Ndërlidhjet

Thaçi tërheq Projektligjin për FSK-në, pranon kushtet ndërkombëtare 


Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi e ka tërhequr edhe zyrtarisht nismën e tij ligjore për transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në mision të ri ushtarak.

Thaçi tha se i ka dërguar letër kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli nga i cili ka kërkuar që Projektligji i propozuar për transformimin e FSK-së të mos vihet për miratim në Kuvend.

“Ngrirja” e Projektligjit të propozuar, sipas Thaçit bëhet me qëllim që të provohet sërish “mundësia e fundit”, që transformimi i FSK-së të bëhet përmes ndryshimeve kushtetuese, ku do të përfshiheshin në bisedime faktori ndërkombëtar dhe komuniteti serb.

Këto qëndrime, presidenti i Kosovës i prezantoi në konferencën “Forca e Sigurisë së Kosovës – Perspektivat e së Ardhmes”, e organizuar nga Instituti Kërkimor për Çështje Evropiane dhe të Zhvillimit (RIDEA).

Unë konsideroj se institucionet tona ende e kanë kohën e mjaftueshme që bashkërisht të bëjmë edhe një përpjekje të fundit që të sigurojmë përkrahjen e të gjitha komuniteteve për themelimin e Forcave të Armatosura të Kosovës”, tha Thaçi.

Ndërkohë, Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, Greg Delawie tha se qeveria amerikane mbështet Kosovën dhe Forcën e Sigurisë. Por, shndërrimi i FSK-së në ushtri përmes ligjit, siç kishte pretenduar presidenti i Kosovës, sipas tij, nuk është veprim i duhur.

Shtetet e Bashkuara dhe aleatët tha ai, presin që transformimi i FSK-së të bëhet përmes një procesi transparent, të panxituar dhe në harmoni me Kushtetutën.

Forca e ardhshme e Kosovës do të duhet të ndërtohet me kohë me ndihmën e partnerëve kyç, siç janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe aleatët”, tha Delawie. Sipas tij, pretendimet që ushtria të krijohet me ligj nuk janë reale.

Përfaqësuesi i Listës Serbe në këtë debat, Branimir Stojanoviq, aktualisht zëvendëskryeministër në Qeverinë e Kosovës, tha se standardi i jetës është në minimum, kurse mosbesimi është aq i lartë sa të mendohet që serbët ta mbështesin themelimin e ushtrisë.

Si atëherë është e mundur që të pritet nga serbët që të mbështesin transformimin e Forcës së Sigurisë në Forca të Armatosura të Kosovës”, tha Stojanoviq.

Ndërkaq, analisti i njohur Daniel Serwer, shtroi çështjen e sigurisë në nivel të rajonit. Ai tha se kërcënimi për Kosovën vazhdon përderisa Serbia nuk e njeh atë si shtet.

Përgjigja në pyetjen se çfarë force të sigurisë ju nevojitet, varet nga kërcënimi me të cilin ballafaqoheni. Nëse kërcënimi nga Serbia nuk është eliminuar, atëherë Kosovës i duhet një forcë e dizajnuar për t’iu përgjigjur situatës”, tha ai.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi i pati dorëzuar kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli, Projektligjin për shndërrimin e FSK-së në një forcë ushtarake. Ky ligj, i ishte përcjellë më pas edhe Qeverisë së Kosovës.

Por, tërheqja e Thaçit nga procedimi për miratim i Projektligjit për FSK-në, ka pasuar trysninë politike nga NATO dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilat kërkuan që ky transformim të bëhet vetëm përmes ndryshimeve kushtetuese, çka mes tjerash nënkupton edhe me pjesëmarrjen e serbëve, pa të cilët nuk mund të ndryshohen amendamentet e Kushtetutës së Kosovës. (REL)

XS
SM
MD
LG