Ndërlidhjet

Marshi i Grave kundër Trumpit u mbajt në të gjithë botën

  • RFE /RL

Prishtinë

Qindra mijëra protestues dolën në rrugë, nëpër qytetet në të gjithë botën më 21 janar, për të treguar solidaritet me protestën në Washington, e quajtur "Marshi i grave", kundër presidentit të sapo-inauguruar të SHBA-së, Donald Trump.

Në demonstratën kryesore në Washington, turma të mëdha të grave dhe burrave kanë shkuar në vendin ku mbahej marshi me autobusë, trena dhe vetura nga i gjithë vendi.

Shumë marshues kanë pasur të veshur kapela në ngjyrë rozë të hapur gjatë marshimit.

Një nga folëset para turmës tha se në marshin në kryeqytetin amerikan janë mbledhur gjysmë milioni njerëz, ndonëse kjo shifër nuk është konfirmuar nga burime të pavarura.

Agjencia e lajmeve Associated Press raporton se në fillim të protestës në Washington, turma e kishte mbushur në tërësi rrugën e marshimit, duke iu pamundësuar organizatorëve që të udhëhiqnin turmën drejt Shtëpisë së Bardhë.

Dhe, derisa protestuesit kanë marshuar, Trump e ka nisur ditën e parë si president duke marrë pjesë në një shërbim fetar në Katedralen Kombëtare të Washingtonit.

Rrugës për në Shtëpinë e Bardhë, eskorta e tij është dashur të kalojë pranë turmës së madhe të njerëzve që protestonin kundër tij.

Regjisori i filmave dokumentar, Michael Moore, është shprehur i mahnitur me turmën e mbledhur.

Moore, gjatë fjalimit të tij, iu ka kërkuar demonstruesve që t’iu telefonojnë çdo ditë përfaqësuesve të tyre në Kongres si pjesë e “një rutine ditore”.

Aktivistja feministe, Gloria Steinem, ka paralajmëruar demonstruesit për mundësinë e nisjes së konflikti të ri të armatosur nën udhëheqjen e Donald Trumpit si president.

Steinem, gjithashtu ka përmendur mesazhet nga marshet e ngjashme që janë mbajtur në Gjermani duke thënë se demonstruesit kanë dërguar porosi: “Ne në Berlin e dimë se muret nuk funksionojnë”, një referencë kjo e Murit të Berlinit gjatë kohës së Luftës së Ftohtë dhe zotimit të Trumpit gjatë fushatës për ndërtimin e një muri përgjatë kufirit jugor amerikan më Meksikën.

Banorja e Washingtonit dhe pjesëmarrësja e marshit, Sheil Tolbert, i ka thënë Radios Evropa e Lirë më 21 janar se “gratë nuk do të tërhiqen. Prandaj jemi këtu”.

"Kjo lëvizje e grave ngrihet kundër fashizmit dhe ka edhe diçka tjetër pozitive, që është lufta e grave kundër kësaj qeverie që sulmon të drejtat tona. Ne e shohim të ardhmen si të ardhme të luftës, të rezistencës, një e ardhme e luftës kundër imperializmit dhe kundër maçizmit dhe patriarkisë”, ka deklaruar marshuesja Natalia Saralegui, në Buenos Aires të Argjentinës.

"Në fakt, Amerika është themeluar me parime franceze, pra kombinimi i barazisë dhe vëllazërisë dhe shpresoj që kjo do të ndodhë. Është një fund tejet i keq, sepse politikat e presidentit Trump janë kaq ekstreme, që do t'i nxisë ata që kanë qenë të qetë, që të ngrihen nga ulëset e tyre dhe të bëjnë diçka”, thotë shtetasja amerikane Betsey Yetter, e cila jeton në Paris, ku edhe ka marrë pjesë në marshin e grave.

Turma e marshuesve që kanë shkuar në kryeqytetin amerikan, e ka bllokuar transportin publik, pasi vetëm deri një orë para nisjes së protestës, 275 mijë njerëz e kanë përdorur atë.

Kjo shifër është për 82 mijë veta më shumë se sa një ditë më herët, kur Donald Trump u inaugurua si president dhe tetë herë më shumë se sa një të shtunë normale.

Organizatorët e marshit fillimisht kanë thënë se presin që 200 mijë njerëz të marrin pjesë në protestën, që ka filluar në orën 16 sipas kohës së Kosovës, dhe se në marshet në të gjithë botën do të ketë mbi 2 milionë njerëz.

Ata kanë thënë se duan që zëri i tyre të dëgjohet nga administrata e Trumpit në ditën e parë të punës.

Marshi i grave në Uashington do të dërgojë një mesazh të fuqishëm qeverisë sonë të re në ditën e parë të punës dhe tërë botës se të drejtat e grave janë të drejta të njeriut”, kanë thënë organizatorët në faqen e tyre të internetit.

“Ne qëndrojmë së bashku, duke e kuptuar se mbrojtja e më të margjinalizuarve në mesin tonë është mbrojtje e të gjithë neve", thuhet më tej në këtë njoftim.

Marshi mbahet një ditë pas inaugurimit të Donald Trumpit, që përfshinte ceremoninë e rregullt, por të penguar edhe nga protestat dhe dhuna në kryeqytetin amerikan.

Protestat e para në botë nën nismën marshet e grave,janë mbajtur në Australi dhe Zelandë të Re ku mijëra gra e burra kanë marrë pjesë në marsh.

Në tërësi janë 673 lokacione në tërë botën ku janë organizuar marshe, përfshirë Londrën, Pragën, Dublinin, Amsterdamin, Parisin, Prishtinën dhe qytete të tjera. (REL)

Përgatiti Artan Haraqija

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG