Ndërlidhjet

Partitë e mëdha "frikësohen" nga zgjedhjet


Ilustrim - Një qytetar duke votuar për zgjedhjet parlamentare në Kosovë, në vitin 2014

Pavarësisht mos efikasitetit të koalicionit qeverisës në Kosovë për të zgjidhur çështjet e mbetura, sikurse miratimi i Marrëveshjes për Demarkacion me Malin e Zi, shndërrimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës në Forcë të Armatosur, por edhe të tjera, nuk ka sinjale nga partitë në pushtet se mund të çojnë vendin në zgjedhje të parakohshme parlamentare, vlerësojnë njohësit e zhvillimeve politike në Kosovë.

Albert Krasniqi, analist i Institutit Demokratik të Kosovës, duke folur për Radion Evropa e Lirë, thotë se që nga konstituimi i legjislaturës së tanishme ka pasur zëra për zgjedhje të parakohshme nga partitë opozitare. Muajt e fundit, siç thotë ai, zëra të tillë ka pasur edhe nga individë të partive në pushtet, Lidhjes Demokratiketë Kosovës dhe Partisë Demokratike të Kosovës, e sidomos nga kjo e fundit.

Megjithatë, siç thotë Krasniqi, raportet aktuale ndërmjet dy partnerëve më të mëdhenj në koalicion nuk japin indikacione se ato mund të kërkojnë zgjedhje të parakohshme.

“Nëse i shohim çështjet të cilat janë sjellë për votim nga ana e qeverisë në Kuvend, me përjashtim të marrëveshjes për Demarkacionin me Malin e Zi, pothuajse të gjitha të tjerat kanë kaluar pa shumë probleme në Kuvend. Në këtë kontekst, nuk mund të themi se ka një krizë dhe një nevojë urgjente për të shkuar në zgjedhje të jashtëzakonshme”, thotë Krasniqi.

Analisti i çështjeve politike, Artan Muhaxhiri, ligjërues në Universitetin e Prishtinës, thotë për Radion Evropa e Lirë se bazuar në situatat e krijuara gjatë legjislativit aktual, zgjedhjet e parakohshme janë opsion real. Por, sipas tij, partitë e koalicionit qeverisës nuk kanë dhënë shenja të qarta për zgjedhje të tilla eventuale.

“Tash për tash, nuk ka sinjale të qarta, sepse, mendoj që më shumë dominon frika nga rezultati eventual i atyre zgjedhjeve, sesa dëshira e PDK-së apo e LDK-së që të triumfojnë në ato zgjedhje. Pra, është e sigurt se edhe PDK dhe LDK e dinë që nëse shkojnë, tash shpejt, në zgjedhje, pa ndonjë planifikim strategjik, atëherë mund të dështojnë që të dyja dhe në fakt, të bëjnë autogol”, thotë Muhaxhiri.

Të dy këta njohës të zhvillimeve politike kanë shprehur mendimin se rezultati i zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetar të komunës së Drenasit, gjegjësisht shkuarja në balotazh e kandidatëve të PDK-së dhe Nismës, ka dhënë sinjale të qarta për të gjitha partitë politike.

Sipas tyre, Drenasi deri më tash është cilësuar si bastion i Partisë Demokratike të Kosovës dhe shkuarja në balotazh, siç thonë ata, është sinjal për partitë në pushtet që të mos kërkojnë zgjedhje të parakohshme parlamentare.

Krasniqi shpreh mendimin se zgjedhjet për kryetar komune në Drenas janë sinjal më shumë për Partinë Demokratike të Kosovës.

“Ky do të jetë një sinjal për vet PDK-në që të mos kërkojë zgjedhje dhe jam i sigurt që pas rezultatit në Drenas, PDK nuk do të kërkojë zgjedhje më në një të ardhme të afërt”, thotë ai.

Mendim të përafërt ka edhe profesor Muhaxhiri, i cili thotë se zgjedhjet në Drenas, madje, japin sinjale për të gjitha partitë politike.

“Drenasi është shenjë e qartë se qasja e deritashme në politikën kosovare nuk mund të ketë më sukses. Është një lloj i vetëdijesimit të elektoratit për të drejtën e tyre, për fuqinë e tyre të votës, për kërkesat e tyre reale dhe të cilat i kanë në raport me jetën e tyre të përditshme”, thotë Muhaxhiri.

Të dy këta njohës të zhvillimeve politike në Kosovë konsiderojnë se zgjedhjet për kryetar komune në Drenas kanë dërguar alarmin e fundit për partitë politike në Kosovë që të reformohen dhe të kërkojnë qasje tjetër në raport me elektoratin, por edhe me strukturat e tyre, në mënyrë që të dominojë meritokracia dhe jo kalkulimet e ngushta të klaneve të ndryshme brenda partive politike. (REL)

  • 16x9 Image

    Bekim Bislimi

    Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG