Ndërlidhjet

Gratë “uzurpojnë” punësimin në arsim dhe shëndetësi


Fotografi nga një shkollë fillore në Prishtinë

Arsimi, tregtia dhe kujdesi shëndetësor janë sektorët kryesorë të punësimit për femrat në Kosovë.

Por, edhe në këta sektorë, apo profesione tjera, sipas të dhënave zyrtare, vetëm rreth 13 për qind e femrave në moshë pune punojnë, pasi 34 për qind e popullsisë që i takojnë kësaj gjinie nuk janë në marrëdhënie pune.

Një gjendje e tillë është evidente pavarësisht që interesimi i grave për të gjetur punë është i njëjtë me burrat.

Gjysma e popullsisë së përgjithshme në Kosovë, llogaritet se i takojnë gjinisë femërore.

Punësimi i numrit më të madh të grave në këta sektorë, ka bërë ndarje tradicionale të profesioneve, ku në mënyrë specifike kërkohen burra për ‘profesionet e burrave’ dhe gra për ‘profesionet e grave’.

Po ashtu, barriera tjetër është tek gjuha diskriminuese e shpalljeve për vende të punës, thuhet në një analizë të publikuar të enjten nga Instituti për Studime të Avancuara “GAP”.

Jeton Mehmeti, drejtor i hulumtimeve në Institutin GAP, ka thënë për Radion Evropa e Lirë, se përkundër faktit që Ligji për barazi gjinore i obligon punëdhënësit që me rastin e shpalljes së vendit të lirë të punës të shmangin elementet diskriminuese në bazë të gjinisë, në sektorin privat Ligji pothuajse nuk aplikohet, ku në mënyrë të drejtpërdrejtë kërkohen gra ose burra për pozita të caktuara.

“Në shumicën e konkurseve, ne kemi analizuar mbi 500 konkurse të ndryshme dhe tek gratë kryesisht ofrohen mundësi apo pozita për punë që kanë të bëjnë me sektorin si shitëse, asistente, do të thotë punë kryesisht të thjeshta. Kurse për burra kërkohen pozita si menaxher, inxhinier, arkitekt, drejtor ekzekutiv..”, ka thënë Mehmeti.

Luljeta Demolli, drejtore ekzekutive në Qendrën Kosovare për Studime Gjinore, e konsideron diskriminim gjinor punësimin e grave vetëm në sektorë të caktuar.

Ajo madje shpreh shqetësimin se janë krijuar stereotipe për pozita të burrave dhe grave. Kjo çështje, thotë ajo, do të vazhdojë edhe në të ardhmen, pasi në institucionet arsimore, ka vetëm edukatore dhe mësuese në nivelin e ulët.

"Është një sektor që po i takon vetëm grave. Edukatoret dhe niveli i ulët i shkollimit i takon vetëm grave, gjë që nuk duhet të ndodh. Duhet të ndryshohen stereotipet për profesione. Duhet të fillojmë të kemi edukatorë burra ose djem, pasi fëmijët po krijojnë ide për profesionet që janë tipike për gra dhe për burra, kurse në vendet evropiane kjo ka ndryshuar”, thotë Demolli.

Sektori publik, sipas Luljeta Demollit, vazhdon të mbetet më i preferuari për femra, për shkak të pagave më të sigurta, pushimeve dhe kompensimeve tjera që gëzojnë të punësuarit në këtë sektor, por edhe rritjes së herë pas hershme te pagave.

Flora Krasniqi, studente në Universitetin e Prishtinës, thotë se ka zgjedhur të studiojë për edukim, për shkak se, siç thotë ajo, në këtë sektor, konkretisht në atë të arsimit, puna për femra është më e përshtatshme.

“Për shkak të sigurisë në punë, orari më i shkurtë, rroga e sigurt, por edhe pushimeve dhe vikendeve. Për këtë kam zgjedhur arsimin”, thotë Krasniqi.

Interesimi për sektorin publik, arsyetohet edhe me faktin që sektori privat mbetet ende mjaftë i egër, ku nuk zbatohen ligjet, pagat janë më të ulëta, si dhe nuk përfillen të drejtat e të punësuarve.

Sipas organizatave joqeveritare, rreth 80 për qind prej tyre, që punojnë në sektorin privat, nuk kanë kontrata të punës, kurse në sektorin publik 12 për qind nuk e gëzojnë këtë dokument që siguron qëndrueshmëri në punë.

Rreth 31 për qind e grave, që punojnë në sektorin privat kanë punuar për 10 ose më shumë orë të vazhdueshme në ditë. Kurse 46 për qind kanë punuar gjatë festave zyrtare dhe 66 për qind e tyre kanë punuar gjatë fundjavës.

Po ashtu, rreth 60 për qind, thuhet se nuk kanë marrë asnjë lloj kompensimi për punën jashtë orarit. (REL)

  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

XS
SM
MD
LG