Ndërlidhjet

Trump sinjalizon mbështetje për NATO-n dhe shtim të shpenzimeve mbrojtëse


Trump zotohet për Amerikë të fuqishme para Kongresit
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:01:58 0:00

Trump zotohet për Amerikë të fuqishme para Kongresit

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka sinjalizuar mbështetje të fuqishme për NATO-n, pastaj ka ftuar për rritje masive të shpenzimeve për ushtrinë dhe ka shprehur përkushtim për mbikëqyrje të “ripërtritjes së shpirtit amerikan”.

Duke folur mbrëmë vonë në paraqitjen e tij të parë në seancën e përbashkët të Kongresit të Shteteve të Bashkuara, zoti Trump i ka përsëritur shumicën e premtimeve të tij gjatë fushatës zgjedhore, që ishin të fokusuara në shqetësimet e brendshme.

Ai ka instituar se qytetet amerikane janë injoruar, punëtorët amerikanë po vuajnë, çmimet e kujdesit shëndetësor janë tejet të larta, infrastruktura amerikane po shkatërrohet, ndërsa krimet e shkaktuara nga imigrantët janë në rritje.

Por, në këtë fjalim, ku ka pasur pak specifika për qëllimet e politikës së jashtme, ai e ka ripërtrirë thirrjen e tij për shkatërrim të “terrorizmit radikal islam”, e veçanërisht të militantëve të Shtetit islamik.

“Kam kërkuar nga Departamenti i mbrojtjes për ta zhvilluar planin për shkatërrimin e ISIS-it, një rrjet i barbarëve joligjorë, që i kanë vrarë myslimanët dhe të krishterët, meshkujt, gratë dhe fëmijët, e të gjitha religjioneve”, tha Donald Trump, dhe ka shtuar se “ne do të punojmë me aleatët tanë përfshirë miqtë dhe aleatët në botën myslimane, për ta zhdukur këtë armik të tmerrshëm nga planeti ynë”.

Gjatë fushatës zgjedhore të vitit të kaluar, Trump e kishte vënë në pikëpyetje përkushtimin e tij për parimin themelor të NATO-s, atë sipas të cilit sulmi kundër një anëtari do të konsiderohet si sulm kundër të gjithë anëtarëve të aleancës.

Kjo i kishte shqetësuar shumë anëtarë të aleancës dhe gjatë fjalimit të tij, presidenti Donald Trump, ka ndërmarrë hapa për risigurimin e tyre.

Por, ai i ka përsëritur thirrjet e tij se anëtarët e aleancës duhet të bëjnë më tepër lidhur me kontributet e tyre financiare.

“Ne fuqishëm e mbështesim NATO-n, një aleancë që është kalitur nëpërmjet lidhjeve të dy Luftërave Botërore, që e ka rrëzuar fashizmin, dhe në Luftën e Ftohtë, që e mundi komunizmin”, tha Donald Trump, ndërsa fjalët e tij u ndoqën me duartrokitje të ligjvënësve.

Ai theksoi se “lidershipi amerikan është i bazuar në interest vitale të sigurisëë, që ne i ndajmë me aleatët tanë në gjithë globin”.

“Por, partnerët tanë duhet t’i plotësojnë obligimet e tyre finannciare. Tash, bazuar në diskutimet tona shumë të sinqerta dhe të fuqishme, ata kanë filluar ta bëjnë këtë. Mund t'ju them se paratë po rrjedhin brenda shumë mirë”, tha Donald Trump.

Megjithqë e ka përmendur Shtetin Islamik dhe NATO-n, në fjalimin e tij kanë munguar shqetësimet ose propozimet për politikë të jashtme.

Për shembull, nuk është përmendur Rusia, apo konflikti në Ukrainë, lufta që po zhvillohet në Siri, tensionet në rritje me Kinën në Detin Jugor Kinez, programet raketore të Koresë Veriore, e të tjera.

“Mendoj se në botën në të cilën ne jemi tash, mospërmendja e Iranit, jo vetëm shkurtimisht për sanksione, pastaj të mos përmendet Rusia, të mos përmendet Kina, Koreja Veriore, duket se ai ka synuar t’i injoroj shumë çështje problematike, që janë serioze, dhe gjërat, që si president amerikan, ai duhet t’i trajtoj”, thotë John Ludak, nga Instituti Brookings, lidhur me fjalimin e presidentit, Donald Trump.

Sipas tij, kjo mungesë e çështjeve specifike, ose mungesë e politikës së jashtme koherente, me gjasë do të shkaktoj më tepër paqartësi.

Presidenti Trump e filloi fjalimin duke i dënuar kërcënimet dhe vandalizmat aktualë kundër komunitetit hebrenj dhe të shtënat në Kanzas, kundër dy migrantëve nga India.

“Kërcënimet aktuale që në shënjestër i kanë qendrat e komunitetit të hebrenjve dhe vandalizimin ndaj varrezave të hebrenjve, e po ashtu, të shtënat e javës së kaluar në Kaznas, na përkujtojnë neve se derisa ne mund të jemi vend i ndarë në politika, ne jemi vend që qëndron unik në dënimin e urrejtjes dhe djallit në të gjitha format e tij të shëmtuara”, tha Donald Trump.

Fjalimi i presidentit Trump u bë në periudhën e 40 ditëve të para në Shtëpinë e Bardhë, që konsiderohet se ishte një periudhë turbulente dhe ndonjëherë edhe kaotike.

Përgatiti: Fatmir Bujupi
XS
SM
MD
LG