Ndërlidhjet

Mogherini: Situata në Ballkan e tensionuar, të ruhet kredibiliteti i procesit integrues

  • RFE /RL

Në Bruksel ka nisur takimi i Ministrave të jashtëm të BE-së në të cilin, pos temave tjera, do të diskutohet dhe për situatën e tensionuar në rajonin e Ballkanit perëndimor.

Situatën si të tensionuar e ka vlerësuar në prag të fillimit të takimit edhe përfaqësuesja e lartë e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Federica Mogherini, e cila javën e shkuar kishte vizituar të gjitha shtetet e rajonit në fjalë.

Ajo u tha gazetarëve në Bruksel në prag të nisjes së takimit se pret që të konfirmohet përkushtimi i BE-së për perspektivën e integrimeve evropiane të këtij rajoni.

“Sapo u ktheva nga vizita në tërë rajonin, Do të raportojë përpara ministrave sot, ndërsa më vonë gjatë javës edhe para kryeministrave të vendeve anëtare. Situata është e tensionuar dhe kjo paraqet sfidë, si të brendshme ashtu edhe rajonale, por edhe globale. Edhe vet rajoni ka kapacitete për t’u përballur me këtë nëse ruhet kredibiliteti i procesit të integrimeve evropiane”, ka thënë Mogherini, duke shtuar se ajo pret që nga ky takim i sotëm dhe nga samiti i BE-së të enjten dhe të premten të rikonfirmohet edhe një herë gatishmëria dhe përkushtimi e BE-së për rajonin.

Në Bashkimin Evropian diplomatët thonë se në pothuajse të gjitha shtetet e rajonit të Ballkanit ka tensione, sidomos në Maqedoni dhe Bosnje e Hercegovinë dhe është e nevojshme që BE-ja të dëshmojë se përkundër problemeve të saja të brendshme nuk do ta harrojë rajonin dhe është e vetëdijshme për rreziqet që situata në rajon paraqet për tër Evropën.

Prandaj edhe kanë vendosur që këtë javë Ballkani perëndimor të jetë në agjendën e takimit të Këshillit të Çështjeve të Jashtme sot dhe në Këshillin Evropian më vonë gjatë javës.

XS
SM
MD
LG