Ndërlidhjet

Apostolova: Muret si ai në Mitrovicë, nuk janë projekte të BE-së 


Përfaqësuesja e Bashkimit Evropian në Prishtinë, Natalia Apostolova, ka deklaruar para anëtarëve të Komisionit parlamentar për Integrime Evropiane se ndërtimi i mureve, siç është ai në veri të Mitrovicës, nuk është projekt i BE-së.

“Projekt i Bashkimit Evropian është vetëm rivitalizimi i urës mbi lumin Ibër, ndërsa muri që është ndërtuar pak metra më tutje është projekt tjetër”, ka thënë Apostolova, para anëtarëve të Komisionit.

Ajo ka thënë se Bashkimi Evropian nuk dëshiron të sheh mure, por ura komunikimi.

“Bashkimi Evropian kurrë nuk ka ndërtuar e as nuk përkrah ndërtimin e mureve. BE-ja ndërton ura. Ajo që ne mund të bëjmë është të angazhimi dhe përpjekja në dy anët për respektim të marrëveshjeve (ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit)”, ka thënë Apostolova.

BE-ja, sipas saj, ka një projekt, që është ri-vitalizimi i urës së Ibrit.

“Muri nuk është projekti ynë dhe ne nuk mund ta kontrollojmë. Ne jemi duke e përcjellë situatën..., negociatat mes dy anëve janë duke vazhduar. Ne nuk duam të shohim mure”, ka thënë ajo.

Megjithatë, ka nënvizuar Apostolova, Bashkimi Evropian nuk mund të gjejë zgjidhje për këtë problem, ngase kjo çështje duhet të zgjidhet përmes negociatave ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Lidhur më këtë, ajo është shprehur e bindur se do të gjendet një zgjidhje, marrë parasysh se ka të bëj me një problem mjaftë të ndjeshëm politik.

Qëllimi i dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ka theksuar ajo, është normalizimi i raporteve ndërmjet dy vendeve.

Komentet e saj për murin në Mitrovicë, u shtruan si përgjigje ndaj kërkesave të deputeteve anëtare të Komisionit për Integrime Evropiane, Vjosa Osmani dhe Donika Kadaj Bujupi.

“Citoj nga media: ‘Nuk do të ketë mur, por do të ketë shkallë’, në fakt murin e kemi, e ndoshta dikush mundet ta shpjegoj logjikën e shkallëve për të lidhur dy pjesë të rrafshta. A mund ta sqaroni qëndrimin zyrtar të BE lidhur me ndërtimin e murit në Mitrovicë?” – shtroi pyetjen, deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Vjosa Osmani.

Kurse Donika Kadaj Bujupi, nga Vetëvendosje tha se “urat i lidhin njerëzit, por muret i ndajnë.

“Përgjatë këtyre bisedimeve, po na ndan një mur. Dje Edita Tahiri tha se muri do të hiqet bashkë me BE-në. A do të hiqet ky mur siç po thotë ministrja, apo këto janë deklarata të pavërteta?” – shtroi si çështje dhe pyetje deputetja Donika Kadaj-Bujupi.

Muri në pjesën veriore të qytetit të Mitrovicës filloi të ndërtohet javën e kaluar, duke ngjallur reagimin edhe të qytetarëve edhe të politikës.

Kryetari i komunës jugore të Mitrovicës, Agim Bahtiri tha të premten për Radion Evropa e Lirë se muri do të rrënohet dhe se hapësira do të jetë në shfrytëzim të qytetarëve. Por, kryetari i Komunës veriore të Mitrovicës, Goran Rakiq tha se muri i ngritur nuk do të rrënohet por do të ri-dizajnohet.

Ministrja për Dialog në Qeverinë e Kosovës, Edita Tahiri, e ka cilësuar “ilegal” murin e ndërtuar në pjesën veriore të Mitrovicës.

Ajo ka thënë “muri është në kundërshtim me Marrëveshjen e Brukselit” për lirinë e lëvizjes. (REL)

  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG