Ndërlidhjet

Siguria në punë: Në dhjetë muaj 7 të vdekur në vendet e punës


Ilustrim
Ilustrim

Ndonëse gjendja e sigurisë dhe mbrojtja e shëndetit në punë thuhet të jetë më e mirë krahasuar me vitet e kaluara, zyrtarë të institucioneve në Kosovë shprehin shqetësim për vdekjet dhe lëndimet që ndodhin në vendet e punës.

Si pasojë e nivelit të ulët të sigurisë në punë dhe pa masa mbrojtëse, në dhjetë mujorin e këtij viti, sipas të dhënave zyrtare të autoriteteve në Kosovë, kanë humbur jetën 7 punëtorë, derisa janë lënduar 42 të tjerë.

Kryeinspektori i Punës në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, Basri Ibrahimi, për Radion Evropa e Lirë, thotë se niveli i sigurisë në vendin e punës është rritur nga punëdhënësit në përgjithësi, por ka ende vend për përmirësime.

“Ne konsiderojmë se gjendja e sigurisë në punë është shumë më e mirë sesa në të kaluarën. Në vitin e kaluar kemi pasur më shumë të vdekur dhe më shumë të lënduar në vendin e punës. Gjithsej të vdekur kanë qenë 9, derisa të lënduar kanë qenë 65, kurse në këtë vit kemi 7 të vdekur dhe 42 të lënduar. Po ashtu është rritur edhe vetëdija e punëdhënësve për të lajmëruar punëtorët e lënduar ne vendin e punës”, tregon Ibrahimi.

Përveç Ligjit të Punës, në aspektin legjislativ, punëtorët në Kosovë mbrohen edhe me Ligjin për Siguri në Punë, për Mbrojtjen e Shëndetit të të Punësuarve dhe Ambientin e Punës.

Sipas ligjeve në fuqi, punëdhënësi është i detyruar t’i sigurojë kushtet e nevojshme për mbrojtje në punë, me të cilat sigurohet mbrojtja e jetës dhe e shëndetit të të punësuarve, në të kundërtën, shqiptohen gjoba.

Dënimet për punëdhënësit, për shkak të mungesës së sigurisë në ambientet e punës, sipas ligjit janë nga 100 deri në 20 mijë euro.

Por, këto ligje, sipas përfaqësuesve të Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, nuk po respektohen.

Behxhet Shala, drejtor ekzekutiv i Këshillit, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, e quan alarmante gjendjen e sigurisë në punë.

“Realisht, gjendja është alarmante. Nuk kalon një vit pa pasur disa punëtorë që nuk e humbin jetën në vendin e punës, për shkak të mos sigurimit të kushteve të sigurisë në punë. Pra, është një lëshim i autoriteteve përkatëse që nuk angazhohen më shumë për sigurinë e punëtorëve dhe më këto çështje merren vetëm kur ndodh rasti. Autoritetet kompetente duhet të merren me masa parandaluese dhe të ketë mbikëqyrje më të mëdha dhe të merren ankesat e punëtorëve”, thekon Shala.

Për më keq, shton Shala, personat të cilët lëndohen në vendin e punës apo familjarët e personave të cilët kanë humbur jetën në vendin e punës nuk përfitojnë dëmshpërblim nga kompania ku kanë qenë të punësuar.

Niveli i ulët i sigurisë në punë ka qenë vazhdimisht i theksuar edhe nga mekanizmat në Kosovë që merren më mbrojtjen e punëtorëve.

Sektori privat, i cili është punëdhënësi më i madh në Kosovë, konsiderohet si shkelësi më i madh i të drejtave të punëtorëve dhe nivelit të ulët të sigurisë në punë, derisa në sektorin publik gjendja paraqitet shumë më e mirë.

Sipas kryeinspektorit të Punës në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, Basri Ibrahimi, niveli më i ulët i sigurisë dhe mbrojtjes së shëndetit në punë është në sektorin e ndërtimtarisë, por që, sipas tij, edhe aty është shënuar përmirësim krahasuar me të kaluarën.

“Gjatë viteve paraprake , punëtorët të cilët kanë punuar në punishte në sektorin e ndërtimtarisë mund të them që fare nuk kanë pasur asnjë përgatitje personale mbrojtëse, kanë punuar pa helmeta, pa asgjë, kurse tani në të shumtën e rasteve shihen punëtorët më këto masa mbrojtëse”, tregon Ibrahimi.

Punëdhënësit të cilët nuk e kanë respektuar Ligjin e Punës dhe Ligjin për Siguri dhe Shëndet në Punë, janë gjobitur, tregon Ibrahimi. Sipas tij, gjatë këtij viti janë gjobitur 90 kompani. (REL)

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG