Ndërlidhjet

Kriza politike në Maqedoni nuk mund të zgjidhet me zgjedhje të reja parlamentare, siç insiston VMRO DPMNE-ja, por vetëm duke respektuar shumicën e re parlamentare e dalë nga zgjedhjet e 11 dhjetorit të vitit të kaluar, thonë njohës të çështjeve politike.

VMRO DPMNE e Gruevskit ka ripërsëritur kërkesën për zgjedhje të reja në të cilat sipas saj “qytetarët duhet të deklarohen nëse janë ose jo për platformën e partive shqiptare të cilën e ka pranuar LSDM-ja”.

Partia Social-Demokrate thotë se ‘zgjidhja e krizës qëndron në dhënien e mandatit liderit të saj Zoran Zaev i cili ka siguruar shumicën parlamentare për formimin e qeverisë’.

Mitko Gaxhovski ligjërues i shkencave politike, thotë se është i pakuptimtë insistimi i VMRO DPMNE-së që të shkohet sërish në zgjedhje përderisa zgjedhjet e 11 dhjetorit të vitit të kaluar u pranuan nga të gjitha partitë politike të cilat u përfshin në to.

Ai thotë se “duke imponuar nevojën e zgjedhjeve, VMRO DPMNE dëshiron ta faktorizojë veten si faktor i rëndësishëm politik pa të cilin nuk mund të ndërmerret asnjë hap që çon kah zgjidhja e krizës politike”.

“VMRO DPMNE dëshiron të përfitojë kohë dhe njëkohësisht të imponohet si faktor në zgjidhjen e situatës andaj insistojnë në organizimin e zgjedhjeve edhe pse e dinë se zgjedhjet nuk paraqesin zgjidhje për situatën. Veçanërisht pas retorikës së fundit të zyrtarëve të kësaj partie kundër avancimit të të drejtave të shqiptarëve, asnjë parti shqiptare nuk do të mund të marr guximin për të bashkëpunuar me VMRO DPMNE-në”, thotë Gaxhovski.

Sipas tij, me rëndësi të veçantë është ajo se partitë politike shqiptare nuk i përgjigjen gjuhës nacionaliste të shprehur nga zyrtarët e lartë të VMRO DPMNE-së “kështu që partia e drejtuar nga ish kryeministri Nikolla Gruevski mbetet gjithnjë e më e izoluar me politikat e saj destruktive”.

Ndërkohë, Arsim Sinani, drejtues i Institutit për Studime Evropiane, konsideron se Maqedonia ka humbur shumë me politikanë që kanë imponuar problemet ndëretnike duke e mbajtur vendin larg procesit të integrimit në strukturat euroatlantike për të fshehur aktivitetet kriminale.

“Nuk mendoj se zgjedhjet janë çështja që do t’i zgjidh problemet në Maqedoni. Maqedonisë si shtet ajo që i duhet, për momentin, është një qeveri e re properëndimore, me program të qartë reformues që do ta rikthejë vendin në rrugën e integrimeve euroatlantike. Zgjedhjet në një situatë të këtillë vetëm do ta komplikonin situatën dhe përmes zgjedhjeve, ish kryeministri Gruevski dhe disa zyrtarë të lartë të partisë së tij, nuk do t’i përgjigjen drejtësisë për veprat kriminale për të cilat tanimë ka ngritur padi dhe zhvillon hetime Prokuroria Speciale Publike”, tha Sinani.

Diplomatët e vendeve perëndimore kanë intensifikuar thirrjet që presidenti Ivanov të ndajë mandatin për formimin e qeverisë së re të Maqedonisë, me këtë dhe konsolidimin e institucioneve për t’i hapur rrugë procesit të reformave si kusht për anëtarësimin e vendit në strukturat euroatlantike. (REL)

XS
SM
MD
LG