Ndërlidhjet

Miratimi i projektligjit për FSK-në mund të marrë disa muaj


Procesi i miratimit të projektligjit për shndërrimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në forcë me mandat ushtarak, mund të marrë edhe disa muaj kohë, paralajmërojnë deputetë të Kuvendit të Kosovës.

Kjo periudhë, sipas tyre, mund të shfrytëzohet për lobim te faktori ndërkombëtar, sidomos te NATO, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet e Bashkimit Evropian në Brukseli, për shkak të mungesës së përkrahjes së nevojshme.

Faktori ndërkombëtar, po insiston që FSK-ja aktuale të transformohet në forcë me kapacitete mbrojtëse vetëm përmes amandamentimit të kushtetutës.

Por, ky amandamentim, është bërë i pamundur, për shkak të kundërshtimeve të Listës Serbe.

Pa votat e deputetëve serbë, ndryshimi kushtetues është bërë i pamundur, ka deklaruar presidenti Hashim Thaçi. Andaj, sipas tij, ka qenë e domosdoshme që procesi i transformimit të kalojë përmes projektligjit për Forcën e Sigurisë së Kosovës.

“Lista Serbe është deklaruar qartë se nuk mund të votojnë dhe nuk guxojnë të votojnë nga Beogradi. Andaj, a duhet të mbetemi ne peng i Beogradit, derisa Beogradi të disponohet që ne ta kemi ushtrinë?”, tha Thaçi.

Këto komente, Thaçi i ka bërë në një ligjëratë para studentëve të Kolegjit UBT, në Prishtinë.

Aty, ai tha se Lista Serbe, e cila përfaqëson komunitetin serb në institucionet e Kosovës, është peng i vendimeve të Beogradit.

Aktualisht, ligji i iniciuar nga presidenti Thaçi është në Qeverinë e Kosovës e cila sipas procedurave, duhet ta kthej atë në Kuvend me komentet e veta.

Pavarësisht kundërshtimeve aktuale ndërkombëtare, Thaçi është zotuar se transformimi i FSK-së në forcë ushtarake do të ndodhë në koordinim me faktorin ndërkombëtar, ngjashëm siç ishte vepruar edhe me aktin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Nuredin Ibishi, i cili është dhe njohës i çështjeve dhe aspekteve të sigurisë, tha për Radion Evropa e Lirë se Kosova ka nevojë për forcën e saj mbrojtëse.

Sipas tij, edhe në konsultimet me faktorin ndërkombëtar, ishte vlerësuar se Forca e Sigurisë së Kosovës i ka arritur kapacitetet e saj dhe se transformimi duhet të ndodhë.

Ibishi thotë se tani, diplomacia e Kosovës, liderët dhe udhëheqësit e Forcës së Sigurisë së Kosovës duhet të ndërmarrin një fushatë lobimi te faktori ndërkombëtar, në mënyrë që të sqarohet se Kosova nuk po bën një ushtri që cenon interesat ndërkombëtare dhe as pakicën serbe në Kosovë.

“Duhet t’i bëjnë njoftimet e këtij ndryshimi, që nuk prekin interesat e komuniteteve dhe as komunitetit serb në këtë rast, për arsye se mbeten konditat e njëjta që janë paraparë edhe me kushtetutë dhe me ligje, këtu kemi të bëjmë vetëm me një transformim që është plotësisht ligjor dhe që nuk përfshinë kategoritë kushtetuese që kishin pasur nevojë të trajtohen. Emërimi i FSK-së nuk ndryshon”, thekson Ibishi.

Sikurse çdo shtet tjetër në rajon, edhe Kosova ka nevojë për ushtrinë e saj, thekson tutje Nuredin Ibishi.

Krijimi i ushtrisë, në rrethanat e reja politike kur ndikimi i Rusisë po rritet, sipas tij, do të ishte edhe një faktor stabiliteti për rajonin.

“Aspektet e sigurisë janë shqetësuese në rajon për shkak të afrimit të zonës së interesit rus. Pastaj ngjarjet që ndodhën si tentim grushtet në Mal të Zi me tentim edhe të atentatit në ish-kryeministrin dhe pengimin e Malit të Zi për integrim në NATO, por edhe manovrat ushtarake në afërsi të Kosovës siç ishte rasti me atë “vëllazërinë sllave” ku morën pjesë forcat e armatosura ruse, serbe dhe ato bjelloruse”, thotë Ibishi.

Transformimin e FSK-së në ushtri, po e mbështetë në parim edhe opozita.

Subjekti më i madh opozitar, Lëvizja Vetëvendosje, është për krijimin e ushtrisë së Kosovës, thotë deputeti i saj, Albin Kurti.

Sipas tij, Kosova duhet të ruaj partneritetin e saj me NATO-n dhe miqtë ndërkombëtar, por formimi i ushtrisë nuk mund të ketë alternativa.

“Natyrisht që kjo do të mund të bëhej me Kushtetutë, por për faktin që ndryshimet kushtetuese janë tejet të vështira aktualisht, ajo duhet të bëhet me ligj. Ne kemi nevojë për një projektligj, i cili Forcën e Sigurisë së Kosovës e bën ushtri”, thotë Kurti.

Këto komente, ai i ka bërë gjatë një bashkëbisedimi me publikun, të organizuar nga Instituti Demokratik i Kosovës.

“Natyrisht që ne kemi edhe dyshimet tona nëse iniciuesi i ligjit, pra Thaçi, e ka seriozisht dhe sinqerisht këtë nismë dhe nëse me këtë projektligj bëhet me të vërtetë ushtria. Por, ne do ta amandametojmëkëtë projektligj në mënyrë që ta kemi një ushtri të vërtetë”, ka theksuar Kurti.

Forca e Sigurisë së Kosovës u themelua në vitin 2009, në bazë të Planit të Ahtisaarit, dokument që çoi drejt pavarësimit të Kosovës.

Tri vite më parë, FSK përmbushi kapacitetet operacionale. Autoritetet në vend më pas nisën procesin e rishikimit të sektorit të sigurisë duke kërkuar transforimin e kësaj forcë në një proces që do të çonte drejt krijimit të ushtrisë.

Por, ky shndërrim, duhej të bëhej me ndryshimet kushtetuese që kërkojnë dy të tretat e deputetëve përfshirë dhe dy të tretat e deputetëve të pakicave. Por, kundërshtimi i deputetëve serbë të mbështetur nga Beogradi zyrtar ka penguar procesin e ndryshimeve kushtetuese.

Andaj si zgjidhje alternative, institucionet e Kosovës po provojnë që ky transforim të ndodhë përmes ligjit për FSK-në. (REL)

  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

XS
SM
MD
LG