Ndërlidhjet

Veseli: Do ta kemi ushtrinë dhe miqësinë me SHBA-në


Kadri Veseli

Kryetari i Partisë Demokratike e Kosovës, Kadri Veseli, ka siguruar qytetarët se "do ta bëjmë ushtrinë e Kosovës".

Në Konventën e tetë zgjedhore të PDK-së, Veseli ka thënë se ushtria e Kosovës do të jetë kontribuuese e paqes dhe stabilitetit në rajon dhe anëtare dinjitoze e NATO-s.

"Të tjerët le të merren me dilema, por ne do ta bëjmë ushtrinë e Kosovës. Do ta bëjmë një ushtri moderne e profesionale, rojtare e sigurisë së atdheut tonë, kontribuuese e paqes dhe stabilitetit në rajon, anëtare dinjitoze e NATO-s, krenari e brezave që ëndërruan lirinë e Kosovës, krenari e brezave që do ta trashëgojnë shtetin e pavarur dhe sovran, Republikën e Kosovës", ka deklaruar Veseli.

Çështja e themelimit të Ushtrisë së Kosovës apo miratimi i një projektligji për shndërrimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në forcë me mandat ushtarak, ka nxjerrë në pah mospajtimet e faktorit ndërkombëtar, përfshirë këtu Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe NATO-n, përballë institucioneve të larta të Kosovës.

Por, Kadri Veseli ka garantuar se miqësia me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet anëtare të Bashkimin Evropian nuk do të prishet, përkundrazi, siç ka thënë ai, partneriteti ndërkombëtar do të fuqizohet.

“Janë njerëzit e PDK-së që kanë meritat më të mëdha për partneritetintonë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimin Evropian dhe NATO-n. Me vizionin tonë, me besimin e madh të qytetarëve të Kosovës, e garantojmë thellimin dhe fuqizimin e këtij partneriteti. Aleanca me perëndimin, e lindur në ditët e rënda të luftës sonë çlirimtare, është vlera më e pacenueshme e jona”, ka thënë Veseli.

Në fillim të këtij muaji, presidenti Hashim Thaçi dërgoi në Kuvendin e Kosovës projektligjin, duke shkaktuar reagimin e menjëhershëm të NATO-s dhe të Ambasadës së SHBA-së në Prishtinë, që e kanë cilësuar “hap të njëanshëm”.

Por, presidenti Thaçi, që ka ‘kërcënuar pak ditë më parë me dorëheqje në rast të mosvotimit të ushtrisë së Kosovës në Kuvend’’, ka ripërsëritur garancitë për partnerët ndërkombëtarë se i gjithë procesi i transformimit, do të zbatohet në koordinim me NATO-n, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe partnerët ndërkombëtarë.

Kurse, kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka thënë se problemi i themelimit të Ushtrisë së Kosovës, duhet të zgjidhet “në koordinim me Shtete e Bashkuara të Amerikës dhe NATO-n”.

Analistët në Kosovë thonë se vendimet e mundshme për ta çuar përpara Ligjin për ushtrinë mund të acarojnë më tepër raportet e Kosovës me faktorët ndërkombëtarë dhe t’i vënë në rrezik ato.

Njohësi i çështjeve juridike, Dastid Pallaska, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, e ka quajtur shqetësues ‘rebelimin e Thaçit karshi aleatëve”. Sipas Pallaskës, burim kryesor i sigurisë kombëtare është pikërisht raporti i Kosovës me aleatët, në këtë rast me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, vendet anëtare të Bashkimit Evropian dhe NATO-n.

“Nuk ka armatim ushtarak që do ta zëvendësonte këtë element të sigurisë kombëtare. Edhe sikur ta investonim gjithë buxhetin e vendit për dhjetë vitet e ardhshme në armatim, ne nuk kemi kapacitet për ta zëvendësuar këtë element të sigurisë kombëtare”, ka thënë Pallaska.

Çështja e themelimit të Ushtrisë së Kosovës apo miratimi i një projektligji për shndërrimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në forcë me mandat ushtarak, ka nxjerrë në pah mospajtimet e edhe ndërmjet vetë drejtuesve të institucioneve të larta të vendit.(REL)

  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG