Ndërlidhjet

KQZ: Të dhënat preliminare, Lladrovci kryetar i zgjedhur i Drenasit


Bazuar në të dhënat preliminare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ramiz Lladrovci, kandidat i Partisë Demokratike të Kosovës, i ka fituar zgjedhjet për kryetar të ri të komunës së Drenasit. Lladrovci ishte në garë balotazhi me konkurrentin e tij nga Nisma për Kosovën, Isa Xhemajlaj.

Të dhënat preliminare i ka bërë të ditura kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka, e cila ka thënë se në zgjedhjet për kryetar të Drenasit, kanë votuar 44. 32 për qind nga numri i përgjithshëm i qytetarëve me të drejtë vote.

“Partia Demokratike e Kosovës me kandidatin Ramiz Lladrovci ka 14 mijë e 242 vota apo 62. 69 për qind të votave. Partia Nisma për Kosovën me kandidatin Isa Xhemajlaj ka 8 mijë e 476 vota apo 37.31 për qind. Duhet të theksojmë se në rezultatt preliminare nuk janë përfshirë edhe votat me kusht, votat me postë dhe votat e personave me nevoja të veçanta”, ka theksuar Daka.

Ajo ka shtuar se rezultatet përfundimtare të Qendrës së Numërimit dhe Rezultateve do të bëhen të ditura pas procesit të shqyrtimit dhe verifikimit të materialit zgjedhor dhe numërimit të votave me kusht.

Përfundon procesi i votimit në Drenas

Të gjitha qendrat e votimit në Drenas, 28 sosh, ku të dielën është mbajtur rrethi i dytë i zgjedhjeve të parakohshme për kryetarin e ri të kësaj komune, janë mbyllur në orën 19:00, brenda kohës së paraparë, konfirmojën zyrtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Sipas, tyre, rezultatet e para të këtyre zgjedhjeve, pritet të bëhen publike para mesnatës,

Dy kandidatët për kryetar komune në zgjedhjet e parakohshme në Drenas, Ramiz Lladrovci i Partisë Demokratike të Kosovës, dhe Isa Xhemajlaj i Nismës për Kosovën, kanë garuar në balotazh për postin e të parit të komunës, pasi në rrethin e parë asnjëri kandidat nuk kishte arritur të marrë 50 për qind të votave të nevojshme.

Kryetarja e Komisionit Qendror Zgjedhor, Valdete Daka, ka theksuar se deri në orën 19: 00, kur janë mbyllur vendvotimet, kanë votuar mbi 45 për qind e numrit të qytetarëve me të drejtë vote.

“Dalja e votuesve në zgjedhje është 23 mijë e 861 votues apo 45.39 për qind të votuesve të përgjithshëm, duke mos i numëruar votat me kusht dhe votat e personave me nevoja të veçanta. Krahasuar me zgjedhjet e raundit të parë, me 4 dhjetor 2016, deri në të njëjtën kohë kanë votuar 21 mijë e 318 votues apo 40. 55 për qind e votuesve të përgjithshëm”, ka thënë Daka.

Ajo ka shtuar se deri më tash, procesi zgjedhor ka shkuar pa ndonjë parregullsi, e cila do ta cenonte integritetin e zgjedhjeve.

* * *

Gjatë ditës, zëdhënësi i Komisionit Qendror Zgjedhor, Valmir Elezi, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se procesi zgjedhor u po zhvillohet pa probleme dhe se deri në orën 15:00 kanë votuar mbi 29 për qind e numrit të qytetarëve me të drejtë vote.

Sipas të dhënave të dërguara në formë elektronike nga qendrat e votimit, numri i qytetarëve me të drejtë vote që kanë votuar deri në orën 15:00 ,është 15 mijë e 610 votues apo e shprehur në përqindje, 29. 69 për qind. Nëse i krahasojmë këto shifra me ato të raundit të parë të 4 dhjetorit, vërejmë se ka një dalje në votime më të lartë se deri në të njëjtën periudhë. Kujtoj se më 4 dhjetor deri në orën 15 patën votuar 27 për qind e qytetarëve me të drejtë vote”, ka thënë Elezi.

Qytetarët e komunës së Drenasit, që në orët e para të ditës mësynë vendvotimet për ta realizuar të drejtën e tyre të votës.

Shumica prej tyre thanë se presin që kryetari i ardhshëm i kësaj komune, cilido qoftë, të sjellë ndryshime pozitive në komunën e tyre, por kishte edhe qytetarë pesimistë se ndryshimet e tilla mund të ndodhin.

Nazmi Haxhiu, tha se kishte kryer obligimin e tij qytetarë për të votuar dhe pret ndryshime pozitive pas zgjedhjes së kryetarit të ri të komunës:

“Votimi është obligim. Normalisht, presim ndryshime, për më mirë. Besoj që ka me qenë më mirë se deri më tash, në përgjithësi, në administrimin e komunës, në ekonomi dhe në të gjitha”.

Sevdije Haxhiu, derisa po hynte në qendrën e votimit, tha se nuk ankohet për qeverisjen e deritashme komunale në Drenas, por pret që ajo të jetë edhe më e mirë pas zgjedhjeve të tashme për kryetar të komunës:

“Kemi dalë të votojmë. Presim që së pari zgjedhjet të shkojnë mirë. Mirë është, por presim edhe më mirë. Ndonëse edhe qeverisja e kaluar, kryetari, ka qeverisur mirë, por po presim që të jetë edhe më mirë”.

Qazim Muslia, tha se pret ndryshime pozitive pas zgjedhjes së kryetarit të ardhshëm të Drenasit. Kjo, sipas tij, është edhe arsyeja pse ka dalë të votojë.

Kam dalë, sepse pres ndryshime në këtë komunë. Janë shumë gjëra, të cilat është vështirë t’i numëroj, por ka shumë gjëra që duhet ndryshuar, duke filluar prej ekonomisë, ndërtimit, arsimit e të tjera”, tha ai.

Hida Hasi tha se pas zgjedhjes së kryetarit të ri të Drenasit, pret, që të paktën të ulet shkalla e papunësisë në këtë komunë:

“Tre djem i kam dhe burrin. Asnjëri nuk është i punësuar. Kemi dëshirë që të hapet diçka dhe të hyjnë në punë edhe djemtë e mi. Ja, vitet shkuan. I kanë bërë nga 30 e më shumë vjet dhe kanë mbetur në shtëpi”.

Hyd Hamza tha se kishte dalë vetëm ta kryejë obligimin qytetar, por nuk pret ndryshime pozitive pas zgjedhjeve:

Ndonjë sukses të parashikuar nuk pres, sepse kaluan shumë vjet dhe po janë gjithmonë të njëjtat fjalë dhe premtime, por punë nuk po ka. Është korrupsion i paparë, hajni e madhe, parregullsi dhe nuk presim diçka... vetëm se e ndjej si obligim, që jam shtetas i Kosovës, të votoj. Vetëm për këtë kam dalë”.

Në raundin e parë të këtyre zgjedhjeve të jashtëzakonshme, kanë garuar 6 kandidatët dhe numrin më të madh të votave e kanë fituar Ramiz Lladrovci nga PDK-ja dhe Isa Xhemajlaj nga Nisma për Kosovën.

Lista përfundimtare e votuesve e certifikuar nga KQZ-ja përmban 52 mijë e 569 emra të votuesve në këtë komunë, e cila ka 28 qendra votimi me gjithsej 72 vendvotime.

Zgjedhjet në Drenas kanë pasuar dorëheqjen e kryetarit Nexhat Demaku, pasi gjykata e kishte shpallur atë fajtor për krime lufte. Ai është dënuar me 3 vjet burgim, në gjykimin njohur si ”Drenica 1 dhe 2”.

Në rastin “Drenica”, janë gjykuar disa nga ish-komandantët e UÇK-së, të cilët bartnin funksione publike, qoftë deputetë apo edhe kryetar komunash, si Sylejman Selimi, Sami Lushtaku, Fadil Demaku, Nexhat Demaku e të tjerë.(REL)

  • 16x9 Image

    Bekim Bislimi

    Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG