Ndërlidhjet

Thaçi: Nuk bëjmë koalicion pas-zgjedhor me BDI-në


Menduh Thaçi
Menduh Thaçi

Kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare, Menduh Thaçi, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, ka përjashtuar mundësinë e lidhjes së koalicionit pas zgjedhjeve me Partinë e Ali Ahmetit, BDI-në.

“Bashkimi Demokratik për Integrim duhet të mbetet në opozitë disa vjet. Të ristrukturohet dhe pastaj sërish të konkurrojë në zgjedhje”, tha Thaçi.

Ai tha se shqiptarët e Maqedonisë duhet të realizojnë interesat kolektive si komb për të pasuar pastaj “procesi i integrimit si një proces krejtësisht normal”.

Radio Evropa e Lirë: Zoti Thaçi, vendimmarrja konsensuale është shtylla bazë përmes së cilës synoni ta bindni elektoratin shqiptar për t`ua besuar votën. Çka ju bën të besoni se ky model është funksional, ndërkohë që pala maqedonase në këtë model sheh si në instalimin e institucioneve paralele?

Menduh Thaçi: Unë mendoj se mosmarrëveshjet etnike kërkojnë zgjidhje me marrëveshje politike dhe institucionet e sistemit të funksionojnë me një kredibilitet të plotë për këto dy etni më të mëdha, siç janë shqiptarët dhe maqedonasit.

Dhe, për t’i ikur radikalizmit të situatës, ekstremizmit, që nënkupton federalizmin e shtetit apo diçka më keq, ne aplikojmë mekanizmin e vendimmarrjes me konsensus të plotë, që do të thotë veto brenda institucioneve të kenë shqiptarët si mundësi për të penguar të gjitha vendimet të cilat janë në dëm të shqiptarëve.

Ky funksionim përafërsisht është edhe model siç është Zvicra apo Belgjika dhe në këto raste nuk ka aspak rëndësi se sa për qind jemi. Ky model paraqet zgjidhjen e vetme për të parandaluar krizën e ardhshme që mund të jetë kriza etnike.

Radio Evropa e Lirë: Faktori ndërkombëtar disa herë ka apostrofuar rëndësinë e këtyre zgjedhjeve, që ato të jenë demokratike dhe të besueshme nga të gjitha palët. Besoni se këto zgjedhje do jenë të tilla?

Menduh Thaçi: Përgjegjësia u takon partive politike në qeveri VMRO DPMNE-së dhe BDI për shkak se ata i kontrollojnë dhe i drejtojnë institucionet. Ne si opozitë kemi vullnet të fuqishëm për të pasur zgjedhje korrekte. Unë kam një besim të madh tek vëzhgimi i fuqishëm dhe i rreptë nga ana e bashkësisë ndërkombëtare...do të duhet të jetë një sistem i 'rëntgenit' gjatë procesit zgjedhor.

Megjithatë, ne kemi marrë masat që në të gjithë këshillat dhe komisionet zgjedhore t’i kemi njerëzit tanë, të cilët do të parandalojnë manipulimet. Po të jenë serioze dy partitë në pushtet, VMRO DPMNE dhe Bashkimi Demokratik për Integrim, duhet ta dinë se po të manipulohen zgjedhjet mund të ketë një formulim nga bashkësia ndërkombëtare, se zgjedhjet në Maqedoni nuk i përmbushin standardet, që do të jetë vdekjeprurëse për ardhmërinë politike të tyre. Nëse ky formulim thuhet pas ditës së mbajtjes së zgjedhjeve, përgjegjësia dihet se ku bie.

Radio Evropa e Lirë: Ju thoni se jeni opozita kryesore, ajo e vërteta shqiptare, ndërkohë që në këto zgjedhje garojnë edhe parti e koalicione që nuk janë të përfaqësuara në parlament. Pse e anashkaloni forcën e tyre?

Menduh Thaçi: Jo, unë nuk e anashkaloj dhe absolutisht nuk më pengojnë partitë e tjera shqiptare në opozitë. Madje e kam thënë se ata paraqesin vlerë të demokracisë, por ne nuk kemi në komoditetin e finesave demokratike.

Shqiptarët janë në situatën e mbijetesës politike dhe kombëtare dhe ekonomike dhe unë mendoj racionalisht, pa kurrfarë inati, se votat e partive të vogla, fatkeqësisht, në bazë të sistemit zgjedhor që e kemi ne këtu në Maqedoni, nëse s’e arrijnë konsensusin e paraparë, mund të përfundojnë tek partitë maqedonase.

Dhe, sigurisht se pas zgjedhjeve, nëse partia Demokratike Shqiptare del fituese në zgjedhje, nuk do të thotë përjashtim të askujt. Përjashtim do të ketë vetëm për partinë shqiptare e cila për këto vite ka qenë në pushtet, Bashkimin Demokratik për Integrim, që mendojmë se duhet të mbeten në opozitë disa vite ta ristrukturojnë partinë e tyre dhe pastaj sërish të konkurrojnë në zgjedhje.

Radio Evropa e Lirë: Ju thoni se pavarësisht rezultatit zgjedhor, në asnjë mënyrë, nuk do të hyni në koalicion me Bashkimin Demokratik për Integrim të zotit Ali Ahmeti?

Menduh Thaçi: Assesi, nuk është e nevojshme. Nuk është racionale në aspektin logjik, në aspektin moral dhe atë politik.

Radio Evropa e Lirë: Zoti Thaçi, atëherë si e shihni mundësinë e lidhjes së koalicionit të partisë suaj me partitë maqedonase, VMRO DPMNE-në e Nikolla Gruevskit dhe Lidhjen Social Demokrate të Maqedonisë të Zoran Zaevit?

