Ndërlidhjet

Lidhjet e Giulianit me Serbinë


Rudy Giuliani
Rudy Giuliani

Rudy Giuliani, ish-kryetar i Nju Jorkut, i cili është kandidati kryesor i presidentit të zgjedhur të SHBA-së, Donald Trump, për t’u bërë sekretar i shtetit, ka pasur lidhje të kaluara me udhëheqës të huaj dhe grupe nga Serbia deri te Rusia e Irani.

Giuliani ka kritikuar ish-sekretaren e shtetit, Hilllary Clinton, për lidhjet e saj me qeveri dhe korporata të huaja kur ka garuar për Shtëpinë e Bardhë. Kritikët tani thonë se marrëdhëniet e tij të hershme mund ta përballin me të njëjtat akuza.

Në një rast, Giuliani ka udhëtuar në Beograd në vitin 2012 dhe ka takuar Aleksandar Vuçiqin, kryeministrin aktual të Serbisë, i cili në atë kohë ka qenë udhëheqës i Partisë Përparimtare Serbe, e cila ka qenë aleate e udhëheqësit famëkeq serb, Sllobodan Millosheviq.

Lajmi për udhëtimin e Giulianit ka bërë që Clinton, në një email që ka rrjedhur në publik, të shkruajë se “kjo është skandaloze”. Lajmi po ashtu ka nxitur ambasadën amerikane në Beograd të lëshojë një deklaratë, duke thënë se SHBA-ja nuk merr anë në zgjedhjet e Serbisë.

Vetë Giuliani i sheh udhëtimet dhe kontaktet e tij të gjera si arsye kryesore përse është kualifikuar për punën e kryediplomatit.

“Kam qenë në 80 vende, në 150 udhëtime të ndryshme”, ka thënë Giuliani në një intervistë për Fox News më 15 nëntor. “Shumë prej tyre kanë qenë për arsye të ndryshme: fjalime, konsultime për siguri, kam ndihmuar në uljen e krimit”, ka shtuar ai.

Në një tjetër rast, Giuliani është paguar nga grupi i disidentëve iranianë Mujahedin-e Khalq, i cili ka qenë i lidhur me vrasjen e së paku gjashtë amerikanëve në vitet 1970, për t’i kërkuar Departamentit të Shtetit që ta heqë grupin nga lista e zezë për terrorizëm.

Grupi është hequr nga lista e zezë në vitin 2012, sepse, siç kanë thënë zyrtarët, ai nuk ka kryer ndonjë akt terrorizmi në së paku një dekadë.

“Lidhjet e mia me ta janë shumë të hapura”, ka thënë Giuliani në një intervistë për gazetën The New York Times.

Lidhjet e Giulianit me Rusinë mund të shqyrtohen po ashtu në seancat dëgjimore të Senatit, nëse Trump vendos ta emërojë atë për postin e lartë të sekretarit të shtetit.

Lidhjet e tij me TriGlobal Strategic Ventures, një firmë këshilluese që ndihmon klientët të avancojnë inetersat e tyre biznesorë në tregjet në zhvillim të ish-Bashkimit Sovjetik, datojnë nga viti 2004, kur Giuliani ka vizituar Moskën për të takuar biznesmenë dhe politikanë rusë, thuhet në faqen e internetit të kompanisë.

Sipas profilit të Giulianit në ueb-faqen e TriGlobal, presidenti i firmës këshilluese, Vitaly Pruss, “ka punuar nga afër” me Partnerët Giuliani - një firmë këshilluese që Giuliani e ka formuar në vitin 2002, pasi ka lënë postin e kryebashkiakut - për të zhvilluar një strategji për monopolin rus të naftësjellësit Transneft dhe kompani të tjera.

Transneft, nën pronësi të shtetit, ka qenë në mesin e kompanive ruse të naftës që është goditur me sanksione nga Perëndimi, pasi Rusia ka aneksuar Krimenë e Ukrainës në vitin 2014.

Përgatiti: Valona Tela

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG