Ndërlidhjet

Kuvendi e miraton Rezolutën për murin, Rakiq e cilëson "vendim politik”


Kryetari i Mitrovicës së veriut, Goran Rakiq, e ka cilësuar Rezolutën e Kuvendit të Kosovës për murin në Mitrovicë si “vendim me karakter të pastër politik”.

Në një kumtesë të publikuar gjatë ditës së enjte, Rakiq tha se më këtë vendim “Prishtina dëshiron të tërheqë vëmendjen e opinionit publik pas paralajëmrimeve se serbët e Kosovës do të nisin me vetiniciativë krijimin e Asociacionit të komunave serbe, meqë Prishtina këtë nuk do që ta bëjë, pavarësisht obligimeve të marra me Marrëveshjen në Bruksel”.

“Procesi i revitalizimit të urës kryesore, rrethrrotullimit dhe zonës së këmbësorëve është dakorduar në takimin trepalësh”, thuhet në kumtesën e kryetarit të Mitrovicës së veriut.

Punimet në “ridisenjimin” e murit të ndërtuar në afërsi të urës mbi lumin Ibër, të paralajmëruar nga Rakiq para disa javësh, kanë vazhduar të enjten dhe sipas njoftimit muri do të “shkurtohet” në një lartësi të caktuar.

Kuvendi miraton Rezolutën për heqjen e murit

Kuvendi i Kosovës ka miratuar me shumicën prej 74 votash Rezolutën e paraqitur nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës për çështjen e murit të ndërtuar në pjesën veriore të Mitrovicës.

Deputetët e Kuvendit, të te gjitha partive politike, kanë kërkuar përmes miratimit të Rezolutës rrënimin e murit që në janar të vitit 2017.

Rezoluta në Kuvendin e Kosovës u paraqit nga shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj, i cili tha se “projekt-rezoluta është përkrahur edhe nga grupet tjera parlamentare të Kuvendit të Kosovës”.

"Të rrënohet muri ilegal në pjesën veriore të Mitrovicës, kjo të ndodh brenda muajit janar të vitit 2017. Qeveria e Kosovës të angazhohet që organet kompetente për trajtimin e ndërtimeve pa leje, t’i ndërmarrin të gjitha veprimet ligjore për murin që është në ndërtim e sipër në pjesën e urës se Ibrit. I njëjti të trajtohet si veprim politik dhe ndërtim pa leje”.

"Në projekt rezolutë veç tjerash thuhet se Qeveria e Kosovës duhet të merr masa të nevojshme që të mos ndryshohet ura e Ibrit dhe e njëjta t’i përmbajë të gjitha elementet që kishte pa vitit 1999 dhe jo t’i shtohen elemente tjera ilegale, siç është muri dhe shkallët".

"Të bëhet e mundur që sa më shpejtë qytetarët të kthehen në pronat e tyre në të dy pjesët e qytetit të Mitrovicës”, ka thënë Lekaj.

Projekt-rezoluta u paraqit afro një javë më parë në Kuvendin e Kosovës, por ajo u kërkua që të ndryshohet dhe të plotësohet dhe prandaj edhe u fut në rend të ditës në ditët e fundit të vitit 2016.

Nga rezoluta janë tërhequr dy pika, që kanë të bëjnë me shkarkimin e ministres për Dialog, Edita Tahiri, dhe ndërprerja e bisedimeve me Serbinë, që ishin diskutuar të premten e kaluar deri në orët e vona të mes natës.

Fillimisht, disa deputetë në Kuvend kanë kërkuar në debat që edhe një herë të riformulohet projekt rezolut, duke saktësuar subjektin që i drejtohet ajo dhe për cilën mur bëhet fjalë.

Shefi i Grupit parlamentar të PDK-së, Zenun Pajaziti, ka thënë se mesazhi i rezolutës është i qartë dhe që Qeveria e Kosovës duhet të rrënojë murin në Mitrovicë.

“Kjo rezolutë duhet të kalojë kështu siç është nënshkruar, e ka mesazhin e plotë. Por, besoj se qeveria dhe të gjitha institucionet që kanë përgjegjësi, edhe pa u nxjerrë kjo rezolutë mund të veprojnë që ai mur të hiqet sa më shpejtë. Jam i sigurt që mesazhi ka shkruar në drejtimin e duhur, por ne do të bëjmë edhe rezolutën”, ka thënë Pajaziti.

Deputeti tjetër nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Sadri Ferati është shprehur se muri duhet të rrënohet sepse është jo legal dhe i papranueshëm.

“Çdo herë kur institucionet e Republikës së Kosovës janë akterë edhe në të ardhmen nuk duhet të dyshohet se nuk duhet kurrë të ndodh pajtueshmëria rreth murit. Prandaj, muri duhet të rrënohet sepse nuk është legal dhe është i papranueshëm”, shprehet Ferati.

Duke u pajtuar me qëllimin e rezolutës Rexhep Selimi, deputetë nga Lëvizja Vetëvendosje, ka thënë se duhet të qartësohet në rezolutë se cili subjekt duhet të merr masa ndaj këtij muri.

"Përveç që duhet të gjendet subjekti se kush duhet të bëjë, duhet të përcaktohet se për cilin mur bëhet fjalë, sepse këtu thuhet muri ilegal në pjesën veriore të Mitrovicës, sepse ka shumë mure ilegale në pjesën veriore të Mitrovicës. Jo pse ne nuk e dimë se për cilin mur bëhet fjalë, por pse mos të saktësohet".

Në anën tjetër, deputeti nga Nisma Për Kosovën, Zafir Berisha, ka thënë se autoritetet kompetente është dashur të veprojnë edhe pa miratimin e kësaj rezolute, sepse thotë ai ndërtimi i murit është ilegal.

"Pse duhet të kemi një rezolutë, për diçka që është ilegale. Por, meqë ky Parlament nuk ka përmbushur as 30 për qind të objektivave të veta, ne do të vazhdojmë të bëjmë debate shtërpe pa mbulesë dhe të arsyetojmë pse ekziston ky Parlament", ka thënë Berisha.

Muri në pjesën veriore të qytetit të Mitrovicës ka filluar të ndërtohet në fillim të këtij muaji, duke ngjallur reagimin edhe të qytetarëve edhe të politikës.​ (REL)

  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

XS
SM
MD
LG