Ndërlidhjet

Faktorët që radikalizuan dhe i dërguan në luftë të rinjtë nga Kosova 


Ilustrim
Ilustrim

Zanafilla e përhapjes së radikalizmit në Kosovë ndërlidhet me propagandën dhe veprimtarinë e disa organizatave të jashtme, të cilat krahas aktivitetit humanitar për çka ishin licencuar, zhvilluan edhe aktivitet propagandues e ideologjik.

Kështu thuhet në raportin më të ri të Qendrës Kërkimore për Politika të Sigurisë, të titulluar: “Faktorët ndikues në radikalizim dhe ekstremizëm të dhunshëm”.

Ky raport është bazuar në hulumtimet e bëra në pesë qytete të Kosovës, ku përfshihen Peja, Mitrovica, Gjilani, Ferizaj dhe Kaçaniku.

Aty përmenden 19 faktorë që kanë ndikuar në përhapjen e radikalizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm.

Në zanafillën e përhapjes së radikalizmit, besohet se bën pjesë aktiviteti i disa organizatave të jashtme, kryesisht humanitare që vinin nga vendet e Lindjes së Mesme, por të cilat aktivitetin e tyre e kishin shtrirë për përhapjen ideologjive ekstremiste.

Po ashtu, si faktorë me rëndësi veçohen edhe propaganda dhe ndikimi i rrjeteve sociale te të rinjtë, të cilët kishin rënë viktimë e përhapjes së ideologjive të dhunshme që përdornin fenë si instrument.

Profesori në Fakultetin e Studimeve Islame në Prishtinë, Xhabir Hamiti, tha se propagandat përmes së cilave bëhej instrumentalizomi i fesë për përhapjen e ideologjive ekstremiste të dhunshme, ishin përkthyer në gjuhën shqipe, çka kishte ndikuar edhe më shumë në përhapjen e tyre.

“Mediat, kanë luajtur një rol jashtëzakonisht të madh, fjala është për rrjetet sociale të jashtme, të përkthyera në gjuhën shqipe dhe gjuhët tjera, duke paraqitur formën e interpretimit të islamit sipas metodologjisë ekstremiste, radikale e cila është zhvilluar dhe zhvillohet në disa vende të Lindjes së Mesme”, ka thënë Hamiti.

Ndërkohë, drejtori i Qendrës Kërkimore për Politika të Sigurisë, Burim Ramadani tha se të rinjtë ishin viktimë e propagandës dhe rrjeteve sociale, ngase shpesh ata i kuptuan mesazhet ideologjike si pjesë të informimit të tyre për fenë.

Andaj, ai tha se me këtë hulumtim, u janë bërë disa rekomandime qeverisë, Kuvendit, komunave, organeve përkatëse dhe Bashkësisë Islame të Kosovës që të trajtojnë me seriozitet përhapjen e ideologjive të rrezikshme, duke shtrirë informimin e drejtë mbi fenë dhe tolerancën.

“Për Bashkësinë Islame të Kosovës (BIK) rekomandojmë që të përpilojë dhe fillojë zbatimin e një programi gjithëpërfshirës për t’u përballur me propagandat të cilat kanë ndikim, respektivisht kanë qëllim indoktrinimin e të rinjve. Besojmë se askush më mirë se BIK-u nuk mund ta luftojë në mënyrë substanciale propagandën e tillë”, ka theksuar Ramadani.

Bashkësisë Islame të Kosovës i është rekomanduar po ashtu që të ‘rris angazhimin dhe komunikimin me komunitetet dhe qytetarët në avancimin e promovimit të vlerave kombëtare dhe traditës fetare në Kosovë’.

Si rezultat i propagandës, shumë të rinj në Kosovë, të cilët në masë të madhe mbeten të izoluar, pa punë dhe në gjendje jo të mirë ekonomike, e kuptuan fenë në mënyrë të gabuar, ka thënë profesori Hamiti. Ai ka sqaruar se feja islame dhe asnjë fe tjetër, nuk e promovon dhunën në asnjë rast.

“Ata të cilët e përmendin emrin e Zotit për t’i luftuar të tjerët në emër të Zotit, ata janë kundër Zotit. Prandaj ne nuk kemi nevojë që praktikat e shoqërive që e kanë përdorur këtë metodë, t’i marrim dhe t’i provojmë në shoqërinë tonë, kur po shihet se ato janë të denigruara”, ka thënë Hamiti.

Të paktën 300 shtetas të Kosovës u janë bashkuar luftimeve në Lindjen e Mesme që prej fillimit të krizës në atë rajon.

Autoritetet e sigurisë thonë se edhe rreth 140 persona kanë mbetur në vatrat e krizës, përfshirë gra dhe fëmijë.

Një numër prej mbi 100 pjesëmarrësish në luftëra janë rikthyer në Kosovë, një pjesë e të cilëve janë arrestuar dhe dënuar, ndërkohë që një pjesë tjetër ende po përballen me drejtësinë.

Autoritetet në Kosovë thonë se rehabilitimi i të radikalizuarve nuk mund të bëhet përmes amnistisë, por përmes “programeve rehabilituese dhe të risocializimit”, pa përjashtuar edhe masat ligjore. (REL)

XS
SM
MD
LG