Ndërlidhjet

Mustafa: Po i marrim në qafë qytetarët për liberalizimin e vizave


Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa

Liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës do të rrezikohet seriozisht, nëse Kosova nuk do ta ratifikojë Marrëveshjen për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi gjatë këtij muaji, ka deklaruar kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa.

Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Mustafa tha se janë disa deputetë të partive në pushtet, bashkë me opozitën, që e kanë krijuar një qëndrim të gabueshëm në lidhje me shënjimin e vijës kufitare me Malin e Zi.

Radio Evropa e Lirë: Zoti kryeministër, pak ditë më parë ju realizuat një takim me homologun tuaj malazias. A është trajtuar aty çështja e demarkacionit të kufirit dhe cilat ishin rezultatet e këtij takimi?

Isa Mustafa: Takimi është iniciuar nga ne. Kemi pasur dëshirë të ulemi dhe të diskutojmë. Dëshira jonë ka qenë që ne të rikonfirmojmë edhe një herë vullnetin e fqinjësisë së mirë të Kosovës me Malin e Zi.

Është hapur edhe çështja e demarkacionit, sepse nuk është çështje që mund të kapërcehet, ngase kemi mbetur që ta ratifikojmë marrëveshjen me Malin e Zi. Të dy palët kemi konstatuar se puna e komisioneve është bërë me një përkushtim të madh dhe se ka pasur pajtueshmëri të plotë të punës së tyre. Mali i Zi ka shprehur vullnetin që të ndihmojë që sa i takon anës së tyre kjo çështje të kalojë. Nuk kemi pasur ndonjë marrëveshje konkrete se çfarë të bëhet më tutje. Por, themi se ka një pajtueshmëri të plotë të Malit të Zi, ku ata nuk e shohin fare problem në marrëdhëniet tona, të dy vendeve, mos-ratifikimin e deritanishëm dhe ne kemi konsideruar që kjo është çështje e brendshme e Kosovës dhe se ne duhet ta bëjmë punën tonë, në mënyrë që ajo çështje të kalojë në Kuvend.

Radio Evropa e Lirë: Për faktin që është një çështje e brendshme, a do të gjendet një zgjidhje për demarkacionin gjatë këtij muaji, në mënyrë që Kosova të mos e humb hapin e saj për liberalizimin e vizave gjatë vitit 2017?

Isa Mustafa: Mund të them që ne jemi në takime ditore me kryetarin e Kuvendit, i cili është partner i koalicionit, me presidentin e vendit, i cili po ashtu ka interesim dhe interes të madh që të punojë në këtë fushë, e po ashtu edhe me përfaqësuesit e Bashkimit Evropian dhe Ambasadës Amerikane që të gjejmë mënyrën dhe të punojmë.

Ka mbetur që të punojmë prapë edhe me deputetët tanë, edhe ata të koalicionit, edhe të opozitës, që të gjejmë një gjuhë të përbashkët dhe një zgjidhje për ta kaluar ligjin për ratifikim në Kuvend. Duhet të jemi të gjithë të vetëdijshëm se nëse këtë nuk e bëjmë tani, e them gjatë kësaj periudhe deri në fund të vitit, ose eventualisht në fillim të vitit të ardhshëm, ne do ta humbim hapin dhe do të ngecim në këtë proces.

Ua kemi borxh qytetarëve të Republikës së Kosovës, sidomos të rinjve,që t’u krijojmë kushte që ata ta shfrytëzojnë këtë liri të lëvizjes, ashtu siç e shfrytëzojnë të gjithë të tjerët.

Por, po ashtu ia kemi borxh vendit që ne të përcaktojmë kufirin ndërkombëtar të Kosovës me Malin e Zi, sepse është çështje e sovranitetit të vendit. Prandaj, këtë ne nganjëherë po e harrojmë dhe po e marrim vetëm si çështje të heqjes së vizave.

Radio Evropa e Lirë: Do t’ua drejtoni ndonjë ftesë partive opozitare që ta diskutoni këtë çështje?

Isa Mustafa: Po ne jemi ulur disa herë dhe kemi diskutuar. Janë shfrytëzuar kanale të ndryshme, qoftë edhe vizita të zyrtarëve të lartë të Bashkimit Evropian. Ishte së fundi edhe komisionari Hahn, e kishim një tryezë, ku u ulëm e biseduam. Kemi shfrytëzuar po ashtu edhe organizatat e shoqërisë civile, që përmes tyre të krijojmë tryezë. Por, ne kemi një situatë në të cilën opozita ngul këmbë në kauzën e tyre.

Unë dëshiroj vetëm të ripërsëris nevojën që ne ta bëjmë një përpjekje si vend, si shtet, si shoqëri, në mënyrë që ta gjejmë një zgjidhje, ta kapërcejmë këtë, sepse do ta marrim në qafë qytetarin e Republikës së Kosovës, por edhe do të tregojmë para opinionit ndërkombëtar se ne si vend nuk jemi përgjegjës që të marrim disa vendime të rëndësishme.

KOALICIONI MBIJETON EDHE PA LIBERALIZIMIN E VIZAVE

Radio Evropa e Lirë: Gjatë vizitës së fundit në Prishtinë, Komisioneri Hahn ka shprehur edhe habinë e tij se si një koalicion që ka mbi 80 vota në Kuvend nuk po arrin të ratifikojë demarkacionin. Ka probleme te koalicioni?

Isa Mustafa: Unë nuk shoh probleme ndërmjet partive të koalicionit, po flas në lidhje me PDK-në dhe LDK-në. Shoh probleme te disa deputetë të këtyre dy partive, të cilët më shumë mendojnë për interesat e tyre personale sesa të vendit.

Vet fakti që unë kam kërkuar që të bëhet matja e territorit - që të kemi edhe ekspertë të opozitës në këtë matje, të kemi edhe të shoqërisë civile, të institucioneve profesionale e shkencore dhe se kjo është kundërshtuar nga ata që e kanë lansuar tezën se Kosova po humb mbi 8 mijë hektarë - flet se ata nuk kanë argumente.

Po të kishin argumente do të thoshin urdhëroni mateni, po hyjmë edhe ne po masim me ju dhe po konstatojmë që Kosova në vend të 10 mijë e 906 kilometrave katrorë që i ka pasur si Krahinë (në kohën e ish-Jugosllavisë) dhe mbi të cilin territor ne e kemi shpallur pavarësinë, tani ka 80 kilometra katrorë më pak. Dhe, ajo do të ishte e qartë dhe unë në atë rast do ta merrja përgjegjësinë si kryeministër dhe do të thosha se është punuar gabimisht. Por, nuk e kanë shprehur këtë gatishmëri.

Fakti që disa ekspertë, shkencëtarë që po e quajnë vetën, dalin dhe thonë se nuk mund të bëhet kjo matje, sepse Kosova nuk i ka kufijtë, atëherë shtrohet pyetja në çfarë kufij ata konstatuan se Kosova i humbi 8 mijë hektarë, sepse nëse është bërë një matje në disa kufij në të cilët është konstatuar humbje, pse mos të bëhet matje në ata kufij për të konstatuar një gjendje reale.

Andaj, nuk ka probleme sa u përket qëndrimeve politike të koalicionit, por ka tek individët, por tani e kemi edhe problemin e Listës Serbe, e cila i ka 11 vota në Kuvend, pa të cilat ne nuk mund ta bëjmë demarkacionin, ngase nuk mund t’i arrijmë pa të (Listën Serbe) 80 vota në Kuvend.

Radio Evropa e Lirë: Me pak fjalë, konsideroni se ky koalicion do të mbijetojë edhe nëse nuk arrin të sigurojë lëvizjen e lirë, pa viza, për qytetarët e Kosovës?

Isa Mustafa: Mendoj që ky nuk ka qenë kusht i koalicionit. Është një prej detyrave shumë të rëndësishme, strategjike, por edhe përcaktimeve tona se ne gjatë kësaj periudhe do ta bëjmë këtë. Ky koalicion ka arritur të marrë rekomandimin për liberalizimin e vizave. Ky është rezultat shumë i madh dhe është konfirmim i punës së koalicionit, me vet faktin që në muajin maj Komisioni Evropian ka dhënë rekomandimin për liberalizim dhe ka konstatuar se ne prej 95 kritereve i kemi plotësuar 93.

Nga dy kriteret e mbetura (përveç demarkacionit), është edhe një kriter i lëvizshëm, pra ai i luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Ai nuk mund të matet në mënyrë statike, por është si trend të cilin ne duhet ta pasqyrojmë para Bashkimit Evropian se po e rrisim luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Dhe, na është thënë qartë që ky është kriteri i fundit që duhet ta plotësojmë që ne të mund të lëvizim lirshëm pa viza.

MURI NË MITROVICË ILEGAL – BE-JA TA REFORMOJË DIALOGUN

Radio Evropa e Lirë: Kryeministër Mustafa, nëse mund të kalojmë në një temë tjetër. Është bërë temë debati çështja e ndërtimit të një muri në veri të Mitrovicës. Si do të veproni në këtë rast si qeveri; do ta rrënoni apo ri-dizajnoni këtë mur?

Isa Mustafa: Tash unë mund të them që neve po na imponohen nganjëherë disa tema të cilat krejtësisht, në pikëpamje, të them të opinionit, po na qesin jashtë agjendës shtetërore, agjendës ditore të cilën e kemi ne.

Askush nga ne nuk ka llogaritur që neve tash do të na lind një muri në veri të Mitrovicës dhe tash i tërë opinioni publik do të drejtohet andej, në vend që të punojmë se çfarë të bëjmë me zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit, agjendën e reformave evropiane, çfarë të bëjmë me liberalizimin e vizave, me rritjen e zhvillimit ekonomik dhe uljen e papunësisë, çfarë të bëjmë për rritjen e cilësisë së arsimit dhe shëndetësisë.

Kështu që tani të gjitha këto tema po mbeten nën hije, të cilën serbët po na e imponojnë neve si temë dhe ne tani kemi filluar të grindemi mes vete se kush po jep qëndrime më të forta e më të buta sa i përket murit.

Qëndrimi im dhe i qeverisë është se ai mur është ilegal. Është mur jo ligjor. Është ndërtuar pa leje. Nuk ka qenë kurrë pjesë e projektit të ri-konstruktimit të urës mbi Ibër, e as të rregullimit të sheshit, sepse marrëveshja në Bruksel ka qenë që Bashkimi Evropian ta ri-konstruktoj urën dhe ajo nënkupton një rrethrrotullim në pjesën veriore dhe një në pjesën jugore dhe lëshimi i urës për automjete, për këmbësorë dhe biçikleta. Kurse pjesa e sipërme, do të thotë rruga “Kral Petar”, të shndërrohet në shëtitore. Por, kurrë aty nuk është paraparë që të ndërtohet një mur.

Muri është ndërtuar në mënyrë ilegale, joligjore, nuk ka projekt. Inspeksioni i Ministrisë së Mjedisit e ka shpallur atë jo ligjor. Ajo që mund ta them është se ai do të trajtohet sipas ligjit. Diçka që është jo ligjore nuk do të bëhet kurrë ligjore e as legale dhe do të merren masa.

Ne do të kërkojmë nga Bashkimi Evropian që ata të ushtrojnë ndikim që ta rrënojnë murin ata që e kanë ndërtuar, përndryshe ne do ta konsiderojmë atë gjithmonë jo ligjor dhe gjithmonë si objekt potencial për rrënim, i cili nuk mund të ekzistojë, sepse nuk mund të bartet një barrikadë nga ura në një rrugë që pengon pastaj lëvizjen e lirë të qytetarëve dhe sidomos sigurinë e atyre banorëve.

Radio Evropa e Lirë: Rivitalizimi i urës mbi Ibër ishte pjesë e negociatave të Brukselit. Ngjashëm, është edhe kodi telefonik, të cilin ITU ia ndau Kosovës. Ishte çështje diskutimesh nëse Kosovës i është ndarë kod telefonik shtetëror apo gjeografik...

Isa Mustafa: Tani unë mos ta them as shtetëror e as gjeografik, por e ka fituar kodin ndërkombëtar. Unë e kam lexuar vendimin dhe aty shkruan që Kosova e mori kodin ndërkombëtar. Kur merr kod ndërkombëtar, atë e merr si shtet dhe nuk e merr as si rajon e as si komponentë apo kuptim gjeografik, por e merr si shtet.

Me rëndësi është që Kosova tash e ka kodin e vet telefonik, i cili është kod ndërkombëtar. Kod ndërkombëtar nuk mund të marrë asnjë komunë, asnjë krahinë, asnjë regjion gjeografik ose regjion tjetër. Ajo që serbët dhe Serbia kanë pasur nevojë t’i krijojnë vetës është një mbulesë para opinionit të vet se ata tash nuk po e pranojnë sovranitetin dhe pavarësinë e Kosovës dhe është punë e tyre se si ata shprehen atje. Por, nëse lexohet vendimi i ITU-së, qartë aty shkruhet që Kosovës i është ndarë kodi ndërkombëtar telefonik 383. Kjo paraqet një të arritur të madhe, sepse tani ne jemi të pavarur edhe në këtë fushë.

Radio Evropa e Lirë: Te çështja e dialogut, konsideroni se ky dialog duhet të vazhdojë si i tillë apo duhet të kalojë në një stad, fazë tjetër, ku do të preken edhe çështjet bilaterale mes dyja vendeve?

Isa Mustafa: Mendoj që për Bashkimin Evropian, sinjal më të mirë - sesa ndërtimi i këtij muri nga ana e serbëve - të Beogradit nuk ka, që të sheh se mënyra se si është dialoguar deri më tani, rezultatet e këtij dialogu dhe implementimi i marrëveshjeve ka defekte shumë të mëdha.

Është e pakuptueshme që ne që gjashtë vjet zhvillojmë negociata në Bruksel me Serbinë për normalizimin e marrëdhënieve, ndërkaq një ditë na lind një mur i cili nuk është vetëm simbolikë, por është realitet i vullnetit të insistimit të Serbisë dhe të serbëve që ata të kenë ndarje në Kosovë.

Domosdo duhet të ri-formatohet apo reformohet dialogu dhe të shihet se çka mund të bëjmë ne, në mënyrë që të mos mbetemi ne - derisa Serbia ta kryen gjithë rrugën e vet të integrimit në Bashkimin Evropian - dhe të themi se po dialogojmë, kurse ata të mos e zbatojnë asnjë marrëveshje dhe gjithmonë të kenë shkak ose shkas ose arsye që të justifikojnë veprimtarinë dhe qëllimet e veta para BE-së.

Mendoj që duhet të ulemi tani seriozisht, duke marrë parasysh edhe këtë ngjarje të fundit, të bisedojmë dhe të shihet se cila është periudha në të cilën ne duhet të dialogojmë, cilat janë çështjet që duhet përfundimisht të përmbyllen në procesin e dialogut ndërmjet Serbisë dhe Kosovës.

Çështjet e strukturave paralele të cilat i mban Serbia ende në Kosovë - të aseteve të cilat i mban akoma të okupuara dhe i shfrytëzon në mënyrë ilegale - duhet të zgjidhen. Ato (strukturat e Serbisë) duhet të dalin nga territori i Kosovës. (REL)

  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG