Ndërlidhjet

Opozita synon rrëzimin e Qeverisë me votat e PDK-së dhe LDK-së


Kuvendi i Kosovës, foto arkiv
Kuvendi i Kosovës, foto arkiv

Opozita në Kosovë po tregohet e vendosur që ta procedojë tutje mocionin e mosbesimit ndaj Qeverisë në Kuvend, duke synuar që ta çojë vendin në zgjedhje të parakohshme.

Mocioni është iniciuar nga Partia Nisma për Kosovën. Ky mocion, është nënshkruar tash për tash nga deputetët e tri partive opozitare dhe disa deputetë të tjerë, përfshirë edhe disa nga radhët e partive në pushtet, thotë shefja e Grupit Parlamentar të partisë Nisma për Kosovën, Valdete Bajrami.

Tri partitë opozitare, Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma, së bashku numërojnë 30 deputetë në Kuvend. Kështu që qëllimi kryesor është që të sigurohen votat e deputetëve nga partitë e koalicionit.

Ne jemi duke punuar në atë drejtim që të arrijmë edhe votën kundër në Kuvend sepse për nënshkrime besoj që jemi kah fundi dhe mendoj që shumë shpejt do të arrijmë ta procedojmë, në rast se nuk e ndërrojnë mendjen deputetët”.

Shpresojmë që të gjithë ata që janë deklaruar kundër kësaj Qeverie do ta përkrahin edhe me nënshkrim, por edhe me votim kundër Qeverisë Mustafa”, ka thënë Bajrami.

Arsyet kryesore për ndërmarrjen e këtij mocioni, deputetja Bajrami i ndërlidhë me mosfunksionimin, siç thotë ajo, të Qeverisë dhe bllokimin e shumë proceseve të rëndësishme në vend.

Ta zhbllokojmë këtë situatë. Kryeministri Mustafa po e mbanë vendin në bllokadë prej 1 shtatori të vitit 2016, sepse që nga 1 shtatori i vitit të kaluar, Kuvendi i Kosovës, thua se nuk është duke funksionuar dhe nuk po mund të marr vendime”, ka thënë Bajrami.

Ndërkohë, analisti i Institutit Demokratik të Kosovës, Albert Krasniqi thotë se me Kushtetutën e Kosovës parashihen edhe procedurat e dy llojeve të mocionit. Atij të mosbesimit dhe atij të votëbesimit.

Mocioni i mosbesimit iniciohet për të parë nëse Qeveria e ka përkrahjen në Kuvend. Kurse ai i votëbesimi, kërkohet nga Kryeministri, për të parë nëse ai ende e gëzon përkrahjen e deputetëve, thotë Krasniqi.

Sa i përket mocionit aktual të partisë Nisma, Albert Krasniqi thotë se kushti i parë që ai të shqyrtohet në Kuvend është që t’i përmbajë 40 nënshkrime të deputetëve.

Me mbledhjen e 40 nënshkrimeve, vijon ai, çështja i procedohet Kryesisë së Kuvendit, e cila e procedon atë në seancë të Kuvendit, jo më vonë se pesë ditë nga parashtrimi i kërkesës.

Kurse shkarkimi i Qeverisë, mund të bëhet vetëm me 61 vota të deputetëve në Kuvend dhe më pas, çështja i kalohet Presidentit, thotë Albert Krasniqi.

Nëse mocioni i mosbesimit është i suksesshëm, atëherë është në dorën e Presidentit që të vendos të shpërndajë Kuvendin me një dekret të veçantë dhe vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme. Ose, Presidenti e ka në dorë edhe mundësinë që t’ia jap një mandatari të dytë, për të propozuar Kryeministrin, në mënyrë qët ë provohet të zgjedhet një kryeministër i ri nga radhët e partive të cilat e propozojnë madatarin për formimin e Qeverisë”, thotë Krasniqi.

Por, në rast se opozita dështon t’i sigurojë 61 vota për rrëzimin e Qeverisë, atëherë nuk mund të ketë mocion të ri brenda 90 ditëve vijuese.

Zgjedhjet e parakohshme janë përmendur si opsion për të nxjerrë vendin nga bllokada e vendimmarrjes edhe nga deputetë dhe zyrtarë të partive në pushtet.

Koalicioni aktual po përballet me probleme serioze në vendimmarrje për çështje të rëndësisë së veçantë, siç është demarkacioni i kufirit me Malin e Zi, me çka është bllokuar procesi i liberalizimit të vizave.

Sidoqoftë, rrëzimi i Qeverisë së Kosovës me mocionin aktual të opozitës, është i mundshëm vetëm nëse sigurohen edhe 31 vota të deputetëve nga partitë e koalicionit. (REL)

XS
SM
MD
LG