Menduh Thaçi: Me partinë opozitare maqedonase, Lidhjen Social Demokrate të Maqedonisë, ne jemi dy partitë më të vjetra në Maqedoni, më respektive të dy etnivee më të mëdha në vend dhe ne kemi pasur konflikte të mëdha me LSDM-në.

Unë mendoj se pjesa më e madhe e atyre mosmarrëveshjeve janë lënë pas nesh. Por, më duhet të theksoj se ne kemi një dallim të madh mes nesh; LSDM -ja e Zoran Zaevit mendon se përmes realizimit të interesave të individit shqiptar në kuadër të një shoqërie multietnike mund të realizohen interesat e përgjithshme. Kurse ne themi jo; duhet të realizohen interesat kolektive si komb të shqiptarëve të Maqedonisë dhe më pas procesi i integrimit do të ishte krejtësisht normal.

Këtu kemi të bëjmë me një ndeshje të platformave. Megjithatë, LSDM-ja mund të jetë partner i ardhshëm i yni, por duke i matur platformat tona. Me rëndësi është që në kuadër të këtyre dy platformave kemi një prioritet të madh; integrimin e Maqedonisë sa më të shpejtë në NATO dhe BE.

Sa i përket koalicionit me VMRO DPMNE, të drejtuar nga Nikolla Gruevski...një pjesë e analistëve u mundua që të na paraqes se ne bashkëveprojmë me ata. Vetëm t’ju përkujtoj se nga viti 2008 deri në vitin 2013 ne s`kemi pasur asnjë kontakt për shkak se ata të PDSH-së i kanë ngulitur shumë thika pas shpine, duke pasur një partner të përpunueshëm siç ishte BDI dhe zoti Ali Ahmeti.

Në këtë kriminalizim të institucioneve, në këtë degjenerim të shoqërisë që kanë bërë VMRO DPMNE dhe BDI, unë mendoj se do ta zhgënjenim shumë bashkësinë ndërkombëtare, partnerin tonë kryesor për të ardhmen e Maqedonisë, nëse nuk ndodh ndryshimi dhe ndryshimi do të ndodh nëse zgjedhjet i humb VMRO DPMNE dhe BDI.

Radio Evropa e Lirë: Ju shpreheni të vendosur se nuk do të bashkëpunoni me VMRO DPMNE-në e Nikolla Gruevskit, ndërkohë që nga materialet e përgjuara doli se ju jeni mik shum i afërt me shefin e policisë sekrete, Sasho Mijallkovin?

Menduh Thaçi: Do ta risqaroj edhe një herë se ajo që doli në opinion është një pjesë e bisedës, e përpunuar dhe e nxjerrë tërësisht nga konteksti.

Radio Evopa e Lirë: Zoti Thaçi, faktori ndërkombëtar shumë zëshëm ka theksuar se përveç rëndësisë së pasjes së zgjedhjeve demokratike dhe njohjes së rezultatit zgjedhor, shumë e rëndësishme është edhe periudha pas zgjedhjeve, përkatësisht përkushtimi i drejtuesve të institucioneve për të realizuar reformat dhe mbi të gjitha krijimin e kushteve që pa pengesa të funksionojë Prokuroria Speciale Publike. Cili është qëndrimi juaj? A keni besim në këtë?

Menduh Thaçi: Unë mendoj se tani katërcipërisht u vërtetua se institucionet janë të kapura dhe të degjeneruara politikisht. Mendoj se duhet të bëhet involvimi i institucioneve shtetërore në bazë të standardeve ndërkombëtare, me një këshillim, vëzhgim apo pjesëmarrje të drejtpërdrejtë të ekspertëve të bashkësisë ndërkombëtare.

Ne nuk mund të zbulojmë institucione tjera kredibile për shqiptarët dhe maqedonasit, përpos bashkësisë ndërkombëtare. Edhe Prokuroria Speciale Publike, pa një reformë të thellë të sistemit të drejtësisë, siç po bëhet në Shqipëri, ne vetëm mund të ëndërrojmë se drejtësia mund të vihet në vend dhe kjo reformë duhet të përfundojë me një sistem të kontrollit, skanimit të figurës së gjykatësit, prokurorit me një “amin” konfirmim të detyrueshëm të bashkësisë ndërkombëtare, e cila do të konstatojë se tani jeni gati, tani keni një sistem të mirëfilltë të drejtësisë dhe tash mund të procedoni apo të riprocesoni rastet për të cilat të gjithë kemi vlerësime se janë raste të montazheve politike, siç është rasti i Sopotit, ai i Kumanovës, Monstraku... të gjithë pajtohemi se duhet të ketë rigjykim, por me një sistem të pastër të drejtë të sistemit gjyqësor.

Radio Evropa e Lirë: Besoni se kjo mund të arrihet në Maqedoni? Mendoni se zgjedhjet mund të prodhojnë një elitë të tillë udhëheqëse në Maqedoni?

Menduh Thaçi: Ndryshe nuk mund të ketë perspektivë për vendin. Nëse kjo nuk arrihet, ne do ta kemi rrugën e mbyllur drejt integrimeve në BE. Është një fakt shumë i rëndësishëm që besoj se tanimë e kanë kuptuar qytetarët e Maqedonisë se dhënia e votës për opozitën, mendoj cilëndo parti opozitare nuk do të thotë vetëm ndihmesë politike apo juridike për Maqedoninë, por edhe ndihmesë ekonomike nga ana e bashkësisë ndërkombëtare për të dalë vendi nga kjo krizë shumë e rëndë në të cilën ndodhet vendi. (REL)

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG