Ndërlidhjet

Thaçi: Kosova e siguron BE-në se do t’i zbatojë rezultatet e dialogut


Kosova e siguron Bashkimin Evropian se do t’i respektojë të gjitha rezultatet e dialogut politik me Serbinë, ka thënë presidenti Hashim Thaçi.

Këto komente, Thaçi i ka bërë pas kthimit nga Brukseli, ku të martën është zhvilluar takimi i lehtësuar nga Përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, mes delegacioneve nga Kosova dhe Serbia në nivel të presidentëve dhe kryeministrave.

“E siguroj zonjën Mogherini se Kosova do t’i respektojë marrëveshjet dhe zotimet e dialogut”, ka thënë Thaçi gjatë një konference për gazetarë.

Ai tha se situatat e krijuara pas një periudhe të gjatë të ndërprerjes së dialogut në nivelin politik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, e “posaçërisht pas veprimeve dhe retorikës së fundit nacionaliste serbe, kanë ndikuar që takimi i fundit të jetë i vështirë dhe i rëndë”.

“Por, ne jemi liderë shtetëror dhe jemi të përkushtuar për paqe e stabilitet dhe angazhohemi për marrëdhënie të mira”, është shprehur Thaçi.

Qëllimi kryesor i takimit të fundit në Bruksel, sipas tij, ishte ulja e tensioneve dhe shmangia nga provokimet. Por, ai tha se duhet të punohet shumë për normalizimin e raporteve ndër shtetërore.

“Kemi kërkuar nga Serbia që t’i ndalë veprimet provokuese që si qëllim kanë destabilizimin e situatës në Kosovë. Mendoj se kishte mirëkuptim mes palëve që të ulen tensionet dhe t’i përkushtohemi dialogut me seriozitet të madh”, ka thënë Thaçi.

Të dyja palët, kla nënvizuar ai, janë pajtuar se dialogu nuk ka alternativë.

“Dakordimi tjetër është gatishmëria që të vazhdohet dialogu në nivelin e lartë politik, për çka jemi të gatshëm të japim kontributin maksimal’, tha presidenti i Kosovës.

Ai ka ripërsëritur se dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, tani duhet të hyjë në fazën finale.

“Shpresoj që me ndihmën e ndërmjetësueses do të arrijmë marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve dhe krijimin e një situate të paqes e sigurisë”, tha Thaçi. Sipas tij, një “marrëveshje e tillë do të ishte garanci për paqen e stabilitetin në rajon, por edhe për perspektivën euro-atlantike”.

Kosova, ka thënë presidenti Thaçi është përkushtuar për paqe e siguri si dhe për bashkëpunim në Ballkanin Perëndimor.

“Dua të potencoj që Kosova thërret për paqe e stabilitet, fqinjësi të mirë e vlera euro-atlantike”, është shprehur ai.

Takimi i së martës ishte i pari në nivel të lartë pas një periudhe njëvjeçare.

Ndërkaq, ishte hera e dytë që në takim morën pjesë edhe presidentët. Në vitin 2013, ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ishte takuar në Bruksel me homologun serb, Nikolliq.

Po atë vit, Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshjen e parë për normalizimin e marrëdhënieve. Të dyja palët kanë thënë se kanë marrë atë që kanë dashur nga marrëveshja, porse zbatimi i pikave të saj lë për të dëshiruar. (REL)

  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

XS
SM
MD
LG