Ndërlidhjet

Lajm i jashtëzakonshëm

Qeveria merr borxhe në kohën e fushatës zgjedhore


Në dhjetë ditëshin e fundit të fushatës zgjedhore Qeveria e Maqedonisë ka marrë vendim që përmes letrave me vlerë të marrë 114 milion hua të reja për të mbuluar deficitin buxhetor në vlerë prej 300 milionë euro.

Njohësit e çështjeve ekonomike thonë se marrja e huas është konform miratimit të buxhetit për pagesën e kredive përmes huamarrjes, por problemi qëndron në kohën e marrjes së kësaj huaje dhe sa këto para shkojnë në destinacionin e duhur.

Ish guvernatori i Bankës Popullore të Maqedonisë, Petar Goshev, për Radion Evropa e Lirë thotë se shumica e ligjeve veçanërisht ato që kanë të bëjnë me financat janë miratuar në formë të dhunshme që të jenë në interes të pushtetit dhe jo në funksion të interesave të përgjithshme të qytetarëve të vendit.

“Huamarrja bëhet në vlugun e fushatës zgjedhore me qëllim që në këtë mënyrë të paguhet borxhi që ka shteti ndaj kompanive të vendit dhe me këtë të kushtëzohen të punësuarit se ku duhet të destinohet vota e tyre".

"Do të thosha se kjo huamarrje është në funksion të korrupsionit politik, pavarësisht se ka mbulesë ligjore, ngase të kujtojmë të gjitha ligjet që kanë të bëjnë me financat janë miratuar pa përfillur kritikat jo vetëm të opozitës, por edhe të ekspertëve”, thekson ish guvernatori i Bankës Popullore të Maqedonisë, Petar Goshev.

Ndërkaq, Visar Ademi, njohës i çështjeve ekonomike thotë se qytetarëve edhe gjatë kësaj fushate zgjedhore shumë pak u ofrohen informacione se si partitë politike planifikojnë të shpenzojnë paratë e arkës së shtetit kundrejt vënies në fokus të problemeve politike.

“Gjatë tërë kohës shohim shumë zhurmë politike, ndërkohë që borxhi publik ka tejkaluar mbi 50 për qind të bruto prodhimit vendor. Ekonomia vazhdon të prodhojë krizë, nuk arrin të prodhojë vlerë".

"Si rrjedhojë e politikave të gabuara të rinjtë gjithnjë e më shumë largohen nga vendi dhe kompanitë private mezi arrijnë të mbijetojnë e jo më të shënojnë progres në zhvillimin e biznesit. Pra, defekti qëndron në atë se çështjet politike janë në plan të parë kundrejt çështjeve ekonomike. Fatkeqësisht edhe më tej politika mbetet pararojë e ekonomisë ndërkohë që në çdo vend normal ekonomia është ajo e cila përcakton politikën”, thotë Ademi.

Ndryshe, paratë e marra hua do të duhet të destinohen për kompanitë private të cilat kanë kryer shërbime të caktuara të angazhuara nga Qeveria e Maqedonisë edhe atë 53 milionë euro.

Ndërkohë borxhi publik ka arritur 4.7 miliardë euro përkatësisht 50.6 për qind nga bruto prodhimi vendor.

Qeveria e Maqedonisë disa herë është arsyetuar se borxhi publik që ka shteti ndaj sektorit privat është më i ulët se ai që kanë vendet e tjera të rajonit, përderisa partitë opozitare dhe së fundmi dhe Banka Botërore, kanë apostrofuar se Maqedonia futet në kolaps financiar për shkak të thellimit të borxhit për të mbuluar shpenzimet gjatë investimeve jokapitale, siç është projekti Shkupi 2014. (REL)

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG