Ndërlidhjet

Gjykata kërkon hapje të seancave - Sindikata e Mjekëve do mbyllje


Ilustrim

Kryetari i Gjykatës Themelore në Prishtinë, Hamdi Ibrahimi, u ka kërkuar gjykatësve të këtij institucioni që, “t’i rishikojnë vendimet e tyre për mbylljen e shqyrtimeve gjyqësore”, thanë për Radion Evropa e Lirë zyrtarë të Gjykatës Themelore.

Në një përgjigje nëpërmjet postës elektronike, Gjykata Themelore tha se megjithatë “kryetari i Gjykatës nuk mund t’i detyrojë gjykatësit që t’i ndryshojnë vendimet apo veprimet e tyre”.

Deklarimi i kryetarit të Gjykatës Themelore për rishikim të vendimeve nga kolegët e tij, pason vendimin për mbylljen e shqyrtimit gjyqësor në rastin e gjykatësit të arrestuar Sali Mekaj dhe në veçanti vendimin e gjykatëses në shqyrtimin gjyqësor të rastit të ashtuquajtur “Stenta”, kur për shkaqe siç u tha, teknike, “mbylli sallën”, më 30 nëntor, duke larguar mediet.

Aktakuza e rastit “Stenta” ngarkon 44 mjekë dhe 1 infermier të institucioneve publike shëndetësore dhe 13 punonjës ose ish-punonjës të sektorit privat shëndetësor, për shpërdorim detyre dhe të fondeve për dërgim të pacientëve për shërim jashtë institucioneve publike shëndetësore. Në mesin e të akuzuarve është edhe ish-ministri i Shëndetësisë, Ferid Agani.

Ndërkohë, zyrtarët e Gjykatës Themelore, i thanë Radios Evropa e Lirë se Kodi i Procedurës Penale e përcakton qartë se kur dhe nën cilat kushte mund dhe duhet të mbyllet një seancë gjyqësore.

“Kryetari i Gjykatës me të drejtë pret që, gjyqtarët që i kanë mbyllur shqyrtimet gjyqësore apo që nuk kanë krijuar kushte për prezencën e medieve në sallë të gjykimit, t’i rishikojnë vendimet apo veprimet e tyre dhe të veprojnë në respektim dhe aplikim të dispozitave ligjore dhe në interes të drejtësisë. Interesi i drejtësisë nuk është mbyllja e plotë e shqyrtimeve gjyqësore”, thanë zyrtarë nga Gjykata Themelore në Prishtinë në përgjigjen përmes postës elektronike.

Vendimi i gjykatëses së rastit, që t’i largojë mediet nga hapësirat e Gjykatës, pas filmimeve fillestare, ka nxitur reagimet e ekspertëve të drejtësisë dhe në veçanti të medieve në vend.

Ehat Myftaraj, nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, tha se vendimi për mbylljen e seancës, në rastin “Stenta”, është shkelje kushtetuese.

“Instituti i Kosovës për Drejtësi shprehet i shqetësuar me praktikën e gjyqësorit për mbylljen e seancave gjyqësore kur kemi të bëjmë me vepër penale të korrupsionit të nivelit të lartë. Një praktikë e tillë pa dyshim se bie ndesh me vetë Kushtetutën e Kosovës dhe Kodin Penal, si dhe ligjet eaplikueshme në Kosovë”.

“Mbyllja e seancave gjyqësore mund të bëhet vetëm kur të plotësohen kriteret e përcaktuara me kodin e procedurave penale. Ne mendojmë se një qasje e tillë e gjykatës në radhë të parë u ofron mbrojtje vetë personave, të cilët janë subjekt i këtyre procedurave penale dhe gjithashtu fshehje nga publiku lidhur me trajtimin e këtyre rasteve”, tha Myftaraj.

Por, për dallim nga ekspertët juridikë dhe në veçanti nga udhëheqësi i Gjykatës Themelore në Prishtinë, me vendimin për mbylljen e seancës për mediet është pajtuar kryetari i Federatës Sindikale të Shëndetësisë, Blerim Syla.

Ai i tha Radios Evropa e Lirë, se për shkak të ndjeshmërisë së çështjes në rastin “Stenta”, seanca e mbyllur për media, ka qenë vendim i qëlluar.

“Konsideroj që është më mirë të mos dalë gjithçka për hir të pacientëve dhe të mjekëve. Nuk po shoh që ka ndikim politik dhe nuk ka kurrfarë shkelje për hir të sensibilitetit dhe keqinterpretimeve. Mendimi im është që ka qenë vendim i drejtë mbyllja e seancës për media dhe opinion”, deklaroi Syla.

Rasti i ashtuquajtur “Stenta” ngjalli interesimin e opinionit publik për faktin se për herë të parë në Kosovë, thonë analistët, një gjykim i përmasave të gjëra për rastet e cilësuara korruptive po ndodhte në Kosovë. Mjekët, kanë shprehur shqetësimet e tyre për mënyrën e trajtimit të këtij rasti.

Mbi 44 mjekë janë akuzuar për veprat e shpërdorimit të detyrës dhe të fondeve për trajtim të pacientëve pas një hetimi mbi dyvjeçar, thanë në zyrën kryeprokurorit të Shtetit. Asistenti ekzekutiv i kryeprokurorit, Artan Grantolli, tha se nuk do të ketë zgjerim të hetimeve në rastin “Stenta”, dhe lista e të akuzuarve është mbyllur.

“Rasti ‘Stenta’ është mbyllur pas ngritjes së aktakuzës. Kur ngrihet aktakuza nuk mund të ketë zgjerim të hetimeve, pasi lënda është në gjykatë. Nëse ndodhë ndonjë hetim tjetër për rastin ‘Stenta’, atëherë ky është rast i ri dhe tjetër çështje prej kësaj aktuales”, sqaroi Grantolli.

Sidoqoftë, dy seanca gjyqësore janë mbajtur gjithsej në rastin “Stenta”, që kur nisi nga mesi i muajit tetor dhe njohës të rrethanave në vend thonë se procesi mund të zgjasë për shkak të numrit të madh të të akuzuarve. Tash për tash nuk ka njohuri nëse edhe seancat e radhës do të vazhdojnë të jenë të mbyllura me vendim të gjykatësit dhe nëse do të përfillet kërkesat e kryetarit të Gjykatës Themelore për rishqyrtim të vendimeve për mbyllje të seancave për publikun. (REL)

  • 16x9 Image

    Ariana Kasapolli - Selani

    Ariana Kasapolli - Selani ka lindur më 15.04.1980 në Prishtinë. Shkollimin fillor, të mesëm dhe universitar e ka ndjekur në Prishtinë, ku edhe ka diplomuar në Fakultetin e Gazetarisë. Si korrespondente e Radios Evropa e Lirë punon që nga viti 2009. Është e martuar dhe ka tre fëmijë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG