Ndërlidhjet

Në kërkim të formulës për themelimin e Ushtrisë së Kosovës


Përfaqësuesit politik në Kosovë dhe njohësit e rrethanave të sigurisë, thanë të hënën se zhvillimet e fundit në veri të vendit dhe në rajon tregojnë se Kosova ka nevojë për ushtrinë e saj.

Deputeti Daut Haradinaj, kryetar i Komisionit Parlamentar për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrje të FSK-së nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, i tha Radios Evropa e Lirë se mungesa e ushtrisë së Kosovës, është evidente jo vetëm në rastin e ‘trenit’.

"Ne duhet të veprojmë, sepse zhvillimet në rajon po e kërkojnë ose është bërë urgjencë themelimi i forcave të rregullta ose ushtrisë", tha Haradinaj.

Edhe zëvendëskryetarja e parë e Komisionit Komisioni për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës, Ganimete Musliu nga Partia Demokratike e Kosovës, tha se institucionet janë duke punuar që në një të ardhme të afërt të merret një vendim i drejtë për transformimin e FSK-së në Forca të Armatosura.

"Ne e dimë se një shtet pa ushtri nuk mund të quhet shtet i kompletuar. Ne do të jemi në krye të detyrës në çdo moment pa dallime partiake. Thjesht do të jemi bashkë pozitë dhe opozitë në çështje të ndjeshme siç është Forca e Armatosur e Kosovës", tha Musliu.

Një tren me ikonografi nacionaliste u nis të shtunën nga Beogradi për në Mitrovicën e veriut, duke shkaktuar reagime të fuqishme në Kosovë.

Qeveria në Prishtinë mori vendim që të mos e lejojë hyrjen e tij në Kosovë, ndërkohë që autoritetet serbe thanë se e kthyen trenin prapa për të “shmangur” siç thanë “gjakderdhjen”.

Por, presidenti serb Tomisllav Nikoliq, tha se Serbia është “e gatshme të dërgojë trupa në Kosovë për të mbrojtur shtetasit serbë, nëse kjo është e nevojshme”.

Ndërkohë, njohës të çështjeve të sigurisë në Kosovë mendojnë se , duhet të gjenden mundësi që Kosova brenda vitit ta ketë ushtrinë e saj.

Ramadan Qehaja, thotë se nuk duhet të ketë vonesa të tjera meqë, siç tha, mungesa e ushtrisë së Kosovës është e dukshme.

"Mungesa është e dukshme, nuk e kemi ushtrinë si të tillë me Forcën e Armatosur të Kosovës. Domosdo duhet bërë ndryshime, nëse jo ato esenciale, që kanë të bëjnë me ndryshimet Kushtetuese, por me ndryshimet e ligjeve. Unë ashtu mendoj me planin 'B' fuqizohen ligjet që kanë të bëjnë më FSK-në, e cila si e tillë do të mbetet me emrin, por do të bëhej një avancim i detyrave ushtarake", tha Qehaja.

Për me tepër, përfaqësuesit politik dhe analistët në Kosovë, thonë se tendenca e Rusisë përmes Serbisë që të ketë ndikim në Kosovë, duhet t'i përshpejtojë procedurat për formimin e ushtrisë, tha deputeti Haradinaj.

"Tendencat nuk janë të sotme ato janë edhe të më hershme edhe sidomos me këtë rastin e trenit rus siç po quhet. Por, populli i Kosovës është pro perëndimor dhe si i tillë ka një aleancë të shkëlqyeshme me Shtete e Bashkuar dhe Bashkimin Evropian", tha Haradinaj.

Krijimi i Forcave të Armatosura të Kosovës është paraparë që prej më shumë se dy vjetësh, por ajo nuk mund të krijohet pa ndryshimet Kushtetuese që kërkojnë mbështetjen e dy të tretave të deputetëve të bashkësive pakicë. Deputetët serbë ndërkaq kanë më shumë se katër muaj që po i bojkotojnë institucionet e vendit.

Ndëkohë, formimi i Forcave të Armatosura të Kosovës pritet të prezantohet në Kuvend nga Qeveria, nëpërmjet projektligjit që përcakton ndryshimet e nevojshme ligjore, të cilat do të diktojnë edhe nevojën e ndryshimeve Kushtetuese.

Forcat e Armatosura, vlerësojnë zyrtarët e Qeverisë së Kosovës, mund të themelohen nën mbikëqyrjen e NATO-s, me numër të caktuar ushtarësh dhe me armatim dhe pajisje të përcaktuara në marrëveshje me NATO-n. (REL)

  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

XS
SM
MD
LG