshme “VOX” të Radios Evropa e Lirë, të rinjtë thonë se e gjithë kjo situatë e ka bërë qytetin të paperspektivë për të rinjtë.

Shumica e tyre, studentë dhe nxënës, thonë se edhe pas përfundimit të studimeve, e kanë të vështirë të gjejnë punë dhe që tash, ata fillojnë të planifikojnë se si ta braktisin këtë qytet.

Besnik Hoti nga komuna jugore e Mitrovicës, student në Fakultetin për Studime të Sigurisë në Prishtinë, thotë se perspektiva për të rinjtë e Mitrovicës është zymtë, kur kihet parasysh që në këtë qytet, sipas tij, gjithçka është e politizuar.

“Situata politike, situata e sigurisë ka ndikuar shumë që Mitrovica të jetë një qytet pak më i zymtë, të mos kemi shumë perspektivë ne të rinjtë. Nivel i lartë i papunësisë në Mitrovicë, të rinjtë janë pa punë. Nuk kanë mundësi që pas përfundimit të studimeve të punësohen në ndonjë institucion, organizatë apo kompani. Fatkeqësisht, ndoshta do të duhet të marrim rrugët e mërgimit”, thotë Besniku.

Të zymtë e sheh perspektivën edhe Jeton Zahiti, një i ri nga Mitrovica e jugut, i cili thotë se punon si kamerier në një bar të qytetit.

“Mund të them se nuk ka perspektivë aq të madhe. Nuk janë duke punuar mjaft për të rinjtë, nuk po hapin vende pune. Qeveria nuk është duke punuar si duhet. Nuk ka perspektivë në këtë vend, por në ndonjë vend tjetër, në shtete të jashtme”, pohon Jetoni.

Diellëza Haxhimehmeti, është studente nga Mitrovica e jugut. Sipas saj, përfundimi i studimeve nuk shpaguhet në këtë qytet dhe të rinjtë shqyrtojnë mundësitë për të ikur.

“Studiojmë, e kryejmë fakultetin dhe të gjitha, mirëpo në fund mbesim shumica pa punë. Kështu që duhet t’i provojmë të gjitha mundësitë dhe nëse nuk bëhet me fakultete, atëherë duhet të kalohet në ndonjë zanat. E nëse vendi ynë nuk është në gjendje të na ofrojë ato që na konvenojnë neve, së paku për mbijetesë ose një punësim, atëherë duhet të shohim ku na konvenon më shumë. Nëse na konvenon dhe gjejmë ndonjë punë jashtë, pse jo... në vende tjera të Evropës”, shprehet Diellëza.

Ndonëse jetojnë në anën veriore të Mitrovicës, të cilën lumi Ibër e ndan nga jugu i qytetit, të rinjtë serbë kanë të njëjtat probleme lidhur me perspektivën, ngjashëm sikurse të rinjtë shqiptarë në jug të qytetit.

Danilo Jovanoviq, student në Fakultetin e Edukimit në Universitetin serb të Mitrovicës, thotë se të rinjtë serbë nuk shohin ndonjë perspektivë për ta në këtë qytet.

“Nuk është ndonjë perspektivë e madhe ashtu siç është në vendet tjera të zhvilluara. Do të shoh që të gjej punë në profesionin tim. Pastaj, të shohim çfarë do të ndodhë. Sipas rrugës së natyrshme”, shprehet Danilo.

Të dobët e vlerëson perspektivën në këtë qytet edhe Jelena Rudiq, po ashtu studente në Universitetin serb në Mitrovicë:

“Perspektivën, në përgjithësi, e kam të dobët nga kjo që e shoh dhe e vlerësoj. Mendoj se nuk do të qëndroj shumë gjatë këtu. Të shoh se si do të shkojë puna. Nëse më pëlqen, do të mbetem, nëse jo, me siguri se do të shkoj në Beograd”.

Veljko Markoviq thotë se në Mitrovicën e veriut ka mjaft të rinj që kanë përfunduar studimet dhe që nuk kanë arritur të gjejnë punë sipas përgatitjes profesionale që kanë.

“Ka mjaft të rinj këtu që i kanë përfunduar fakultetet dhe tash punojnë nëpër dyqane dhe kështu ngjashëm. Pas fakultetit, do të përpiqem të gjej punë këtu, por nëse nuk gjej, atëherë do të shkoj në Serbi”, thekson Veljko.

Të rinjtë e të dy komunave të Mitrovicës, thonë se tash për tash, edhe aktivitetet kulturore, sportive dhe të tjera, që janë të dedikuara për të rinj, janë të pakta në këtë qytet dhe të rinjtë të shumtë e kalojnë kohën e lirë nëpër kafeteri.(REL)

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG