Ndërlidhjet

Pse Kosova ka dilema të hyjë në tregun e përbashkët të Ballkanit? 


Zyrtarë të lartë të Bashkimit Evropian, kanë inkurajuar vendet e Ballkanit Perëndimor që të krijojnë një treg të përbashkët. Ky treg, sipas tyre, do të zbuste edhe papunësinë e lartë në rajon, ku fillimisht do të hapeshin rreth 80 mijë vende të reja pune.

Kjo ide është propozuar në takimin e liderëve të 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor, që është mbajtur këtë javë në Sarajevë.

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ndërkaq ka thënë se Kosova vazhdon të jetë e përkushtuar për agjendën e bashkëpunimit rajonal.

Por, tregu i përbashkët, për të cilin po insistohet, ka thënë ai, qoftë treg unik Evropian, apo një treg i Ballkanit Perëndimor, nuk mund të funksionojë pa lëvizjen e lirë edhe për qytetarët e Kosovës, duke pas parasysh mospërfshirjen e Kosovës në liberalizimin e vizave.

Përfaqësues të komunitetit të biznesit dhe ekspertë për çështje ekonomike japin vlerësime të ndryshme sa i përket efekteve të këtij tregu për Kosovën.

Gazmend Qorraj, ligjërues i lëndës ekonomia e Kosovës dhe Bashkimi Evropian në Fakultetin Ekonomik, ka thënë për Radion Evropa e Lirë, se një treg i tillë tashmë është duke funksionuar, duke përmendur Marrëveshjen e Tregtisë së Lirë me vendet e Evropës Qendrore, e njohur me shkurtesën CEFTA, si njëri nga projektet e Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor në fushën e tregtisë.

Bashkimi Evropian, thotë ai, mund t’ia ndërron emërtimin, mirëpo funksioni do të mbetet i njëjtë.

“Unë jam shumë skeptik sa u përket efekteve pozitive që mund të arrihen. Sepse ne e kemi një treg të tillë. Përveç CEFTA-s, tashmë kemi edhe tregun e BE-së, si pjesë e Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit (MSA). Kështu që nuk ka se çka të ndryshohet me këtë mundësi, përmes këtij instrumenti”, ka thënë Qorraj.

Por, Drejtori i Odës Ekonomike Amerikane në Prishtinë, Arian Zeka, vlerëson se ideja për të pasur një treg unik, është e nevojshme. Duke marrë parasysh madhësinë e tregjeve të këtyre shteteve në mënyrë individuale, ai thotë, se është jashtëzakonisht e nevojshme që të ketë një treg më homogjenë.

“Nëse jo treg të përbashkët në kuptimin e plotë të fjalës, atëherë një treg që mallrat nga një shtet në shtetin tjetër mund të lëvizin pa pengesë. Së paku jo me ato pengesa të cilat kemi mundur t’i shohim viteve të kaluara”, ka thënë Zeka për Radion Evropa e Lirë.

Po ashtu, Arian Zeka thotë se faktorët politik ekzistues në mes Kosovës dhe disa shteteve të rajonit, do të vështirësojnë konkretizimin e idesë së propozuar për krijimin e tregut të përbashkët.

“Sidomos duke e ditur se Serbia dhe Bosnja Hercegovina nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, rrjedhimisht do të duhej të kishte një marrëveshje gjithëpërfshirëse edhe për eliminimin e këtyre pengesave të cilat i karakterizojnë raportet tregtare dhe ekonomike midis këtyre tri shteteve”.

“Nëse kjo marrëveshje arrihet nën lidershipin e Bashkimit Evropian e shoh të mundur, por me shumë vështirësi dhe jo një proces që mund të përfundojë brenda një kohë të shkurtër”, ka thënë Zeka.

Kurse profesori Gazmend Qorraj, thotë se në tregun aktual janë evidentuar shumë probleme dhe se zgjidhja e tyre është varur kryesisht nga ndërhyrjet e Bashkimit Evropian.

“Përndryshe, ndonjë iniciativë ku do t’i linte kompetenca vetëm vendeve të rajonit, kishte me qenë e rrezikshme. Sepse pritjet për zhvillime pozitive dhe fqinjësi të mirë nga Serbia janë shumë të vogla. Mandej, problemet në Maqedoni, po ashtu edhe rregullimi politik i Bosnjë Hercegovinës, nuk lenë shumë të shpresohet”, thotë Qorraj.

Për tregun e përbashkët, është shprehur edhe komisioneri i BE-së për zgjerim, Johanes Hahn, i cili në fund të vitit të kaluar pati thënë se ”një treg i përbashkët i Ballkanit Perëndimor mund të jetë i mundshëm brenda dy ose tri viteve, nëse ka vullnet politik në rajon”. (REL)

  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

XS
SM
MD
LG