Ndërlidhjet

Rusia dhe Kina i vunë veto rezolutës për armëpushim në Alepo


SHBA - Këshilli i Sigurimit gjatë votimit të një rezolute për Aleppo-n, 5 dhjetor 2016
SHBA - Këshilli i Sigurimit gjatë votimit të një rezolute për Aleppo-n, 5 dhjetor 2016

Rusia dhe Kina i kanë vënë veto rezolutës së Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara më 5 dhjetor, rezolutë kjo e nxitur nga fuqitë perëndimore dhe që bën thirrje për armëpushim shtatë ditor në qytetin sirian, Alepo.

Rusia ka thënë se masa do lejonte forcat rebele të rigrupohen dhe ajo duhet të shtyhet për të pritur bisedimet në mes të Uashingtonit dhe Moskës, të paraparë për këtë javë.

Kjo është hera e gjashtë që Rusia i vë veto një rezolute të Këshillit të Sigurimit për Sirinë, prej se konflikti ka nisur më 2011 dhe e pesta herë që Kina e bën të njejtën gjë.

“Këto pauza janë përdorur nga luftetarët që të shtojnë municionin e tyre dhe të fuqizojnë pozitat e tyre dhe kjo vetëm sa do e përkeqësonte vuajtjen e civilëve”, ka thënë Ambasadori i Rusisë në OKB, Vitaly Churkin.

Ministri i jashtëm rus, Sergei Lavrov, ka thënë para votimit se Moska do të fillojë bisedime me Uashingtonin gjatë kësaj jave për tërheqjen e forcave opozitare nga Alepo, pas sukseve të mëdha në betejë të forcave qeveritare siriane në territoret e kontrolluara më parë nga rebelët.

“Rruga konkrete dhe koha për tërheqjen e të gjithë luftëtarëve nga Alepo lindore do të bëhet me pajtim”, ka thënë Lavrov.

“Sapo të arrihet pajtimi për kohën dhe rrugën e tërheqjes, atëherë mund të futet në fuqi armëpushimi”, shtoi ai.

Në OKB, Churkin ka thënë se veprimet nga Këshilli i Sigurimit duhet të shtyhen që të lejojnë kohë për këto negociata.

Por, zyrtarët amerikanë kanë thënë se marrëveshja për tërheqje nuk është afër. Forcat rebele kanë hedhur poshtë thirrjet që ata të largohen.

“Kjo është një alibi e sajuar”, i ka thënë Këshillit zëvendës ambasadorja e SHBA-së në OKB, Michele Sison.

“Ne nuk kemi arritur sukses në këtë, sepse Rusia ka qenë më shumë e përqendruar në ruajtjen e arritjeve të saj ushtarake sesa që të ndihmojë qytetarët e Alepos”, ka thënë ajo dhe ka shtuar, “ne nuk do e lejojmë Rusinë të gënjejë këtë Këshill të Sigurimit në pritje të një kompromisi nga rusët që asnjëherë nuk po arrihet”.

Sison ka thënë se vetoja kundër rezolutës për armëpushim është “dënim me vdekje për burra, gra dhe fëmijë të pafajshëm” në Alepo.

Alepo po shkatërrohet
Ju lutem prisni
Embed

No media source currently available

0:00 0:01:29 0:00

OKB ka thënë se mbi 200 mijë civilë mund të jenë të izoluar në zonat e kontrolluara nga rebelët në Alepo, zona këto që po përballen me mungesë ushqimi dhe ndihmash në përgjithësi.

Ambasadori britanik në OKB, Matthew Rycroft, ka shprehur befasinë e tij që Kina i është bashkuar Rusisë në kundërshtimin e rezolutës, rezolutë kjo që do të lejonte qasjen në ndihma humanitare.

Rycroft ka thënë se Rusia dhe Kina kanë bllokuar masat “për shkak të besimit afatgjatë dhe të gabuar në një tiran që ka vrarë gati gjysmë milion njerëz të popullit të tij”.

Ambasadori kinez në OKB, Liu Jieyi, ka thënë se votimi në draft tekstin e rezolutës duhej të shtyhej për të lejuar më shumë negociata për arritjen e kompromisit në Këshill. Ai e ka akuzuar Rycroft për “helmimin” e atmosferës dhe “abuzimin” e forumit me deklarimet e tij.

Nëse do të miratohej rezoluta, ajo do të ishte një “shenjë e vogël e shpresës” që do të lejonte OKB-në të “shpëtonte jetë”, ka thënë ambasadori francez në OKB, Francois Delattre.

Ai e ka akuzuar Rusinë se ka “vendosur ta marrë Alepon, pavarësisht çmimit në njerëz”.

Ambasadori i Zelandës së Re në OKB, Gerard van Bohemen, që ka ndihmuar në hartimin e rezolutës, ka thënë se dështimi për të reaguar është “dëm i madh për reputacionin e Këshillit dhe katastrofik për popullin sirian”. (REL)

Përgatiti: Artan Haraçia

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG