Ndërlidhjet

Shtohen presionet mbi LDK-në për ratifikimin e demarkacionit


Deputetët e LDK-së

Lidhja Demokratike e Kosovës besohet ta ketë çelësin në duar për ratifikimin e demarkacionit të kufirit me Malin e Zi.

Kryeministri Isa Mustafa, i cili është edhe kryetar i Lidhjes Demokratike, ka ftuar në mbështetje për t’i bindur deputetët e partisë së tij, edhe ambasadorin amerikan në Prishtinë, Greg Delawie, si dhe shefen e Zyrës së Bashkimit Evropian, Natalia Apostolova.

Të dy zyrtarët ndërkombëtar kanë zhvilluar të martën një takim me kryeministrin Mustafa dhe deputetët e LDK-së.

Pas takimit, shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ismet Beqiri tha se LDK megjithatë do të jetë unike në votimin për demarkacionin. Sipas tij, vota e LDK-së do të jetë, për demarkacionin.

“Po ua konfirmoj që LDK-ja, kur t’i vjen radha demarkacionit, do të jetë unike. LDK-ja do të jetë shumë më unike sesa partitë tjera që thonë se i kanë votat”, ka thënë Beqiri.

Ndërkohë, Ambasada Amerikane i ka bërë thirrje Kuvendit të Kosovës që ta ratifikojë demarkacionin, pa vonesa të reja.

Megjithatë, është një grup prej 17 deputetëve të LDK-së e ka kushtëzuar votën për ratifikimin e demarkacionit me kërkesën që marrëveshja aktuale të rishikohet pas një afati kohor prej dy viteve.

Këtë kompromis, ky grup i deputetëve e ka ofruar për të mundësuar vendimin e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian që të liberalizohen vizat për qytetarët e Kosovës.

Por, një praktikë e tillë e ratifikimit të kushtëzuar të një marrëveshje ndërkombëtare, nuk ishte mbështetur nga kryeministri Isa Mustafa.

Në anën tjetër, Partia Demokratike e Kosovës i ka shtuar presionet mbi kryeministrin Isa Mustafa që të dërgoj Marrëveshjen për demarkacionin në Kuvend ku do të shihet nëse e ka apo jo mbështetjen e deputetëve për ratifikim.

Varësisht mbështetjes që do ta ketë qeveria për demarkacionin, si kushti i fundit për liberalizimin e vizave, PDK ka paralajmëruar se do të ndërmarrë hapat vijues, përkatësisht, do të vendos nëse do të shkojë në drejtim të prishjes së koalicionit apo vazhdimit të tij deri në fund të mandatit kushtetues.

Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Zenun Pajaziti, i tha Radios Evropa e Lirë se bllokimi i vendimmarrjes në institucione nuk mund të tolerohet pafundësisht. Por, vendimin përfundimtar të PDK-së, ai tha se do ta marrin strukturat e partisë.

“Ajo që ne jemi për, është që vendi të zhbllokohet dhe të ecë përpara me çdo çmim. Por, nuk jemi të gatshëm që pafundësisht të mbetemi peng i kalkulimeve politike dhe i mosmarrjes së vendimeve”, ka thënë Pajaziti.

Për ratifikimin e demarkacionit kërkohen 80 vota të deputetëve.

Në anën tjetër, opozita ka në duar mocionin me nënshkrimet e 42 deputetëve për rrëzimin e qeverisë. Votimi i këtij mocioni, pritet të ndodhë të mërkurën, më 10 maj.

Për shkarkimin e qeverisë, nevojiten 61 vota të deputetëve.

Sa i përket këtij mocioni, Ismet Beqiri ka deklaruar se asnjë deputet i LDK-së nuk do të votoj për shkarkimin e qeverisë.

“Unë mund t’ju siguroj, dhe është shumë e qartë, që LDK-ja nuk ka votë kundër qeverisë. Asnjë votë nuk e ka për mocionin e tillë”, ka deklaruar Beqiri.

Në qoftë se opozita i siguron votat, qeveria do të shkarkohej, dhe me gjasë Kosova do të shkonte në zgjedhje të parakohshme. Kurse në rast se dështon mocioni, atëherë pritet që qeveria ta procedojë për ratifikim në Kuvend, marrëveshjen për demarkacionin. (REL)

  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

XS
SM
MD
LG