Ndërlidhjet

Gjetjet e Komisionit nuk ‘pajtojnë’ pushtetin dhe opozitën rreth demarkacionit


Prezantimi i gjetjeve të Komisionit shtetëror për matjen e territorit, sipas të cilave, Kosova nuk ka humbur territor me marrëveshjen për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, nuk i ka zbutur tensionet pushtet – opozitë në lidhje me këtë çështje.

Komisioni shtetëror, paraqiti të gjeturat, të cilat ende nuk janë finale, por që konstatojnë se me demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, territori i Kosovës nuk është zvogëluar për 8 mijë hektar, siç pretendon opozita.

Kryetari i Komisionit, Hivzi Islami, njëherësh kryetar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës tha se në vitin 1981, Kosova kishte 10.887 km2. Kurse nga viti 1982 – 2007, territori ishte 10.908 km2.

Mirëpo në bazë të obligimeve ndërkombëtare dhe Planin e Ahtisaarit, pas demarkacionit të kufirit me Malin e Zi dhe sidomos me Maqedoninë, kanë ndodhur ndryshime në zonat kadastrale në kufirin me Maqedoninë, çka ka sjell si përfundim se Kosova ka sot një madhësi tjetër, por nuk bëhet fjalë për humbje të territorit.

“Madhësia territoriale e Republikës së Kosovës sot është, 10.905.25 km2”, ka thënë Islami.

Një nga argumentet e vazhdueshme të opozitës ishte pika e kufirit me Malin e Zi ndodhet në Çakor.

Por, Komisioni, bazuar në agjencitë pjesëmarrëse, pastaj në disa libra e harta të vjetra historike erdhi në konkludim se Çakori dhe Bjellua janë jashtë territorit të Kosovës, që nënkupton se i takojnë Malit të Zi.

Zëdhënësi i këtij Komisioni Tomor Çela, tha se të gjitha gjetjet dëshmojnë se Çakori ndodhet në Mal të Zi.

“Çakori gjendet në pjesën, jashtë kufirit, pra jashtë territorit të Kosovës... . Pjesa burimore e Lumbardhit të Pejës, Bjelluha, gjendet jashtë territorit, apo i takon hapësirës administrative të Malit të Zi”’, ka thënë Çela.

Qeveria e Kosovës ka përshëndetur publikimin e draft-raportit dhe ka mirëpritur konstatimin e Komisionit se Republika e Kosovës nuk ka humbur asnjë metër territor me rastin e nënshkrimit të Marrëveshjes për shënjimin e vijës kufitare me Malin e Zi.

“Qeveria e Republikës së Kosovës vijon përkushtimin e saj që të punojë pareshtur në përmbylljen e procesit të demarkimit të kufirit me Malin e Zi, si kusht i vetëm i mbetur për t’i mundësuar qytetarëve të Kosovës lëvizjen e lirë në vendet e BE-së, dhe fton të gjithë spektrin politik që t’i kontribuojnë arritjes së këtij synimi madhor për Kosovën dhe qytetarët e saj”, thuhet në deklaratën e lëshuar për media.

Ndërkohë, i menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i opozitës. Deputetja Albulena Haxhiu nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje i tha Radios Evropa e Lirë se Komisioni ishte i njëanshëm dhe ishte në shërbim të qeverisë aktuale.

Ajo ka kundërshtuar gjetjet e Komisionit, sipas të cilave, Çakori është pjesë e Malit të Zi. Njëherësh, Haxhiu ka thënë se nëse qeveria provon ta kalojë marrëveshjen për demarkacionin me Malin e Zi në Kuvend, do të përballet me kundërshtimet e ashpra të opozitës.

“Zellin për të falur territor ne do ta kundërshtojmë fuqishëm, si brenda Kuvendit ashtu edhe jashtë tij. Nëse qeveria tenton që të riprocedojë marrëveshjen e njejtë, që është një mashtrim i radhës, atëherë ne natyrisht që do t’i përgjigjemi me konsistencë në kundërshtim, sikurse edhe në seancat e kaluara”.

“Natyrisht që kjo do të prodhojë tensione në vend, por për këtë përgjegjëse do të mbahet qeveria e Mustëfës”, ka thënë Haxhiu.

Edhe anëtari i kryesisë së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Muharrem Nitaj ka kundërshtuar gjetjet e prezantuara, duke thënë se rezultatet ishin ato që i kishte kërkuar kryeministri Isa Mustafa kur e kishte emëruar këtë Komision.

“Nuk ka asnjë lloj legjitimiteti rezultati i këtij Komisioni. Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës nuk ka ndryshuar qëndrimet e veta dhe do ta kundërshtojë normalisht versionin aktual të demarkacionit me Malin e Zi”, ka thënë Nitaj.

Gjetjet e Komisionit, pritet të vihen edhe në debat publik para se t’i procedohen qeverisë.

Më pas, qeveria pritet që të riprocedojë Marrëveshjen për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi në Kuvendin e Kosovës për ratifikim.

Pak kohë para se Komisioni të dilte me gjetjet, njëri nga anëtarët e tij, Fitim Humolli, është dorëhequr. Ai ishte i vetmi gjeograf në këtë Komision.

Dorëheqjen e tij, Humolli e kishte arsyetuar me metodologjinë e punës që bëhej në këtë Komision.

Humolli e arsyetoi dorëheqjen me, siç tha, “anashkalim të institucioneve profesionale në punën e komisionit”.

Po ashtu, gjetjet e prezantuara nga Komisioni, nuk janë pranuar as nga anëtari tjetër, Agron Luta, i cili i ka quajtur ato si joprofesionale.

Prishtina dhe Podgorica, nënshkruan Marrëveshjen për shënjimin e vijës më 25 gusht të vitit 2015 në prani të faktorit ndërkombëtar.

Por, menjëherë pas, kjo marrëveshje pati nxitur kundërshtimin e fuqishëm të opozitës. Ky reagim dhe kundërshtim opozitar në Kosovë u shtri brenda Kuvendit të Kosovës dhe nëpër rrugë, përmes protestave.

Opozita, pretendon se me këtë marrëveshje, Kosova po humbë 8 mijë hektarë tokë.

Po ashtu, edhe një grup i deputetëve nga partitë në pushtet dolën kundër kësaj marrëveshjeje. Përderisa Qeveria nuk siguroi votat as të Listës Serbe, subjekt ky në përbërjen e koalicionit aktual që përfaqësohet në Kuvend me 11 deputetë.

Në rrethana të tilla, koalicioni qeverisës u detyrua që të heq dorë përkohësisht nga ratifikimi i kësaj marrëveshje dhe pati formuar Komisionin shtetëror për matjen e territorit.

Përderisa kundërshtimet në Prishtinë vazhdojnë, Komisioni Evropian i ka përcaktuar Kosovës demarkacionin e kufirit me Malin e Zi si kushtin kryesor për heqjen e vizave.

Riprocedimi i demarkacionit për ratifikim në Kuvend është paralajmëruar të ndodhë gjatë muajit mars. (REL)

  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

XS
SM
MD
LG