Ndërlidhjet

Alepo: Hyn në fuqi armëpushimi i ri, aktualizohet evakuimi


Raportohet se të shtënat me armë në Alepo janë ndalur, derisa palët e ndryshme në konfliktin në Siri, janë pajtuar për një marrëveshje të re për evakuimin nga pjesa e fundit e qytetit Alepo, që ishte nën kontroll të kryengritësve.

Marrëveshja e mëparshme për armëpushim dhe për evakuimin e luftëtarëve kryengritës dhe civilëve, e ndërmjetësuar nga Rusia dhe Turqia, ishte shkelur dje pasi ka pasur luftime.

Por, burime të kryengristësve thanë se armëpushimi tashmë është fuqizuar dhe evakuimet mund të kryhen gjatë ditës së sotme.

Burime nga ushtria e Sirisë dhe lëvizja proqeveritare myslimane shiite Hezbollah, thanë se përgatitjet për evakuim janë në zhvillim e sipër.

Observatori sirian për të drejtat e njeriut me seli në Londër, që i ka vëzhguesit në terren në Siri, më vonë ka thënë se konvoji i parë i njerëzve që kërkonin kujdes mjekësor ka filluar të largohet nga pjesa lindore e Alepos.

Njëherësh, sipas urdhërave të presidentit Vladimir Putin, Qeveria e Rusisë tha se ushtarët e saj ishin përgatitur për t’i udhëhequr luftëtarët kryengritës, për tu larguar nga Alepo.

Ministria e mbrojtjes e Rusisë tha se autoritetet e Sirisë u kanë garantuar siguri kryengritësve dhe familjeve të tyre, që do të evakuohen kah qyteti Idlib, në veriperëndim të Sirisë.

Kjo ministri tha se ushtarët rusë do të përdorin aeroplanë pa ekuipazh për monitorimin e transportimit të tyre me 20 autobusë, të shoqëruar nga 10 autoambulanca, nëpër një korridor humanitar.

Nga zhvillimet e tjera lidhur me Alepon, duhet përmendur bisedën telefonike të presidentit të Iranit, Hassan Rohani, në të cilën ai e uroi presidentin e Sirisë, Bashar al-Assad, për fitoren kundër krynegritësve në betejën për qytetin Alepo. Këtë trimuf në Alepo, iranianët e festojnë si fitore kundër Shteteve të Bashkuara.

“Fitorja në Aleppo...paraqet trimuf të madh për popullin e Sirisë kundër terroristëve dhe atyre që i mbështesin ata”, i tha Rohani Assadit, gjatë bisedës së djeshme telefonike, informon faqja në Internet e presidencës iraniane.

Kjo thirrje telefonike u bë derisa pjesëtarët e linjës së fortë në Iran, fitoren në Alepo e shohin si triumf kundër Shteteve të Bashkuara, derisa parullat dhe mbishkrimet e kanë përfshirë kryeqytetin Teheran. Në to shkruan “luftimi kundër Shteteve të Bashkuara edhe njëherë ka dhënë rezultat dhe Alepo është çliruar”.

Presidenti Rohani tha se Irani do të vazhdoj ta mbështes regjimin e Assadit, derisa ai u ka shkaktuar disfatë të gjithë kundrshtarëve, disa prej të cilëve ishin mbështetur nga Shtetet e Bashkuara.

“Irani mbetet në anën e Sirisë deri në rënien përfundimtare të terroristëve”, tha Rohani.

Irani dhe Siria u referohen si “terroristë” grupeve kryengritësve, që janë bashkuar kundër regjimit të Sirisë, dhe atyre grupeve kryengritësve që mbështeten nga perëndimi.

Derisa ka uruar për fitoren në Alepo, zoti Rohani ka kërkuar nga Assadi që ta lejojë hyrjen e ndihmave humanitare për shtetasit në Alepo, duke ofruar ndihmë nëpërmjet gjysmëhënës së kuqe të Iranit.

Lideri sirian raportohet se është përgjigjur se Irani ka qëndruar “në anën e popullit dhe qeverisë së Sirisë në momentet më të vështira të tyre” dhe se kjo nuk do të harrohet kurrë.

Derisa Teherani dhe Damasku kanë festuar, zyrtarë të lartë të Kombeve të Bashkuara kanë thënë se Assadi dhe aleatët e tij me gjasë, kanë kryer krime të luftës, duke i vrarë qindra civilë në luftën e tyre brutale për ta rimarrë Alepon.

Komisionari i lartë i Kombeve të Bashkuara për të drejtat e njeriut, Rupert Colville, tha se bombardimet, me shumë gjasë, paraqesin “krime të luftës”.

“Mendoj se kur ju e shihni këtë lloj të intensitetit të bombardimeve, në një hapësirë të vogël të mbushur me mijëra e mijëra civilë, është gati e sigurt se kjo paraqet shkelje të së drejtës ndërkombëtare dhe me shumë gjasë përbën krime të luftës që janë kryer tash, pasi ju nuk mund t’i dalloni luftëtarët nga civilët, në këto rrethana, kur ata të gjthë gjenden shumë afër njëri-tjetrit së bashku”, tha Rupert Colville.

Ai tha se është obligim i qeverisë së Sirisë dhe aleatëve të vet që të lejojnë evakuimin e njerëzve.

Përgatiti: Fatmir Bujupi

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG