Ndërlidhjet

Trump vazhdon takimet me kandidatët e posteve të reja


Takimi Trump-Romney

Mitt Romney, dikur një nga kritikët më të ashpër të presidentit të zgjedhur, Donald Trump, ka realizuar edhe një takim me liderin e ardhshëm amerikan në New York.

Ish kandidati republikan për president në zgjedhjet e vitit 2012, Romney, sipas raportimeve të mediave amerikane, është një nga kandidatët më serioz për t'u bërë Sekretari i ri i Shtetit amerikan.

Romney dhe Trump kanë darkuar së bashku mbrëmë në një nga restaurantet që gjendet brenda Hotelit Ndërkombëtar Trump në qytetin e New Yorkut.

Mediat amerikane kanë spekuluar të martën se mbrëmë vonë do të dihej nëse Romney apo ndonjë kandidat tjetër do të emërohet Sekretar i ri i Shtetit.

Raportimet e CNN dhe disa mediave të tjera janë mbështetur edhe në një deklaratë që e ka bërë të martën këshilltarja e zotit Trump, Kellyanne Conway:

"Sot, më 29 nëntor, gjithçka ka qenë fantastike, kishte më shumë intervista, më shumë vendime, më shumë shqyrtime, një ditë me të vërtetë fantastike për presidentin e zgjedhur dhe zëvendëspresidentin e zgjedhur."

"Dhe, ata e kanë pasur një mysafir special, ish zëvendëspresidentin Dan Quayle. Ky ishte një takim i këndshëm për ta. Do të ketë njoftime në mëngjes. Rrini gati të mësoni lajmin nga ora 6:30”, ka thënë Conway.

Mirëpo, presidenti i zgjedhur, Trump, ende nuk ka marrë vendim për postin e sekretarit të ri të shtetit. Në garë për këtë post, sipas NBC News, krahas Romney, janë edhe ish këshilltari i Trumpit, Rudy Giuliani, senatori Bob Corker dhe disa të tjerë.

Me Senatorin Corker, Donald Trump është takuar të martën në “Trump Tower”.

I pyetur nga gazetarët pas darkës së mbrëmshme nëse Romney është zgjedhja e tij për Sekretar Shteti, presidenti i zgjedhur Trump ka thënë “të shohim se çfarë do të ndodhë”.

Ndërkaq, Romney nuk ka kursyer lëvdatat për presidentin e zgjedhur.

"Kam pasur një darkë të mrekullueshme me presidentin e zgjedhur Trump. Ne kemi diskutuar çështje përreth botës dhe këto diskutime që i kam pasur me të kanë qenë iluminuese dhe interesante e gjithëpërfshirëse. Më kanë pëlqyer shumë këto diskutime”, ka thënë Romney pas takimit.

Ish guvernatori i Masaçusets ka thënë se ai e din edhe personalisht që nuk është e lehtë të fitosh zgjedhjet, duke kujtuar garën e tij përballë Barack Obamës në vitin 2012.

“Ai ka arritur diçka që e kam provuar edhe unë dhe nuk kam qenë i suksesshëm ta arrij. Ai ka fituar zgjedhjet e përgjithshme. Dhe ai po vazhdon të flas me gjuhë gjithpërfshirëse duke bërë njerëzit bashkë, ndërsa vizioni i tij është diçka që duket se është lidhur fort me popullin amerikan në një mënyrë të fuqishme”, ka thënë më tej Romney.

Mirëpo, derisa ky post mbetët ende i lirë, presidenti i zgjedhur Donald Trump deri më tash ka bërë disa emërime në administratën e tij.

Multimilioneri, Steven Munuchin është emëruar Sekretar i Thesarit, ndërkaq një tjetër person shumë i pasur, miliarderja Betsy Devos është zgjedhur nga Trump si Sekretare e Arsimit. (REL)

Përgatiti: Artan Haraqija

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG