Ndërlidhjet

Rusia i jep lamtumirën ambasadorit të vrarë në Ankara


Ambasadori rus që është vrarë në Turqi, gjatë kësaj jave do të varroset në një ceremoni që organizohet për heronj në Rusi.

Zyrtarët e lartë të shtetit kanë bërë nderime pranë arkivolit të hapur me trupin e ambasadorit Andrei Karlov në një ceremoni që është mbajtur në ndërtesën e Ministrisë së Jashtme në Moskë, ndërsa aty të pranishëm kanë qenë edhe të afërmit e diplomatit të vrarë.

Presidenti rus, Vladimir Putin ka vendosur lule pranë arkivolit ndërsa më pas ka biseduar edhe me të afërmit e Karlovit.

Ministri i jashtëm rus, Sergei Lavrov ndërkaq iu dorëzoj atyre medalen “Hero i Rusisë”.

Më 21 dhjetor, presidenti rus, Vladimir Putin e ka nënshkruar një dekret përmes së cilës e deklaron Andrei Karlov si “Hero të Rusisë”.

"Andrei gjithmonë e ka dashur jetën, e ka dashur punën e tij dhe ka qenë i përkushtuar ndaj saj”, ka thënë Lavrov.

“Pa e ekzagjeruar, puna ka qenë epiqendra e jetës së tij, krahas familjes”, ka thënë më tej kryediplomati rus.

Para varrimit, trupi i Karlovit më pas do të dërgohet në Katedralen e “Krishtit Shpëtimtar”, afër Kremlinit, ndërsa Patriku ortodoks Kirill, do e udhëheqë shërbimin e funeralit.

Diplomati i karrierës është qëlluar për vdekje derisa ishte duke folur në një galeri arti në Ankara, më 19 dhjetor nga një person i cili më pas thirri “Mos e harroni Alepon” dhe deklarime të tjera që dukej se i referoheshin përfshirjes ruse në luftën civile në Siri.

Autoritetet turke thanë se vrasësi i Karlovit është Mevlut Mert Altintash, polic 22 vjeçar i cili nuk ka qenë në detyrë në kohën kur e ka kryer vrasjen.

Zyrtarët rusë dhe ata turq kanë thënë publikisht se vrasja është përpjekje për dëmtimin e marrëdhënieve në mes të dy vendeve, të cilat janë përmirësuar dukshëm së fundi. Këto marrëdhënie u dëmtuan rëndë kur Turqia e rrëzoi një aeroplan luftarak rus në kufirin në mes të Sirisë dhe Turqisë, në nëntorin e vitit 2015.

Rusia dhe Turqia përkrahin palë të ndryshme në luftën civile të Sirisë, pasi Moska e përkrahë regjimin e presidentit sirian, Bashar al Assad, ndërsa Turqia përkrahë rebelët që duan largimin e tij nga pushteti.

Mirëpo, Moska dhe Ankaraja e kanë arritur një marrëveshje armëpushimi që ka mundësuar evakuimin e civilëve nga pjesa lindore e qytetit sirian, Alepo, aty ku forcat qeveritare e kanë marrë nën kontroll territorin e kontrolluar nga rebelët prej vitit 2012. Kjo u bë përmes një ofensive shkatërruese me ndihmën e Rusisë dhe Iranit.

Akuzat për Krime Lufte

Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry më 15 dhjetor e ka akuzuar Assadin për kryerjen e “asnjë gjëje më pak se masakrës” në Alepo dhe se “vrasjet dhe vuajtjet në Siri mund të ndalojnë… shumë, shumë shpejtë nëse Rusia dhe regjimi (sirian) marrin vendim për këtë”.

Gjithashtu, gjatë javës së kaluar, katër organizata siriane e kanë akuzuar Rusinë për përfshirje në krime lufte në Siri, duke thënë se sulmet ajrore ruse në Alepo kanë vrarë 1207 civilë.

Krahas Iranit, Rusia dhe Turqia tani thonë se ato janë duke diskutuar për një armëpushim më të gjërë dhe një marrëveshje paqeje për Sirinë, përpjekje kjo që shihet me skepticizëm në SHBA. Kjo e fundit e udhëheqë një koalicion që ka cak militantët e Shtetit Islamik në Siri derisa Uashingtoni e ka akuzuar Rusinë se nuk ka respektuar armëpushimet e arritura më parë.

Putini ka thënë se vrasja e Karlovit është “dukshëm provokim i disenjuar për të dëmtuar normalizimin e marrëdhënieve ruso-turke, dhe për të dëmtuar procesin e paqës në Siri që po promovohet në mënyrë aktive nga Rusia, Turqia, Irani dhe shtete të tjera”.

Presidenti turk, Rexhep Tajip Erdogan, gjithashtu ka thënë se vrasja ka pasur cak minimin e lidhjeve të përmirësuara në mes të Turqisë dhe Rusisë.

Erdogani dhe zyrtarë të tjerë turq kanë hedhur fajin te kleriku turk që jeton në SHBA, Fetullah Gylen, duke thënë se ai qëndron prapa vrasjes së ambasadorit.

Turqia ka kërkuar nga Uashingtoni ta ekstradojë Gylenin, të cilin Erdogan gjithashtu e fajëson edhe për grusht shtetin e dështuar të muajit korrik.

Mirëpo, SHBA-të thonë se Turqia duhet të prezantojë dëshmi të pamohueshme për përfshirjen e tij në puç. (REL)

Përgatiti: Artan Haraçia

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG