Ndërlidhjet

Navalny: Procesi nuk ishte as iluzion i drejtësisë

  • RFE /RL

Lideri opozitar rus, Aleksei Navalny, sot është paraqitur në një gjykatë në Moskë, pas arrestimit të djeshëm nga ana e policisë, së bashku me qindra pjesëmarrës të tjerë të protestave të mbajtura në dhjetëra qytete në gjithë Rusinë.

Ky politikan, që është edhe aktivist i paepur kundër korrupsionit në Rusi është akuzuar për organizim të tubimit, për të cilin autoritetet konsiderojnë se e ka shkelur rendin publik, kanë raportuar mediat ruse.

Pasi doli nga gjykata, e cila e gjobiti me 20 mijë rubla (350 dollarë amerikanë) dhe e dënoi me 15 ditë burg për mosbindje ndaj urdhërave të policisë, Navalny tha se procesi nuk ishte korrekt.

Kam qenë në shumë procese administrative në shumë raste. Deri tash, ky proces i fundit ishte më i shpejti prej të gjitha proceseve. Nuk janë dëgjuar dëshmitarë, nuk ka pasur mundësi për apelim. Me fjalë të tjera, edhe iluzioni më i thjeshtë për drejtësi korrekte ka munguar tërësisht”, u tha gazetarëve Navalny, pasi doli nga gjykata në Moskë.

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian e kanë dënuar arrestimin e qindra protestuesve në Rusi dhe kanë kërkuar lirimin e tyre të menjëhershëm.

Deprartamenti amerikan i shtetit tha se Uashingtoni ishte i “shqetësuar” nga arrestimi i Navalnyt.

Ne i bëjmë thirrje Qeverisë së Rusisë, që menjëherë t’i lirojë protestuesit paqësorë”, tha zëdhënësi i Departamentit Amerikan të Shtetit, Mark Toner, dhe ka shtuar se “burgosja e protestuesve, e vëzhguesve të të drejtave të njeriut dhe gazetarëve, është cenim i vlerave themelore demokratike”.

Bashkimi Evropian, po ashtu, ka kërkuar nga Rusia që të lejojë që njerëzit të kenë “liri bazike të shprehjes, të tubimit dhe mbledhjes paqësore”.

Presidenca e Rusisë e ka mbrojtur veprimin e policisë dhe i ka kritikuar pjesëmarrësit e protestave antikorrupsion.

Dmitry Peskov, zëdhënës i presidentit të Rusisë, Vladimir Putin, tha se pjesa më e madhe e protestave ishin joligjore dhe se organizuesit i “provokuan” pjesëmarrësit për tu përfshirë në këtë “aktivitet ilegal”.

Ky zëdhënës ky pretenduar se fëmijëve u ishte premtuar “shpërblim” për të marrë pjesë dhe ka sugjeruar se qeveria do të zhvillojë hetime nëse të miturit janë paguar për të qenë pjesëmarrës.

Policia e arrestoi Navalnyn, derisa mijëra njerëz kanë protestues në afro 100 qytete në gjithë Rusinë. Këto protesta antiqeveritare janë vlerësuar si ndër më masivet prej vitit 2012.

Këto tubime u bënë pasi grupi antikorrupsion i zotit Navalny, më 2 mars e ka publikuar një raport, në të cilin akuzohet kryeministri i Rusisë, Dmitry Medvedev, se i ka përdorë organizatat humanitare dhe OJQ-të, për të mbledhur donacione nga pasanikët dhe bankat shtetërore, e pastaj këto fonde i ka shfrytëzuar për blerjen e pasurive të shtrenjta.

Sipas disa raporteve nga gjykata, zoti Navalny në një moment ka kërkuar që kryeminsitri Medvedev të dëshmojë në gjykatë. Navalny e ka kritikuar gjyqtaren, Alesya Orekhova, duke e akuzuar se po sillej si një e re e paedukuar.

Policia tha se afro 500 njerëz ishin arrestuar në kryeqytetin Moskë, por organizata joqeveritare, OVD-Info, që i gjurmon arrestimet, tha se ky numër është 1,030.

Mëtutje, kjo organizatë ka njoftuar se pjesa më e madhe e të arrestuarve tashmë janë liruar, por së paku 120 vetë mbeten në paraburgim.

Aleksei Navalny i ka udhëhequr shumë protesta madhore në periudhën 2011 – 2012, ku është shprehur zemërimi lidhur me dëshmitë për mashtrim të përhapur në zgjedhjet parlamentare dhe për shkak të shqetësimeve për kthimin e Vladimir Putinit në presidencë, pasi për një mandat kishte shërbyer si kryeministër.

Në një postim në rrjetin Twitter, pasi ishte arrestuar, Navalny ka shkruar se ishte “krenar” për protestuesit dhe se arrestimet ishin të “pritura”.

Vjedhësit e mbrojnë vetveten në këtë mënyrë”, ka shkruar Navalny dhe ka shtuar se “ju nuk mund ta arrestoni secilin person që është kundër korrupsionit, pasi të tillë jemi miliona”.

Mëtutje, në një postim tjetër në rrjetin Twitter, Navalny ka njoftuar se 13 punëtorë të fondacionit të tij, mbesin në paraburgim policor, pasi ata ishin arrestuar dje gjatë bastisjes së zyrave të këtij fondacioni në Moskë.

Zyra është plaçkitur dhe ata i morën absolutisht të gjitha pajisjet”, tha Navalny.

Përgatiti: Fatmir Bujupi

XS
SM
MD
LG