Ndërlidhjet

Eurodeputetët besojnë se zgjedhjet do të jenë të drejta


Foto nga arkivi
Foto nga arkivi

Partitë politike në Maqedoni, janë të përgatitura për proces zgjedhor të drejtë dhe transparent, ishte konstatimi i përbashkët i eurodeputetëve, Ivo Vajgl, Knut Fleckenstein dhe Eduard Kukan që u paraqitën gjatë vizitës së tyre në Shkup.

Pas takimit që kanë realizuar me liderët e katër partive nënshkruese të marrëveshjes politike të njohur si “Marrëveshja e Përzhinos”, përfaqësuesit e sektorit civil të cilët janë të kyçur në monitorimin e zgjedhjeve si dhe takimit kokë më kokë të realizuar me Prokuroren speciale Publike Katica Janeva, treshja Evropiane tha se përfaqësuesit e partive politike janë zotuar se do të angazhohen maksimalisht për të shmangur të gjitha parregullsitë gjatë zgjedhjeve.

“Kemi arsye të mirë që të besojmë se zgjedhjet do të jenë fer dhe demokratike, në frymën e transparencës që do të shënojnë një fillim të ri për Maqedoninë”, ka theksuar eurodeputeti Ivo Vajgl.

Ai ka shtuar se pasi partitë politike të kenë njohur rezultatin zgjedhor, do të pasojë periudha e realizmit të reformave konform marrëveshjes politike mes katër partive, të njohur si “Marrëveshja e Përzhinos”.

Ndërkaq eurodeputeti Knut Fleckenstein, ka theksuar se është i impresionuar nga qasja me të cilën misioni i OSBE - ODIHR-së monitoron procesin e zgjedhjeve të 11 dhjetorit në Maqedoni.

“Mendoj se për shkak të prezencës së ODIHR-së dhe numrit të madh të vëzhguesve të cilët vijnë nga organizatat e ndryshme qytetare do të kemi zgjedhje të besueshme dhe shumë qytetarë të Maqedonisë do të dalin në votime”, tha Fleckenstein.

Kurse eurodeputeti tjetër, Eduard Kukan tha se zgjedhjet në Maqedoni paraqesin edhe test për angazhimin e vendit drejt integrimeve euroatlantike.

“Shpresojmë se do të keni zgjedhje të besueshme, të pranueshme nga të gjithë aktorët politik. Qeveria e re të fillojë menjëherë të zbatojë reformat urgjente, sepse kjo është mënyra më e mirë për të dëshmuar se jeni vërtetë të përkushtuar drejt integrimit evropian dhe së fundi vendi juaj të fillojë të lëvizë në këtë drejtim”, ka theksuar Kukan.

Treshja evropiane, në Shkup po qëndron për të skanuar situatën politike gjatë fushatës zgjedhore para mbajtjes së zgjedhjeve më 11 dhjetor.

Këto zgjedhje janë cilësuar nga më të rëndësishmet, si nga faktori i brendshëm politik po ashtu edhe nga përfaqësuesit ndërkombëtarë që nga pavarësia e Maqedonisë, për shkak se përmes tyre synohet që Maqedonia të dal nga kriza e thellë politike në të cilën ndodhet vendi tanimë një kohë të gjatë. (REL)

XS
SM
MD
LG