Ndërlidhjet

Dy kandidatët për kryetar komune në zgjedhjet e parakohshme në Drenas, Ramiz Lladrovci i Partisë Demokratike dhe Isa Xhemajlaj i Nismës për Kosovën, do të garojnë sërish në rrethin e dytë të zgjedhjeve, pas afro një muaji, në këtë komunë.

Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, tha se në bazë të rezultateve paraprake një rreth i ri zgjedhor do të organizohet pasi të jetë përmbyllur i gjithë procesi zgjedhor i 4 dhjetorit.

Rezultatet e dhëna nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk kanë nxjerrë një fitues të zgjedhjeve për kryetar të komunës së Drenasit, meqë në bazë të votave të numëruara, pak orë pas përfundimit të zgjedhjeve, asnjëri kandidat nuk ka marrë 50 për qind të votave të nevojshme.

Ramiz Lladrovci i PDK-së doli fitues në raundin e parë të zgjedhjeve me mbi 45 për qind të votave, por të pamjaftueshme për t’u zgjedhur kryetar komune, ndërkohë që kandidati i Nismës për Kosovën, Isa Xhemajlaj mori rreth 26 për qind të votave.

Zgjedhjet e parakohshme në Drenas u cilësuan si të rregullta, me gjithë njoftimet zyrtare të mekanizmave të sigurisë për incidente të vogla në disa vendvotime. KQZ tha se pjesëmarrja e votuesve në zgjedhje ishte mbi 40 për qind.

Zgjedhjet në Drenas pasuan dorëheqjen e kryetarit të deritashëm Nexhat Demaku, pasi gjykata e ka shpallur atë fajtor për krime lufte

Drenasi votoi: Morën pjesë mbi 40 për qind e qytetarëve

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë njoftoi se nga gjithsej 52 mijë e 569 qytetarë me të drejtë vote në Drenas, deri në orën 19:00 kur edhe janë mbyllur kutitë e votimit në 72 vendvotime, kanë marrë pjesë 21 mijë e 318 votues apo 40.55 për qind.

Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, procesin zgjedhore në Drenas e cilësoi si pozitiv dhe pa probleme të mëdha.

"Deri më tani procesi zgjedhor ka shkuar pa ndonjë parregullsi, që do të cenonte integritetin e zgjedhjeve. Në emër të KQZ-së, dua t'i falënderoj të gjithë qytetarët e kësaj komune që shfrytëzuan të drejtën e tyre për të votuar dhe për kulturë të lartë demokratike të treguar të dielën", tha Daka në një konferencë për media.

KQZ-ja ka njoftuar se duke filluar nga ora 19:00, në afatin kohor prej 24 orësh partite politike kanë mundësi për të paraqitur ankesat në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP).

Të paktën shtatë persona janë ndaluar, pesë nga të cilët si të dyshuar dhe dy të tjerë në cilësinë e dëshmitarit në ditën e zgjedhjeve të parakohshme në komunën e Drenasit, ka bërë të ditur Policia e Kosovës...

Të paktën shtatë persona janë ndaluar, pesë nga të cilët si të dyshuar dhe dy të tjerë në cilësinë e dëshmitarit në ditën e zgjedhjeve të parakohshme në komunën e Drenasit, ka bërë të ditur Policia e Kosovës. Në një komunikatë të saj, Policia tha se të ndaluarit janë liruar gjatë ditës me të përfunduar procedurat policore.

Në kumtesë thuhet se “me urdhër të prokurorisë, Policia e Kosovës ka hapur tri raste; për kanosje, dhënie dhe marrje ryshfeti në ndërlidhje me votimin dhe për prishje të rendit dhe të qetësisë publike.

Policia e Kosovës gjatë ditës së zgjedhjeve në Drenas ka angazhuar forca të saj për ruajtjen e rendit dhe të qetësisë publike dhe për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor.

Zgjedhjet në Drenas kanë pasuar dorëheqjen e kryetarit Nexhat Demaku, pasi gjykata e ka shpallur atë fajtor për krime lufte. Ai është dënuar me 3 vjet burgim, në gjykimin njohur si ”Drenica 1 dhe 2”.

Në rastin “Drenica”, janë gjykuar disa nga ish-komandantët e UÇK-së, të cilët bartnin funksione publike, qoftë deputetë apo edhe kryetar komunash, si Sylejman Selimi, Sami Lushtaku, Fadil Demaku, Nexhat Demaku e të tjerë.

Për postin e të parit të Drenasit kanë kandiduar: Ramiz Lladrovci (PDK), Bedri Nika (LDK), Isa Xhemajlaj (NISMA), Elmi Thaçi (AKR), Vehbi Berisha (Fjala) dhe kandidati i pavarur Xhavit Drenori.

Procesin e monitorimit në zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të Komunës së Drenasit e kanë bë Koalicioni për Integritet Zgjedhor – KIZ.

Sipas të dhënave nga monitoruesit, nga 72 vendvotime 58 janë ishin hapur me kohë, kurse 12 janë hapur me vonesë prej 10 deri 50 minutash.

Përfaqësuesit e organizatave joqeveritare monitoruese të zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetar të Komunës së Drenasit, thanë se në disa raste janë vërejtur disa parregullsi, por të cilat nuk e kanë prishur procesin e votimit.

Albulena Ndrecaj nga Koalicioni për Integritet Zgjedhor në një konferencë për media tha se parregullsitë janë evidentuar në 38 raste, ku bëhet fjalë për asistencë për të votuar.

"Vëzhguesit e koalicionit për periudhat raportuese kanë evidentuar të gjetura që Komisioni i ka paralajmëruar përmes konferencave dhe paraqitjeve mediale. Parregullsitë, të cilat janë vërejtur, janë: fotografimi i votës, votimi familjar, asistimi i vëzhguesve të partive politike në votimin e qytetarëve të komunës së Drenasit dhe parregullsi të tjera, të cilat nuk kanë qenë të një rëndësie të veçantë, mirëpo kanë zbehur procesin e votimit", tha Ndrecaj.

Kurse, Albert Krasniqi nga Demokracia në Veprim tha se parregullsia më e shpeshtë në vendvotime, është votimi familjar, ku më shumë së një person voton prapa kabinës së votimit. Krasniqi tha se në përgjithësi procesi zgjedhor në Drenas ka qenë i qetë.

"Në përgjithësi, mund të themi se fushata ka qenë e qetë dhe parregullsitë, të cilat janë hasur nga ana jonë janë të shumta dhe janë përtej normave normale ku mund të tolerohen. Megjithatë, [parregullsitë] nuk e kanë penguar procesin dhe mbarëvajtjen e votimit, por që është një lloj vote klienteliste, e cila është shprehur edhe atje", tha Krasniqi për Radion Evropa e Lirë.

Për zgjedhjet e jashtëzakonshme në Drenas Prokurori i Shteti, Aleksandër Lumezi, ishte angazhuar një ekip të prokurorëve për të përcjellë mbarëvajtjen e zgjedhjeve.

"Prokurori i Shtetit, së bashku me Policinë e Kosovës, janë të angazhuar për mbarëvajtjen e gjithë procesit zgjedhor. Po ashtu, Prokurori i Shtetit njofton të gjithë opinionin se do të reagojë në të gjitha rastet e incidenteve gjatë procesit zgjedhor dhe pas zgjedhjeve, për çdo raportim apo keqpërdorim të votës", thuhet në komunikatë, ku citohet se, do të merren masa konkrete në rastet e dezinformimit apo informimit të rrejshëm përmes portaleve dhe rrjeteve sociale. (REL)

  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG