Ndërlidhjet

Rasti Dehari përplas Kadri Veselin dhe Vetëvendosjen 


Lëvizja Vetëvendosje vazhdon të insistojë në kërkesën e saj për debat parlamentar në lidhje me vdekjen e aktivistit të këtij subjekti politik, Astrit Dehari, në burgun e Prizrenit, më 5 nëntor.

Por, një nismë e tillë nuk po merr mbështetjen e partive më të mëdha, Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Seanca e Kuvendit, ndonëse nuk kishte në rend dite debatin për rastin Dehari, filloi me një lloj proteste të deputetëve të Vetëvendosjes. Tre deputetë të këtij subjekti politik u shfaqën para foltores së Kuvendit me pankartën në duar, ku shkruante: “Drejtësi për Astritin”.

Kurse, shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca ka ftuar deputetët që të mbajnë seancë të jashtëzakonshme, duke kontestuar sërish rezultatet e autopsisë të prezantuara nga Prokuroria, sipas të cilave Astrit Dehari është vëtëvrarë dhe se vdekja erdhi si pasjoë e asfiksisë (bllokimit të organeve të frymëmarrjes).

Ndaj këtyre veprimeve dhe sjelljeve të Vetëvendosjes, në seancë ka reaguar kryetari i Kuvendit të Kosovës, njëherësh kryetar i Partisë Demokratike, Kadri Veseli. Ai tha se përgjegjësia duhet të kërkohet edhe nga Vetëvendosje rreth vdekjes së Deharit, pavarësisht nëse në fund del se ishte vrasje apo vetëvrasje. Veseli tha se askush nuk duhet të frikësohet nga e vërteta, e cila, sipas tij, duhet të ndriçohet deri në fund.

“Duhet të flitet për shkaktarët e vërtetë që e kanë shtyrë një djalë të ri që t’ia merr jetën vetvetes. Duhet të flitet për ata që e kanë nxitur. Duhet të flitet për një sistem të drejtësisë, për një sistem që duke e ditur se e kishte një vëlla të vetëvrarë e ka lënë në burg, përderisa tre të tjerë nën të njëjtën aktakuzë i ka lënë jashtë burgut”, ka thënë Veseli.

Ndërkohë, kryetari i Vetëvendosjes, Visar Ymeri, përveç se i ka kontestuar rezultatet e autopsisë në lidhje me vdekjen e Deharit, ka fajësuar organet shtetërore dhe ka përmendur edhe vet kryetarin Veseli si ndikues në rrjedhat e hetimeve.

“Së pari, Kadri Veseli po thotë se është vetëvrarë Astriti. Por, kjo gjë nuk po dihet. Pra, është e qartë që Astriti ka vdekur në burg dhe nuk ka kurrfarë hetimi kredibil për këtë çështje dhe konstatimi i prokurorit Sylë Hoxha, i cili është konstatim sharlatan, të cilit nuk i beson askush dhe është i nxitur nga organet e caktuara., e tash Kadri Veseli në fakt na tregoi se ky është nxitësi sepse ky e paska pranuar”, ka thënë Ymeri.

Kërkesa e Vetëvendosjes për debat dështoi, ngase gjatë votimit mori vetëm 26 vota për.

Një kërkesë për debat parlamentar lidhur me rastin Dehari ka iniciuar edhe shoqëria civile, e cila ka deponuar në administratën e Kuvendit peticionin me mbi 23 mijë nënshkrime të qytetarëve. Por, kjo nismë nuk është proceduar ende.

Vetëvendosje, si edhe shoqëria civile, si pika të përbashkëta kanë kërkesat për dorëheqjet e ministrave të Drejtësisë dhe atij të Punëve të Brendshme, si dhe kanë kërkuar përgjegjësi ligjore apo edhe penale nga përgjegjësit e Shërbimit Korrektues të Kosovës. (REL)

  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG