Ndërlidhjet

Aktakuzat ndaj mjekëve, e “vranë” besimin e pacientëve në sistemin shëndetësor


Viti 2016, për sistemin shëndetësor në Kosovë, ka qenë me shumë sfida, duke u nisur nga mungesa e vazhdueshme e barnave nga lista esenciale, e deri te ngritja e aktakuzës ndaj 63 punonjësve shëndetësorë.

Kjo e fundit ka bërë që, përveç vështirësive që ka sjellë në punë, të humbet edhe besimi i qytetarëve në sistemin shëndetësor.

Aktakuza e ngritur nga Kryeprokurori i Shtetit, për siç thuhet, shpërdorim të detyrës dhe fondeve për pacientët, që dërgoheshin për shërim jashtë institucioneve të shëndetit publik, më saktësisht e ka detyruar një ministër të Qeverisë së Kosovës të japë dorëheqje, ndërkohë që ka implikuar edhe 63 punonjës shëndetësorë.

Por, ministri i Shëndetësisë në Qeverinë e Kosovës, Imet Rrahmani, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë ka thënë se duhet sa më shpejt të qartësohet se kush është fajtor e kush jo, në mënyrë që të mos dëmtohet imazhi i mjekëve dhe raporti mjek - pacient.

“Çdo aktakuzë nuk krijon klimë pozitive në funksionimin e sistemit, e sidomos në raportin mes mjekut dhe pacientit. Qëndrimi ynë si ministri dhe i imi si ministër, është që ata që janë fajtorë, të dënohen, e ata që janë të pafajshëm të lirohen dhe të mos jetë kjo një lloj etikete për gjithë punëtorët shëndetësorë, pasi raportet mjek pacientë janë dëmtuar”.

“Ka shumë shembuj nëpër botë, me plot lëndë të mjekëve në gjykata, por zakonisht shumica dërmuese e këtyre lëndëve përfundojnë në dobi të profesionistëve shëndetësorë, në mungesë baze”, ka thënë Rrahmani.

Ndërkohë, kryetari i Sindikatës së Shëndetësisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, Xhemajl Selmani, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se ngritja e aktakuzës ndaj punonjësve shëndetësorë, përpos që ka ndikuar në rrjedhën e punës në gjithë sistemin, ka ndikuar negativisht edhe te qytetarët, duke humbur besimin në shëndetësinë kosovare.

“Aktakuzat ndaj mjekëve Kanë ndikuar shumë, duke ditur që Kardiologjia është njëra nga shtyllat kryesore të shëndetësisë. Interesimi për ta denigruar këtë sistem kaq rëndë, vjen nga persona të caktuara për interesa personale , sepse i kanë përfitimet e veta, sidomos me sistemin privat”.

“Uroj që të kthjellen disa struktura të pushtetit që më në fund të heqin nga agjendat e veta të mbrapshta shëndetësinë, sepse aty punohet. Nuk po them që nuk ka parregullsi, por të ndëshkohen individë pa u cenuar tërë sistemi shëndetësor, i cili aktualisht është shumë i dëmtuar”, ka thënë Xhemajli.

Por, çështjet që kanë të bëjnë me korrupsionin dhe kriminalitetin në përgjithësi, megjithatë mund të trajtohen vetëm nga ana e organeve të drejtësisë. Udhëheqësi i Organizatës Botërore të Shëndetësisë në Kosovë, Skënder Syla, ka theksuar se aktakuzat e ngritura, do të duhej të trajtoheshin nga këto organe.

“Ne rekomandojmë të ketë një sistem transparent, llogaridhënës dhe luftimin e çfarëdo interesi individual. Kjo ndikon gjithsesi në humbjen e besimit të qytetarëve në sistemit shëndetësor apo edhe ndaj profesionit të shenjtë siç është ai i mjekut”.

“Secili prej nesh kur kemi diplomuar, kemi dhënë një betim të Hipokratit për të punuar me nder dhe për t’i dhënë ndihmën secilit, pa kurrfarë interesi material. Andaj, ngritja e aktakuzave ka ndikuar negativisht gjithsesi sidomos në imazhin e sistemit shëndetësor, por edhe humbjen e besimit”, ka deklaruar Syla.

Ndërkaq, deputetja Time Kadriaj nga Komisioni për shëndetësi në Kuvendin e Kosovës, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se sistemi shëndetësorë këtë vit është ballafaquar me problem të mëdha.

“Sistemi shëndetësor këtë vit është ballafaquar me probleme të shumta, ndër to edhe aferat dhe aktgjykimet dhe ngritja e akuzave ndaj shumë zyrtarëve shëndetësorë, ndonëse asnjë nuk është përfunduar, dhe kjo ka bërë që të humbet besimi, si te qyfterët, po ashtu edhe te punonjësit shëndetësorë, e që punojnë në kushte të vështira”.

“Unë jam që çdo veprim antiligjor të dënohet, por jo të bëhet bujë mediatike, duke u ngritur aktakuzë dhe më pas të zvarritet me vite aktakuza. Kjo dëmton rëndë sistemin shëndetësor”, ka theksuar ajo.

Si pasojë, shton deputetja Kadriaj, janë qytetarët ata që pësojnë.

Por, ministri Imet Rrahmani ka potencuar në anën tjetër, se këto aktakuza nuk shihen si politike, ndonëse mjekët mendojnë se është një kampanjë kundër punëtorëve shëndetësorë.

Sipas tij, duhet argumentuar fajësinë ose pafajësinë e secilit me emër e mbiemër, dhe të ecet tutje me mëtimin për përmirësimin e shërbimeve dhe sistemit shëndetësor në përgjithësi. (REL)

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG