Ndërlidhjet

Kuvendi miraton rekomandimet e PDK-LDK, nuk kalon Rezoluta e opozitës


Vazhdojnë protestat "drejtësi për Astritin"
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:01:07 0:00

Shoqëria civile në Kosovë, ka vazhduar protestat në kërkim të drejtësisë për Astrit Deharin, i cili u gjet i vdekur në paraburgim më 5 nëntor.

Kuvendi i Kosovës ka miratuar rekomandimet e Partisë Demokratike dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, të paraqitura në fund të seancës së jashtëzakonshme për rastin Dehari, me një shumicë të thjeshtë votash prej 49 deputetësh dhe me abstenimin e 13 deputetëve në sallë.

Në rekomandimet e paraqitura nga PDK dhe LDK që përmbajnë tri pika, thuhet se “rasti i vdekjes së Astrit Deharit duhet të zbardhet në mënyrë të drejtë dhe transparente”, që ky rast “të mos lejohet të politizohet” dhe “nëse familja kërkon hetim të vdekjes së Astrit Deharit jashtë vendit, atëherë Qeveria e Kosovës duhet t’ia mundësojë këtë duke hequr edhe shpenzimet”.

Kuvendi votoi për dy dokumente të ndryshme: rekomandimet e partive në pushtet dhe një Rezolutë të paraqitur nga partitë opozitare. Rezoluta u cilësua si një kërkesë e organizatave joqeveritare që kanë organizuar edhe një peticion të dorëzuar në Kuvendin e Kosovës, pak ditë më parë.

Kjo Rezolutë, që mori më pak vota sesa rekomandimet e PDK-LDK-së, parashihte “hetim të pavarur dhe transparent për rastin Dehari, dorëheqjen e dy ministrave, atij të Punëve te Brendshme dhe të Drejtësisë, si dhe përgjegjësi nga zyrtarët që dështuan të garantojnë siguri në burgun e Prizrenit”.

Seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit të Kosovës për rastin e vdekjes në burgun e Prizrenit, në muajin nëntor, të aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari, është përshkruar me akuza dhe kundër akuza ndërmjet deputetëve të partive në pushtet dhe opozitë.

Seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit është mbajtur me kërkesën e deputetëve të Partisë Demokratike të Kosovës, që ka theksuar se po e mbështet atë, si dhe pas peticionit të organizuar nga shoqëria civile, me nënshkrimin e mijëra qytetarëve të Kosovës.

Ministrja e Drejtësisë në Qeverinë e Kosovës, Dhurata Hoxha, tha se lidhur me rastin që në fillim janë ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme.

Ajo ka shprehur shqetësimin se ka tendenca për të paragjykuar rastin dhe rezultatet e hetimeve.

Ministrja u tha ligjbërësve dhe qytetarëve që të besojnë në sistemin e drejtësisë. Pavarësia e Prokurorisë është një nder shtyllat e sundimit të ligjit, tha ministrja Hoxha, duke shtuar se duhet lënë që ata ta bëjnë punën e tyre.

"Le të mbetet në përgjegjësinë politike e profesionale dhe ndërgjegjen njerëzore të të gjithë atyre që në çfarëdo forme kanë tentuar dhe po tentojnë të keqpërdorin dhe përfitojnë në çfarëdo forme nga kjo tragjedi. Ne jemi të interesuar që ky rast të zbardhet deri në fund, edhe nëse kjo nënkupton edhe ekspertizë tjetër ndërkombëtare", tha Hoxha.

Seanca e Kuvendit pason debatet e ashpra ndërmjet shumicës dhe opozitës dhe dyshimeve të ngritura për mënyrën e vdekjes së Astrit Deharit.

Shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, tha se seanca e sotme është ‘rrëmbyer’ nga pushteti. Kjo, sipas tij, bëhet për të shmangur peticionin e mbledhur nga shoqëria civile, me të cilin “kërkohet dhe adresohet përgjegjësia dhe dorëheqja e dy ministrave”.

"Vrasësin për Astritin mund ta identifikojmë lehtë, pasi që Astriti ndodhej në institucion. Astriti vdiq jo nga shteti, por nga mungesa e shtetit", tha Konjufca.

Shefi i Grupit parlamentar të PDK-së, Zenun Pajaziti, tha se megjithëse “deputetët e PDK-së e përkrahin një debat të këtillë”, sipas tij, “ai nuk do të duhej të zhvillohej, pasi që me rastin është marrë drejtësia”.

Pajaziti u bëri thirrje organeve të drejtësisë që të vazhdojnë hetimet dhe rasti të qartësohet deri në fund.

"Ne duam të gjithë vetëm drejtësi. Nëse e arrijmë këtë qëllim, kjo për qytetarët e Kosovës do të thotë se ne jemi duke punuar së bashku për të sqaruar një nga rasatet me të vështira të kësaj natyre", tha Pajaziti.

Kërkesa për një seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës për rastin Dehari qe shtruar nga vetë subjekti opozitar Lëvizja Vetëvendosje, por pas tërheqjes se një nënshkrimi të një deputeti të PDK-së, nga 40 të tjera sa ishin mbledhur fillimisht, ajo nuk arriti të mbahej.

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Ismet Beqiri, ndërkaq, tha se askush nga deputetët “nuk duhet ta marrë rolin e gjykatësit”.

Ai tha se “organet kompetente të drejtësisë kanë dhe duhet të kenë besimin e qytetarëve”. Beqiri akuzoi Vetëvendosjen se po e keqpërdor rastin Dehari për, siç tha, “përfitime politike”.

"Në asnjë rrethanë nuk guxojmë dhe nuk duhet politizuar rasti i vdekjes së të riut Dehari. Në asnjë rrethanë nuk duhet linçuar, gjykuar dhe aktgjykuar ndaj atyre dhe individëve, nga kushdo qoftë, nga cilido subjekt politik.... kjo është totalisht e papranueshme se si është bërë në momente të caktuara nga subjekti Vetëvendosje", tha Beqiri.

Sipas një raporti të autopsisë, që është bërë publik nga autoritetet, “Dehari ka bërë vetëvrasje dhe vdekja e tij është shkaktuar nga asfiksia”.

Por, me raportin nuk u pajtua Lëvizja Vetëvendosje dhe njëkohësisht as edhe familja e të ndjerit, të cilët e kanë vlerësuar atë “të pabesueshëm”.

Një vlerësim i fundit i një grupi të ekspertëve të jashtëm, ka ardhur në përfundimin e “vdekjes së dhunshme të Deharit në burg”.

Seanca e Kuvendit të Kosovës po zhvillohet përkundër kundërshtimeve të Vetëvendosjes, dhe njëkohësisht edhe me një protestë të një grupi qytetarësh që u mblodh përpara Kuvendit, të martën, për të kërkuar, siç thonë, 'drejtësi për vdekjen e Astrit Deharit'. (REL)

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG