Ndërlidhjet

Mogerini: Ivanov të rikthejë vendimin dhe të respektojë kushtetutën


Përfaqësuesja e lartë e BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Federica Mogherini në Parlamentin e Maqedonisë, mars 2017

Shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini ka kërkuar nga Presidenti i Maqedonisë, Gjorge Ivanov që të rikthejë vendimin për të mos mandatuar liderin e opozitës, Zoran Zaev për kryeministër.

Pas takimeve në Shkup me liderët e të gjitha partiakeve politike parlamentare, Mogerini bëri gjithashtu thirrje për shmangien e retorikës nxitëse që sipas saj mund të çojë jo vetëm në krizë ndëretnike por edhe në krizë gjeopolitike.

“Kërkova nga Presidenti të reflektojë përpara, të rikthejë vendimin e tij në interes të të gjithë qytetarëve të këtij shteti dhe ashtu siç e thotë kushtetuta t’ua besoj mandatin partive që kanë shumicën në Parlament...Të gjithë liderët politik dhe të gjithë ata që kanë përgjegjësi politike dhe institucionale, kanë për detyrë të zbusin retorikën dhe të shmangin shndërrimin e krizës institucionale në krizë ndëretnike dhe më e keqja në krizë gjeopolitike”, ka deklaruar shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini

“Ky është një shtet kompleks, në një rajon kompleks dhe ne jetojmë në një kohë komplekse. Andaj dhe nuk na duhet benzinë për shkak se ne kemi shuar disa zjarre tashmë. Sinqerisht besoj se secili do të japë maksimumin e përgjegjësisë dhe do të shmangë çdo retorikë përçarëse ose konfrontuese në këtë shoqëri".

"Vendi juaj nuk i është ekspozuar kërcënimeve plotësuese, por nga disa probleme serioze të brendshme dhe i takon liderëve të këtij shteti të marrin përgjegjësi dhe ta nxjerrin vendin nga kjo situatë”, ka deklaruar Mogerini.

Baily: Ivanov ta shyrtojë vendimin

Ndërkohë, paraprakisht edhe ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Maqedoni, Jess Baily, i ka bërë thirrje presidentit të Maqedonisë, Gjorge Ivanov, që ta shqyrtojë vendimin për mos mandatim të liderit të Lidhjes Social-Demokrate, Zoran Zaev, për kryeministër të Maqedonisë.

Baily tha se vendimi i Ivanovit nuk përputhet me parimet demokratike dhe sundimin e së drejtës si vlera thelbësore për integrimin euroatlantik të këtij vendi.

"Si partnerë dhe miq strategjikë të Maqedonisë, duke e respektuar plotësisht edhe sovranitetin e shtetit, i bëjmë thirrje presidentit Ivanov që ta rishqyrtojë këtë vendim. Në të njëjtën kohë, u bëjmë thirrje fqinjëve të Maqedonisë që të jenë të përmbajtur dhe të tregojnë konstruktivitet, duke pasur parasysh situatën e ndjeshme politike në Maqedoni ", ka deklaruar ambasdori Baily.

Zaev kërkon mandatin, VMRO kërkon zgjedhje të reja

Nga ana tjetër, liderët e partive politike kanë shprehur besimin në ndërhyrjen urgjente të bashkësisë ndërkombëtare për kapërcimin e krizës, e cila sipas tyre rrezikon përshkallëzimin nga, siç thanë, vendimi antikushtetues i Presidentit Ivanov.

“Kërkoj mandatin që të mund të bisedoj për të gjitha dokumentet që mund të jenë apo të mos jenë pjesë e programit qeveritar, i cili më pas miratohet vetëm se në Kuvend. 67 firmat e deputetëve janë bazë themelore demokratike për marrjen e mandatin për nisjen e bisedimeve për qeverinë e re. Pritjet e BE-së janë se nëse qeveria e re tregon rezultate për reforma, BE-ja nëpërmjet institucioneve do të ketë më shumë arsye të përshpejtojë procesin e fillimit të bisedimeve me Maqedoninë për anëtarësimin e saj të plotë në BE-së”, ka deklaruar lideri i LSDM-së, Zoran Zaev

Nga VMRO DPMNE-ja përmes një komunikate kanë bërë të ditur se shefes së politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Federika Mogerini i kanë thënë se “zgjedhjet e reja janë zgjidhja e vetme për dalje nga gjendja e krijuar në Maqedoni”.

Partitë shqiptare bëjnë thirrje për shmangie të krizës ndëretnike

Nga Bashkimi Demokratik për Integrim që drejtohet nga Ali Ahmeti përmes një komunikate kanë shprehur përkushtimin për të ndihmuar nxjerrjen e vendit nga kriza dhe kanë kërkuar që kriza institucionale të mos shndërrohet në krizë ndëretnike.

Edhe partitë tjera shqiptare besojnë në ndihmën e komunitetit ndërkombëtar për dalje nga kriza e thellë.

“Në rrethanat në të cilat ndodhet Maqedonia, vërtetë që vizita e zonjës Mogerini është një ogur i mirë se Maqedonia nuk është e vetme në këtë krizë të thellë në të cilën nga futën partitë politike të qeverisjes VMRO-BDI gjatë kësaj periudhe dhjetë vjeçare, periudhë kjo kur kishin një qeveri e mbështetur në krimin, korrupsionin dhe kapjen e institucioneve ashtu siç është konstatuar edhe nga institucionet e Bashkimit Evropian”, ka deklaruar Bilall Kasami nga Lëvizja Besa.

Zijadin Sela nga Aleanca për Shqiptarët tha se e ka njoftuar shefen e diplomacisë evropiane, Federica Mogerini se platforma shqiptare nuk është e orientuar kundër maqedonasve, por është e drejtë legjitime e kërkuar gjatë 25 vjetëve të fundit.

Sela tha se “gjuha shqipe nuk është problem në krizën aktuale por se ajo shërben për të nxitur qytetarët dhe për të manipuluar me qëllim për të mbrojtur kriminelët dhe për të penguar dekriminalizimin e institucioneve”.

Vendimin për të mos e mandatuar Zaevin për kryeministër, Presidenti Ivanov e publikoi të mërkurën me arsyetimin se platforma e partive shqiptare, që pritet të jetë pjesë e programit qeveritar, sipas tij, rrënon sovranitetin dhe karakterin unitar të shtetit.

Vendimi i tillë i Ivanovit e ka futur Maqedoninë tashmë në një krizë edhe më të thellë me pasoja të paparashikueshme për stabilitetin e saj.

XS
SM
MD
LG