Ndërlidhjet

OSBE/ODIHR: Zgjedhjet në Maqedoni të administruara dhe pa incidente të mëdha


Ilustrim
Ilustrim

Misioni i OSBE/ODIHR-së, procesin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Maqedon, e ka vlerësuar kryesisht në rregullt, të administruar mirë dhe pa incidente të mëdha. Në një raport të saj, OSBE/ODIHR thotë se:

“Zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 11 dhjetorit ishin një hap thelbësor në zgjidhjen e krizës të thellë politike dy vjeçare. Forcat kryesore politike ranë dakord për një varg ndryshimesh ligjore dhe institucionale për të siguruar një fushë ligjore për këto zgjedhje. Fushata ishte konkurruese, por u zhvillua në një mjedis të karakterizuar nga mosbesimi publik në institucione dhe në sistemin politik, si dhe akuzat për shtrëngimin e votuesve. Administrata zgjedhore sfidoi me përgatitjet për zgjedhjet dhe tejkaloi një numër të afateve. Dita e zgjedhjeve në përgjithësi u administrua mirë dhe vazhdoi pa incidente të mëdha”, thuhet në raportin e OSBE-ODIHR-së

Nga OSBE ODIHR thanë se vonesa e informacioneve përfundimtare nga Komisioni Shteror i Zgjedhjeve, përderisa është një rezultat shumë i ngushtë, duhet kuptuar si kujdes më i theksuar nga ana e këtij institucioni.

Ambasadori amerikan në Shkup, Jess Baily, i ka përshëndetur konkluzat e dala nga OSBE ODIHR, duke nënvizuar se pajtohet se zgjedhjet e parakohshme në Maqedoni më 11 dhjetor u realizuan në formë komplementare dhe se kryesisht janë respektuar të drejtat e njeriut.

I bëj thirrje qeverisë së ardhshme që të vazhdojë të punojë në ndërtimin e kapaciteteve të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, me qëllim që të zgjidhen të gjitha çëshjet juridike dhe procedurale."

"Zgjedhjet më 11 dhjetor paraqesin hapin e parë që Maqedonia si shtet të ecë drejt tejkalimit të krizës politike. I inkurajojmë partitë plitike të cilat do ta përbëjnë qeverinë e ardhshme të punojnë në formë konstruktive me opozitën për ta lëvizur Maqedoninë drejt strukturave euroatlantike, veçanërisht sa i përket sundimit të drejtësisë”, ka theksuar ambasadori amerikan, Jess Baily.

Ndërkohë, partia maqedonase në opozitë, Lidhja Social - demokrate tha se rezultati përfundimtar i zgjedhjeve, i publikuar nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve, mund të pësojë ndryshime, pasi disa raporte të komisioneve vendore, të arritura dje në formë elektronike në KSHZ, nuk përputhen me origjinalin që sot mblidhet nga tereni.

“I mbledhim raportet origjinale të këshillave vendore dhe mund të them se asgjë nuk është definitive. Mund të ketë ndryshime në numrin e mandateve të fituara”, tha Damjan Mancevski i LSDM-së.

Vlatko Gjorcev, nga VMRO DPMNE e ish-kyeministrit Nikolla Gruevski, ka kërkuar që LSDM të njohë rezultatin e zgjedhjeve, përkatësisht fitoren e VMRO DPMNE-së me 17 mijë vota në avantazh të kësaj partie.

Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur se ende nuk ka marrë ankesa nga partitë politike për përsëritjen e zgjedhjeve, megjithëse jo zyrtarisht mësohet se të gjitha partitë politike do të paraqesin ankesa për përsëritjen e votimeve në disa qendra të votimit.

Njohësit e çështjeve politike konsiderojnë se përsëritja e zgjedhjeve në disa vendvotime, për të cilat organizatat jo qeveritare njoftuan për shfaqjen e më shumë parregullsive, mund të çojë në ndryshimin e rezultatit zgjedhor, i cili është shumë i ngushtë mes forcave politike maqedonase.

Alajdin Demiri, politolog, thotë se njësia zgjedhore gjashtë, që përfshin Tetovën, Gostivarin dhe Dibrën, me numrin më të madh të votuesve, ka hapur shumë dilema me rezultatin e dalë nga zgjedhjet e parakohshme.

“Shihni kur kemi një rezultat kaq të ngushtë zgjedhor; çdo intervenim në njësitë zgjedhore mund të sjellë deri tek përmbysja e rezultateve aktuale, për faktin se në njësinë zgjedhore numër gjashtë, gara mes VMRO DPMNE-së dhe LSDM-së ishte shumë e egër. Katër deputetë për të parën dhe tre ose katër për të dytën."

"Nuk është çudi se si ka fituar tre ose katër deputetë LSDM-ja, që ka marrë shumë vota nga shqiptarët, por pyetja është në ç`formë arriti të sigurojë katër deputetë VMRO DPMNE-ja e ish kryeministrit Nikolla Gruevski në vendbanimet shqiptare. Kjo do të thotë se ky rezultat i ngushtë bën që partitë politike gjithë arsenalin që kanë ta vendosin në favor të ndryshimit të baraspeshës së rezultatit zgjedhor”, vlerëson Demiri. (REL)

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG