Ndërlidhjet

Interneti dhe çmimi sfidojnë leximin e librit


Interneti dhe çmimi sfidojnë leximin e librit
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:03:00 0:00

Interneti dhe çmimi sfidojnë leximin e librit

Lexueshmëria e librit në kohën e internetit dhe digjitalizimit, besohet se është në një lloj krize globale, e cila nuk e ka lënë anash as Kosovën.

Në disa debate të organizuara për librin dhe lexueshmërinë e tij, është thënë se niveli i leximit nuk është i kënaqshëm, ngaqë e gjithë bota moderne po shkon drejt digjitalizimit që prek thuajse çdo aspekt të jetës.

Në rubrikën e përjavshme “VOX” të Radios Evropa e Lirë, studentët e anketuar kanë thënë se pavarësisht që librat mund të shkarkohen nëpërmjetinternetit, ata prapë se prapë do të zgjidhnin formën klasike të leximit.

Por, krahas trendëve aktualë, edhe mundësitë materiale për t’i blerë librat reflektojnë në lexueshmëri, gjithashtu.

Gentiana Sahiti, studente në Fakultetin e Gazetarisë thotë se ndonëse ka shumë dëshirë për të lexuar, librat më shumë i huazon sesa që i blen, për shkak të pamundësisë financiare.

“Më shumë kam lexuar literaturë për studime dhe mendoj se çmimi i literaturës është i shtrenjtë. Shumica e studentëve punojmë ngapak për të arritur mbulimin e pagesave për studime, dhe ky është shpenzim shtesë. Megjithatë, mendoj se leximi i bën mirë secilit student dhe mendoj se duhet gjetur zgjidhja për ngritjen e vetëdijes së studentëve për të lexuar sa më shumë”, thotë Gentiana.

Ndërkaq, Blerina Veseli, është studente e Aktrimit në Fakultetin e Arteve në Prishtinë. Ajo thotë se ka mundësi t’i blejë librat, dhe lexon mjaftueshëm, por pavarësisht kësaj, edhe ajo mendon se çmimi është i lartë.

“ Kam lexuar më shumë, një kohë kam pauzuar pak, por tash prapë kam filluar të lexoj. Mendoj se ushqimi i trurit është libri, leximi, informata. Po ashtu, mendoj se janë të shtrenjtë, edhe pse unë kam mundësi t’i blej. Më shumë jam e fokusuar te libri se interneti. Në rend të parë tek unë është libri, pastaj vijnë interneti, rrjetet sociale”, tregon Blerina.

Amar Havziu, student i Arteve Dramatike konsideron se interneti nuk e ka sfiduar librin, pasi që është ndjenjë tjetër kur lexohet libri për dallim nga shfletimi në ekran.

“Unë lexoj për qejfi, por kam edhe libra obligues. Duke i marrë parasysh pagat që i kemi në Kosovë, librat janë të shtrenjtë. Mendoj se interneti nuk e ka sfiduar librin. Libri ka tjetër ndjesi, kur e lexon me fletë është ndryshe. Era e librit i vjen libër”, thekson Amari.

Valdrin Osmani, thotë se është student, por edhe punon, andaj edhe ka mjaft të holla për të blerë libra. Ai pëlqen sidomos të zhanrit dramë.

“Libra kam lexuar një kohë shumë, kryesisht dramë. Artet e vjetra në përgjithësi. Tash kam pauzuar pak se kam më shumë ushtrime praktikë. Unë punoj dhe gjatë vikendit dhe mbledh para, kështu që mund t’i blej librat që më duhen, ndonëse preferoj që çmimi të jetë pak më i ulët”, thotë Valdrini.

Genc Rezniqi, student i Fakultetit Juridik, thotë se i pëlqen leximi dhe i ndodhë që të fillojë njëkohësisht leximin e dy e më shumë librave.

“Sa lexoj, varet prej disponimit, nganjëherë një, nganjëherë dy, nganjëherë i lë në gjysmë nga dy-tre duke i lexuar, varet. Interneti nuk e besoj se e ka zëvendësuar librin. Letra mbetet letër”, shprehet Genci.

Në qendër të Prishtinës, mund të furnizohesh me libra përmes disa pikave të shitjes. Florim Beqiri, një shitës librash thotë se ende mund të vërehet që ka interesim për të lexuar.

“Interesimi për libra për qytetarëve është jashtëzakonisht i madh, por shitja është e vogël për shkak të arsyeve buxhetore. Nuk kanë qytetarët aq të holla sa t’i mbulojnë kërkesat e tyre. Çmimi i librave është jashtëzakonisht i shtrenjtë, mund të them më i shtrenjti në Evropë’’, thotë ai.

Çmimet e shumë librave sillen nga 3 deri në 20 euro, ndonëse ka edhe libra shumë më të shtrenjtë.(REL)

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG