Ndërlidhjet

Kongresistët amerikanë: Partneriteti i SHBA-së me Kosovën, do të vazhdojë


Pamje nga konferenca e kongresistëve amerikanë Peter Roskam dhe David Price, me kryetarin e Kuvendit, Kadri Veseli, Prishtinë 19 shkurt 2017.

Kosova është vend i rëndësishëm dhe pavarësisht ndryshimeve në udhëheqjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, kjo e fundit do ta vazhdojë politikën e njëjtë dhe partneritetin me Kosovën, kanë porositur kongresistët amerikanë Peter Roskam dhe David Price, të cilët po qëndrojnë për vizitë në Kosovë.

Ata janë takuar me kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, i cili pas takimit ka thënë se vizita e kongresistëve amerikanë rikonfirmon përkrahjen e fuqishme nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për Kosovën edhe nën administratën e re amerikane,të udhëhequr nga presidenti Donald Trump.

Veseli ka theksuar se çdoherë kur kongresistët amerikanë kanë ardhur në Kosovë, ata kanë përçuar mesazhin e lirisë dhe të demokracisë.

Ne do ta vazhdojmë në rrethana të reja këtë partneritet, i cili për Kosovën është tejet i veçantë, partneritet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për ta zhvilluar shtetin tonë, demokracinë në vendin tonë, institucionet demokratike dhe në të njëjtën kohë, për të ecur në një partneritet të përbashkët dhe të përjetshëm me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si Republikë e Kosovës”, ka thënë Veseli.

Peter Roskam, anëtar i Kongresit amerikan nga radhët e republikanëve, ka thënë se rasti i parë që kongresistët udhëtojnë jashtë SHBA-së, pas betimit që kanë bërë muajin e kaluar, është kjo vizitë në Kosovë.

“ Kosova është ndalesa jonë e parë. Kjo ndodh, sepse ky vend është shumë i rëndësishëm. E gjithë bota i ka sytë kah Kosova dhe e gjithë bota po punon për Kosovën, në njëfarë mënyre. Padyshim se edhe ne po e bëjmë këtë. Ne besojmë se një Kosovë stabile, ku janë të përfshira të gjitha palët qeverisëse, është ajo Kosovë që ne e dëshirojmë”, ka deklaruar kongresisti Roskam.

David Price, anëtar i Kongresit amerikan nga radhët e demokratëve, ka theksuar se Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të kënaqura me investimin që kanë bërë për të ardhmen e Kosovës, por edhe me përpjekjet e Kosovës për të ardhmen e saj.

Ai ka thënë se mbështetetja e SHBA-së për Kosovën do të vazhdojë edhe nën administratën e re, të drejtuar nga presidenti Trump.

Një pjesë e qëllimit të kësaj vizite është që të japim porosinë se pavarësisht ndryshimeve në udhëheqjen e vendit tonë, ne kemi një politikë dy-partiake në Ballkan, e në veçanti me Kosovën, dhe jemi të përkushtuar që këtë politikë ta vazhdojmë".

"Kemi qenë me Kosovën që nga fillimi. Dhe, ne e forcuam partneritetin menjëherë pas pavarësisë. Zyrtarë shtetërorë të Kosovës kanë qenë në SHBA dhe me kalimin e viteve kemi ndërtuar, jo vetëm përvoja të vullnetit të mirë, por edhe të vlefshme që do t’i mundësojnë Kuvendit të Kosovës që të jetë institucion i pavarur”, ka thënë kongresisti Price.

Ai ka shtuar se SHBA-ja pret me padurim të vazhdojë partneritetin me Kosovën.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Veseli, ka falënderuar kongresistët amerikanë për vizitën në Kosovë, si dhe përkrahjen e vazhdueshme të SHBA-së për Kosovën. (REL)

  • 16x9 Image

    Bekim Bislimi

    Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG