Ndërlidhjet

Mogherini në Beograd, radikalët e Sheshelit e pengojnë gjatë fjalimit në Kuvend

  • RFE /RL

"Të nderuar deputetë, kam nderin e veçantë që të jem në vendin ku e ndjej veten si në shtëpi”.

Me këto fjalë të thëna në gjuhën serbe iu drejtua deputetëve të Kuvendit të Serbisë, përfaqësuesja e lartë e BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Federica Mogherini.

Gjatë gjithë kohës së mbajtjes së fjalimit, deputetët e Partisë Radikale Serbe të Vojislav Sheshelit kanë brohoritur “Serbia, Rusia, nuk na duhet BE-ja”.

Mogherini nuk e ka ndërprerë fjalën e saj, ndërkohë që në një moment ka porositur se nuk do të lodhet dhe ta ruajnë zërin për fushatën presidenciale që pritet të zhvillohet në Serbi.

Njëkohësisht, katër deputetë radikalë gjatë fjalës së Mogherinit kanë ngritur pankartat në të cilat shkruante “Serbia nuk i beson Brukselit” në gjuhën serbe dhe angleze.

Përfaqësuesja e lartë e BE-së për politikë të jashtme dhe siguri ndër të tjera tha: “Ne na intereson Serbia dhe e ardhmja e saj”.

Ka nënvizuar se BE-ja nuk është e plotë gjithnjë deri sa kjo pjesë e Ballkanit të jetë jashtë saj. Në fund të fjalës ajo iu ka dëshiruar deputetëve një fushatë të qetë presidenciale.

Pas fjalimit u përcoll me duartrokitje dhe njëkohësisht edhe me brohoritjet e radikalëve.

Në Kuvendin e Serbisë gjatë fjalimit të Mogherinit ka marrë pjesë edhe kryeministri Aleksandar Vuçiq, njëkohësisht kandidat i Partisë Përparimtare Serbe për president, që u prit me duartrokitje të deputetëve.

Kryetarja e Kuvendit, Maja Gojkoviq, e ka pritur Mogherinin. Ajo e ka thirrur seancën e Kuvendit vetëm dy ditë pasi ka marrë vendimin që ta çojë në pushim Kuvendin deri në përfundim të zgjedhjeve presidenciale, që mbahen me 2 prill.

Shefja e diplomacisë evropiane, Federica Mogherini, po qëndron në Beograd në kuadër të turneut Ballkanik dhe vizitën e nisi me takimin me presidentin e Serbisë, Tomisllav Nikoliq.

Pas vizitës në Serbi Mogherini do të qëndrojë edhe në Shqipëri dhe të shtunën mbyll terneun ballkanik me vizitën në Kosovë. (REL)

XS
SM
MD
LG