Ndërlidhjet

Si mundet Trump t’i kthejë prapa disa politika të Obamës ndaj Rusisë?


Presidenti i SHBA-së, Barack Obama dhe homologu i tij rus, Vladimir Putin.
Presidenti i SHBA-së, Barack Obama dhe homologu i tij rus, Vladimir Putin.

Më pak se dy javë para fitores së jashtëzakonshme të Donald Trumpit në zgjedhjet presidenciae amerikane, presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, e ka përpiluar një listë të ankesave kundër Uashingtonit, me rastin e nënshkrimit të legjislacionit për ndaljen e pjesëmarrjes së Moskës në marrëveshjen për reduktimin e rezervave të të dy vendeve të armatimit me shkallë të plutoniumit.

Kërkesat e Putinit në këtë legjislacion, përfshirë edhe tërheqjen e sanksioneve kundër Rusisë dhe reduktimin e pranisë ushtarake amerikane në pjesën lindore të Evropës, së paku nga administrata aktuale demokrate, janë parë si kërkesa ekstreme dhe joreale.

Por, ndryshe nga kursi i presidentit në largim, Barack Obama, republikani Donald Trump, gjatë fushatës presidenciale, ka thënë se ai dëshiron përmirësimin e lidhjeve me Rusinë dhe bashkëpunim më të madh në çështjet siç është kundërterrorizmi.

Tash, kur Trump triumfoi ndaj rivales së tij demokrate, Hillary Clinton, zyrtarët rusë kanë shprehur optimizëm se presidenti i zgjedhur amerikan është dikush me të cilin mund të bëhet biznes.

Donald Trump, i cili ishte ballafaquar me kritika të ashpra gjatë fushatës për vlerësimin e tij pozitiv për Putinin, e ka portretizuar vetveten si arritës i shquar i marrëveshjeve dhe ka thënë se ka plane për marrëveshje me Moskën, që do të ishte “shumë e mirë për Amerikën, por, po ashtu e mirë për Rusinë”.

Megjithëqë mbetet e paqartë se për çka ai do të ishte i gatshëm të tregtojë me Putinin, Trump do t’i trashëgoj disa çështje nga Obama.

Po cilat janë disa nga politikat e Obamës të cilat Trump mund t’i kthejë prapa?

Sanksionet ndaj Rusisë lidhur me Ukrainën

Në përgjigje të okupimit të Krimesë së Ukrainës nga ana e Rusisë, në vitin 2014, dhe mbështetjes për separatistët e armatosur në pjesën lindore të Ukrainës, Obama i kishte marrë në shënjestër zyrtarët, biznesmenët dhe sektorët ekonomike të Rusisë me sanksione, të cilat kanë ndikuar negativisht në ekponominë ruse, duke e futur në recesion.

Tashmë, Trump ka thënë se do ta shqyrtoj mundësinë e njohjes së pretendimit të Rusisë për sovranitet ndaj Krimesë dhe për tërheqjen e sanksioneve. Meqë, këto sanksione janë imponuar me urdhër ekzekutivë me nënshkrimin e presidentit Obama, që nuk kërkojnë miratim të Kongresit amerikan, ato mund të tërhiqen lehtë nga zoti Trump.

Në ditën e parë të presidencës së tij, ai mund ta publikoj urdhërin e tij ekzekutiv për tërheqjen e urdhërave ekzekutivë të Barack Obamës, dhe rrjedhimisht, tërheqjen e të gjitha sanksioneve kundër Rusisë, që ndërlidhen me Ukrainën.

Por, kjo gjë do të shkaktonte kundërshtim të tmerrshëm nga ligjvënësit amerikanë, përfshirë shumë ligjvënës të linjës së fortë nga Partia Republikane e Trumpit. Rrjedhimisht, kjo kritikëve të Trumpit do tu jepte argument për ta portretizuar atë si “kukull” të Kremlinit, shprehje të cilën disa herë e ka prëdorë Hillary Clinton, gjatë fushatës presidenciale dhe të cilën Trump e ka hedhur poshtë si të krejtësisht të gabueshme.

