Ndërlidhjet

Haradinaj pret të kthehet së shpejti në Kosovë


Ramush Haradinaj

Ramush Haradinaj, aktualisht po mbahet nën masën e lirimit me kusht, mbi bazën e një procesi që po zhvillohet ndaj tij nga autoritetet franceze që bazohet në një urdhër-arrest të lëshuar nga Serbia përmes Interpolit.

Ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ish-kryeministri dhe aktualisht kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj është ndaluar nga autoritetet franceze më 4 janar të këtij viti.

Drejtësia serbe po kërkon ekstradimin e tij në Serbi. Por, Haradinaj, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, beson se fletë-arresti ndaj tij është i motivuar politikisht nga autoritetet serbe dhe pret që këtë javë të vazhdoj procesi dhe deri më 9 shkurt të mbyllet gjykimi i tij në Francë dhe të kthehet në Kosovë.

Radio Evropa e Lirë: Zoti Haradinaj, në ç’fazë janë procedurat gjyqësore në procesin që po zhvillohet ndaj jush?

Ramush Haradinaj: Kemi qenë në pritje të lëndës nga Serbia. Gjykata më kë bërë ftesë që nesër (të mërkurën) të paraqitem në gjykatë, në Calmar, ku është dorëzuar aktakuza nga Serbia. Pra, këtu janë procedurat. Ne pastaj do të kërkojmë menjëherë një seancë për ballafaqim me këtë lëndë, do të thotë ta hedhim poshtë këtë aktakuzë dhe këtë kërkesë të tyre për ekstradim e cila është krejtësisht politike.

Pra, diku nga mesi i javës tjetër,pritet të përmbyllen këtu procedurat gjyqësore.

Radio Evropa e Lirë: Sa është shqetësuese për ju kërkesa e Serbisë për ekstradim?

Ramush Haradinaj: Është pak a shumë e habitshme për mua kthimi në logjikën e mëhershme të viteve të luftës nga zyrtarët në Beograd. Kjo është një lojë politike e tyre. Ata janë në prag të zgjedhjeve. Po e shoh një garë mes udhëheqësve në Beograd, të presidentit, kryeministrit, të ministrit të jashtëm, të koordinatorit Gjuriq rreth kësaj teme. Por, duke e ditur faktin që populli i Kosovës ishte viktimë në luftën e fundit nga regjimi i Milosheviqit dhe duke e pasur parasysh edhe rolin e disa prej këtyre udhëheqësve në atë regjim, siç është Daçiqi që ishte vartës i Millosheviqit, pastaj të Nikoliqit e Vuçiqit të cilët u kanë prirë formacioneve paramilitare të asaj kohe, është e habitshme që i bëhet kaq shumë, ta quaj, respekt ligjor një aktakuze që është e thatë, është politike dhe që vjen prej atyre që vërtetë kanë kryer krime.

Radio Evropa e Lirë: Kur thoni nga mesi i javës, prisni që të përmbyllen të gjitha procedurat dhe të merret vendimi nga ana e Gjykatës?

Ramush Haradinaj: Po, nga mesi i javës tjetër. Por, Serbia ka luajtur me kohë dhe e ka vonuar materien me qëllim të zvarritjes së procesit. Por, tani është në gjykatë dhe besoj që tani do të shfrytëzohen afatet kohore që të mbyllet procesi.

Për lëndën që bëhet fjalë, është e vitit 2004 të cilën e kanë sajuar mbetjet e Millosheviqit në sistemin e drejtësisë në Beograd, ajo lëndë dhe çdo gjë tjetër si informatë dhe si materie ka ekzistuar edhe në Tribunalin e Hagës, por prokuroria nuk e kishte vlerësuar si relevante dhen uk e ka përfillu dhe siç dihet, procesi ishte përmbyllë me shpalljen e pafajësisë sime. Njëkohësisht edhe spekulimet për gjoja pengim të dëshmitarëve i ka hedhur poshtë prokurori i atëhershëm Bramers në Beograd, ku ishte konstatuar se në procesin Haradinaj, në rastin e rigjykimit, nuk ka pasur asnjë pengesë për asnjë dëshmitarë dhe të gjithë dëshmitarët në listë kanë dëshmuar në bazë të procedurave ligjore.

Pra, kjo është një logjikë e kohërave të luftës e cila është kthyer në Beograd dhe ndërlidhet me zgjedhjet e atjeshme. Mirëpo, kjo nuk nënkupton që kësaj logjike duhet t’i detyrohet i gjithë Ballkani dhe ne shqiptarët. Ne jemi të interesuar, unë jam i interesuar për paqe në Ballkan. Jemi të interesuar për paqe dhe integrim të Ballkanit në BE dhe në NATO. Këto logjika të Beogradit janë të papranueshme dhe unë, si shqiptarë asnjëherë nuk do t’u nënshtrohem.

Unë jam në të drejtën time. Gjatë këtyre ditëve mua më ka ardhur një përkrahje e gjerë shqiptare nga kudo, por jo vetëm shqiptare por edhe e aleatëve që e synojnë një Kosovë stabile e të qëndrueshme.

DIALOGU I BRUKSELIT NË VEND TË NORMALIZIMIT, PO E KTHEN RETORIKËN LUFTËNXITËSE

Radio Evropa e Lirë: Zoti Haradinaj, do të kalonim edhe në pjesën e dytë të intervistës në lidhje me aktualitetin politik. Nesër zhvillohet raundi i dytë i nivelit më të lartë të dialogut ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit. Si e shihni ju këtë format dhe proces të bisedimeve, marrë parasysh përfshirjen aty të niveleve me të larta politike?

Ramush Haradinaj: Mendoj që bisedimet dhe dialogu kryesisht po ndodhin për liderët dhe jo për popujt që i përfaqësojnë këta liderë, për shkak se po shihet që gjatë bisedimeve retorika luftë nxitëse dhe retorika e urrejtjes është rritur. Pra, të vetmit që përfitojnë nga këto bisedime janë liderët që marrin pjesë, por jo edhe popujt e Ballkanit.

Unë e kam një bindje të thellë që vështirësitë që i kemi në Ballkan vijnë nga elitat jo kompetente qeverisëse që nuk arrijnë të zhvillojnë politika të qëndrueshme ekonomike dhe të forcojnë shtetin ligjor dhe më pastaj me skenarë të tillë, me probleme që i krijojnë vet dhe pastaj lajmërohen se janë ata që i zgjidhin po mbijeton një elitë politike, ndërsa popujt e Ballkanit po vuajnë. Në këtë rast, pra edhe shqiptarët edhe serbët.

Radio Evropa e Lirë: Kishte këtu disa deklarata se në dialog do të duhej të përfshihej spektri i gjerë politik. Do të ishit ju të gatshëm të bëheni pjesë e një procesi dhe formati të tillë të bisedimeve?

Ramush Haradinaj: Një dialog i tillë që iu shërben vetëm liderëve politik është i dëmshëm. Duhet jo përfshirje në format të tillë të dialogut, por duhet një platformë e Kosovës për dialog. Një platformë që buron nga Kosova, që ka interesat në këtë dialog dhe që është e qartë. Kjo nënkupton pra dialogun për njohje (reciproke).

Vazhdimi i dialogut të tillë, për liderët ku do të merrte pjesë është ndonjëri prej nesh do të ishte i dëmshëm dhe kthim i Ballkanit prapa. Shihni retorikën e sotme dhe shihni zhvillimet politike. Mendoj se gjendja nuk është e mirë.

Radio Evropa e Lirë: Në kohën kur ju po qëndroni nën masën e lirimit me kusht, në Prishtinë është formuar një Komision për matjen e territorit të Kosovës për t’i dhënë përgjigje Marrëveshjes për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi. Ju keni qenë mjaftë kritikues i asaj marrëveshje, andaj sa besoni se ky Komiison tash mund të gjej zgjidhje për paqartësitë dhe mospajtimet e krijuara?

Ramush Haradinaj: Unë kam pasur një vlerësim për këta udhëheqës që kanë provuar t’i shkaktojnë një dëm të tillë Kosovës, do të thotë për presidentin Thaçi, kryeministrin Mustafa, kryetarin e Kuvendit Veseli. Ata besoj se janë të vetëdijshëm që nuk guxojnë të vazhdojnë me improvizime. Pra, edhe ky Komision është një improvizim i radhës i tyre, por pa i ofruar zgjidhje të duhur kësaj çështje. Duhet të kthehet kufiri në Çakor e Kulla e Zhlepit, aty ku është dhe këta duhet t’i vazhdojnë negociatat me Malin e Zi për daljen nga kjo gjendje dhe jo të vazhdojnë ta torturojnë Kosovën.

Jam i habitur nga qasja e shumë njerëzve, e veçanërisht më habit roli i Kryetarit të Akademisë, i cili sipas bindjes sime nuk është në terrenin e vet dhe besoj se ai ka nevojë të merr përgjegjësi të tilla ( në krye të Komisionit për matjen e territorit).

  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG