Ndërlidhjet

Mbi 80 për qind të punësuar në të zezë


Ilustrim

Punësimi në të zezë në sektorin privat në Kosovë, sipas hulumtimeve të fundit, ka arritur normën e mbi 80 për qind, ndonëse shifra të tilla kundërshtohen nga përfaqësues të Qeverisë së Kosovës.

Të dhënat janë nxjerrë nga një hulumtim që ka realizuar Instituti “Riinvest” në bashkëpunim me Lidershipin e Evropës Juglindore për Zhvillim dhe Integritet (SELDI).

Enisa Serhati, hulumtuese në Institutin “Riinvest”, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, bën të ditur se mbledhja e të dhënave është bërë në vitin 2016 dhe hulumtimi ka përfshirë më shumë se 1000 të anketuar.

Të gjeturat, thotë Serhati, tregojnë për një nivel të ulët të zbatimit të Ligjit të punës në Kosovë.

“Praktikisht 81 përqindëshi i pjesës së popullsisë në Kosovë që është i regjistruar si punëtor në të zezë në këtë raport, përveç punëtorëve që punojnë pa kontrata pune, iu referohet edhe atyre që nuk kanë kontrata të sinqerta, kontributi pensional nuk paguhet në punën kryesore, fitimi i të ardhurave të paraportuara, mospagimi i kontributeve e të tjera. Kjo është një pasqyrë e një situate të përgjithshme në sektorin privat dhe jo në një industri të caktuar”, thotë Serhati.

Shifra prej mbi 80 për qind, sipas këtij hulumtimi, e vendos Kosovën si vendin me normën më të lartë të punësimit në të zezë, në rajon, pasuar nga Serbia me 51 për qind, Shqipëria dhe Mali i Zi me 39 për qind, Bosnja e Hercegovina 37 për qind dhe Maqedonia me 30 për qind.

Ndërkohë, përfaqësues të Qeverisë së Kosovës thonë që punësimi joformal në Kosovë është i shprehur, por jo në këtë shifër të publikuar në këtë hulumtim.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Ramiz Kelmendi, thotë për Radion Evropa e Lirë se kanë arritur ta ulin punësimin joformal.

“Niveli i papunësisë ka shënuar rënie nga mbi 35 për qind në 29 për qind dhe kjo rritje e nivelit të punësimit, ka ndikuar edhe në zvogëlimin e informalitetit. Tani jemi në përgatitje e sipër që të inspektohen edhe më tutje bizneset private dhe këtë dukuri do ta zbusim edhe më shumë”, thekson Kelmendi.

Në bazë të inspektime që janë bërë nga institucionet kompetente, thekson Kelmendi, punësim në të zezë ka pasur më së shumti në ndërtimtari dhe në ekonomitë familjare.

Sidoqoftë, për nivelin e lartë të punësimit në të zezë flasin edhe përfaqësues të Sindikatës së Pavarur të sektorit privat. Kryetari i kësaj sindikate, Jusuf Azemi, thotë për Radion Evropa e Lirë se numri i punëtorëve pa kontrata në sektorin privat, është alarmues.

“Sipas kontrolleve dhe të dhënave që ne i kemi, mbi 70 për qind e punëtorëve në sektorin privat janë pa kontrata pune”, thotë Azemi.

Punësim joformal në Kosovë është evidentuar edhe në statistikat zyrtare të institucioneve shtetërore.

Derisa, numri i të punësuarve në Kosovë, sipas të dhënave zyrtare, llogaritet të jetë 347 mijë persona apo 72 për qind e fuqisë punëtore, në Fondin e Kursimeve Pensionale të Kosovës, numri i llogarive për vitin e kaluar ka qenë rreth 300 mijë persona.

Kurse, numri i qytetarëve, të cilëve u është paguar tatimi në të ardhurat personale nga paga në Administratën Tatimore të Kosovës, për këtë periudhë ka qenë 272 mijë. (REL)

  • 16x9 Image

    Luljeta Krasniqi - Veseli

    Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG