Ndërlidhjet

Shkupi në nivel alarmant të ndotjes së ajrit


Ndotja e ajrit në Shkup
Ndotja e ajrit në Shkup

Për tre ditë me radhë Shkupi mbetet qyteti më i ndotur në Maqedoni me praninë e grimcave kancerogjene PM10, që shënon një shkallë më të lartë se niveli i lejuar. Madje, ekspertët thonë se në disa raste kjo shkallë ka arritur edhe në mbi 1200 PM10 mikrogramë për metër kub .

Pas kësaj, kryetari i qytetit të Shkupit, Koce Trajanovski të hënën ka marrë vendim që t’i lirojë të gjithë qytetarët nga pagesa e transportit publik, deri në momentin e uljes së nivelit të ndotjes së ajrit, që sa është e mundur më shumë të ulet qarkullimi i automjeteve private.

Organizatat joqeveritare për mbrojtjen e ambientit jetësor kanë përshëndetur vendimin e kryetarit të Shkupit, megjithëse nënvizojnë se autoritet përkatëse marrin vendime të imponuara nga shfaqja e problemeve dhe nuk reagojnë me kohë për të parandaluar faktorët që ndotin ambientin jetësor.

Nevena Smilevska nga shoqata ekologjike “Eko Vetëdija”, thotë se në ndotjen e ajrit hise të madhe kanë lëndët djegëse që përdorin amvisëritë, andaj ka kërkuar që autoritet shtetërore të ndajnë mjete sa i përket efikasitetit energjetik duke subvencionuar izolimin e banesave të vjetra.

“Para së gjithash autoritet shtetërore duhet të fokusohen në efikasitetin energjetik, të objekteve banesore për çka ka më shumë fonde edhe nga Bashkimi Evropian, të cilat janë të pashfrytëzuara. Pastaj qytetarët duhet të vetëdijesohen për shfrytëzimin e energjisë diellore, për çka shteti ndan subvencione por shumë pak punohet në ngritjen e vetëdijes së qytetarëve në këtë drejtim”, tha Smilevska.

Shoqata ekologjike “Go Green” thotë se me ndërtimin e projektit Shkupi 2014 për katër herë janë zvogëluar hapësirat e gjelbra në kryeqendër, duke theksuar se “nuk ka logjikë që të priten drunjtë në interes të mafies urbane përderisa shkalla e ndotjes së ajrit është në rritje”.

Organizatat ekologjike duke komentuar mos reagimin e autoriteteve të shtetit për shkallën në rritje të nivelit të ndotjes së ajrit, thonë se nevojitet një aktivizim më i madh i sektorit civil për të ngritur vetëdijen e drejtuesve të institucioneve për t`iu qasur me seriozitet problemeve me ndotjen e ambientit jetësor dhe jo t’i neglizhojnë ato.

“Kemi të bëjmë me mungesën e vetëdijes tek politikanët, jo vetëm tek këta që janë aktualisht por në përgjithësi për të gjykuar drejtë lidhur me këto tema le të themi moderne të kohës. Më shumë organizata joqeveritare të cilat veprojnë në fushën e mbrojtjes së mjedisit, të bëjnë presion më të madh tek autoritetet shtetërore, që të vetëdijesohet politika sepse politika është ajo që merr vendime dhe jo qytetarët”, thotë për Radion Evropa e Lirë, Arianit Xhaferi nga shoqata ekologjike EKO Guerila.

Ndryshe ndaj shkallës së latë të ndotjes së ajrit në Shkup dhe disa qytete të tjera të Maqedonisë ka reaguar dhe ambasada për fëmijë në Shkup ‘Megjashi’ duke theksuar se “fëmijëve u është cenuar e drejta elementare, ajo për të jetuar”.

Ata i janë referuar të dhënave që kanë dalë nga hulumtimi i kryer nga Banka Botërore, ku thuhet se ndotja e ajrit në Maqedoni për çdo vit vret nga 1350 persona.

“Çdo i dyti fëmijë vitin e kaluar është kuruar nga sëmundjet respirative të cilat më së shpeshti janë pasojë direkt nga ajri i ndotur. Fëmijët janë më të goditurit, veçanërisht në sezonin e ngrohjes kur përqendrimi i grimcave rritet”, theksohet në reagimin me shkrim të ambasadës për fëmijë në Shkup “Megjashi”.

Edhe Instituti për Shëndetit Publik thotë se rritja e nivelit të ajrit të ndotur ka rritur dhe numrin e pacientëve të cilët vuajnë nga sistemi respirator.

XS
SM
MD
LG