Ekspertët për politikën e sanksioneve të Shteteve të Bashkuara, thonë se nëse Trump do ta tërheq urdhërin e presidentit Obama, ose pret skadimin e tij deri në mars të vitit të ardhshëm, atëherë kjo do të shkaktoj domino efekt, duke e anuluar gjithë regjimin e sanksioneve të Uashingtonit të ndërlidhura me Ukrainën.

Sipas ekspertëve, Trump duhet “të marrë vendim”.

Nëse ai i tërheq sanksionet kundër Rusisë, kjo mund të krijoj situatë ku Bashkimi Evropian dhe aleatët e tjerë të Shteteve të Bashkuara, që e kanë goditur Moskën me sanksione, do të duhej seiozisht t’i rishqyrtonin masat e tyre ndëshkuese kundër Rusisë.

Akti Magnitsky

Trump do të ketë më pak fleksibilitet me legjislacionin e vitit 2012, të njohur si Akti Magnitsky, që ishte nënshkruar nga Obama, pasi ka kaluar të dy dhoamt e Kongresit të Shteteve të Bashkuara. Sipas këtij ligji janë imponuar sanksione financiare dhe ato në formën e ndalimit të dhënies së vizave për rusët, që konsiderohen bashkëfajtorë për vdekjen e avokatit rus, Sergei Magnitsky, në vitin 2009, dhe për shkelje të tjera të dyshuara të të drejtave të njeriut. Kremlini e ka kundërshtuar këtë legjislacion, me të cilin janë prekur 39 rusë dhe persona të tjerë të paspecifikuar.

Putini, ka kërkuar edhe tërheqjen e Aktit Magnitsky. Nëse Trump nuk mund ta tërheq këtë akt, ai mund ta zbutë ndikimin e tij, thjesht duke mos shtuar emra të rinjë në këtë listë.

Prania ushtarake amerikane në Evropën Lindore

Për një kohë të gjatë Rusia e ka kritikuar zgjerimin në lindje të NATO-s, prej shkatërrimit të Bashkimit Sovjetik. Për këtë arsye, kritikat e përsëritura të Trumpit ndaj NATO-s, paraqesin muzikë të këndshme në veshët e shumë personave në Kremlin.

Në legjislacionin e përmendur të Rusisë, presidenti Putin, ka kërkuar që Uashingtoni ta zvogëloj praninë ushtarake në nëntë vendet anëtare të NATO-s në Evropën Lindore, përfshirë tri shtete baltike, në nivelet e 1 shtatorit të vitit 2000, kur Shtetet e Bashkara e kanë nënshkruar marrëveshjen për shkatërrim të armatimit me shkallë të plutoniumit.

Në muajin janar, kur Trump e fillon presidencën e vet, disa mijëra pjesëtarë të ushtrisë së Shteteve të Bashkuara, pritet të vendosen në Evropë, përfshirë disa vende që janë theksuar në legjislacionin e Putinit. Kjo vendosje është pjesë e Operacionit Përkushtimi Atlantik, një nismë amerikane, që synon risigurimin e aleatëve në pjesën lindore të Evropës, pas konfliktit në Ukrainë.

Si komandant suprem i forcave të armatosura, Donald Trump, natyrisht, mund ta rishqyrtoj vendosjen e këtyre pjesëtarëve, disa prej të cilëve do të shkonin në vendet baltike e pastaj u nënshtrohen rotacionit, me ardhjen e forcave shumëkombëshe të NATO-s.

Por, Donald Trump, që e ka kritikuar NATO-n gjatë fushatës, do ta ketë shumë më vështirë për t’i ndalur përkushtimet ushtarake amerikane ndaj aleancës, sipas parimit të konsensusit.

Çfarëdo vendosje e miratuar e NATO-s, në mënyrë teorike kërkon pajtueshmërinë e të gjithë anëtarëve të aleancës për ta kthyer kursin, thotë eksperti i sigurisë, Simon Saradzhyan, nga Harvard Kennedy Shcool.

“Tërheqja e trupave të Shteteve të Bashkuara nga këto vendosje, pa konsensusin e NATO-s do të ishte një lëvizje tejet kundërthënëse”, thotë ky ekspert.

Përgatiti: Fatmir Bujupi

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG