Ndërlidhjet

Udhëheqjeve komunale u skadon mandati, Parlamenti vendos për zgjatje


Gjykata Kushtetuese e Maqedonisë i është përgjigjur negativisht iniciativës së Ministrisë për Vetëqeverisje Lokale me të cilën kërkohej zhbllokimi i punës së kryetarëve të Komunave të Maqedonisë.

“Gjykata Kushtetuese nuk mund që të krijojë situatë juridike, kur atë nuk e ka bërë legjislativi. Me këtë, mandati i krerëve të komunave dhe këshilltarëve komunalë skadon më 15 maj”, ka njoftuar nga Gjykata Kushtetuese e Maqedonisë.

Ajo mori vendimin që të mos ngre procedurë ndaj dy iniciativave të dorëzuara nga Ministria e Vetëqeverisjes Lokale si dhe iniciativa e ngritur nga Kryetari i Kongresit Botëror Maqedonas, që cilësohet bashkëpunëtor i afërm me VMRO-DPMNE-në, Todor Petrov.

Pas kësaj Bashkësia e Njësive të Vetëqeverisjes Lokale tha se do t’i drejtohet Parlamentit për të votuar për vazhdimin e mandatit të kryetarëve të komunave të paktën edhe për 6 muaj, në të kundërtën të gjitha institucionet të cilat janë nën kompetencat e pushtetit vendor, përfshirë shkollat fillore dhe ato të mesme, do të mbeten pa paga mujore.

“Ne respektojmë çdo vendim të organeve të drejtësisë. Tani na mbetet që ne si Bashkësi e Vetëqeverisjes Lokale, bashkë me ministrinë përkatëse, t’i drejtohemi Parlamentit, gjegjësisht kryetarit të këtij institucioni dhe në një aftat sa më të shkurtër presim që ai të veprojë konform ligjit që të mos bllokohet puna e komunave dhe me këtë të mos dëmtohen qytetarët“, bën të ditur për Radion Evropa e Lirë Nevzat Bejta, kryetar i Komunës së Gostivarit, njëherësh dhe nënkryetar i kryesisë së Bashkësisë së Njësive të Vetëqeverisjes Lokale.

Bejta tha se në të kundërtën do të paralizohej tërësisht veprimi i komunave të Maqedonisë.

Ekspertët ndërkaq thonë se Parlamenti i Maqedonisë duhet të konsolidohet si institucion ligjvënës, pas zgjedhjes së kryetarit.

Tahir Hani ish ministër i pushtetit lokal për Radion Evropa e Lirë, thotë se Parlamenti i Maqedonisë duhet të votojë për ndryshimet e ligjit të kodit zgjedhor, duke mundësuar vazhdimin e mëtejmë edhe pas skadimit të afatit të kryetarëve të komunave dhe këshillave komunale.

“Në të kundërtën do të shfaqet krizë e thellë ekonomike sepse as këshillat komunale e as kryetarët e komunave nuk mund të marrin veprime, sepse ato do të ishin në kundërshtim me ligjin. Kodi zgjedhor dhe ligji për vetëqeverisjen lokale është shumë i prerë se mandati i kryetarëve të komunave dhe këshillave komunale zgjatë katër vite. Pas këtij afati nuk ka hapësirë që këto institucione të veprojnë”.

Sipas tij është obligim i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë që të thërras seancën dhe t’i qaset propozim ndryshimit të kodit zgjedhor.

“Me këtë do të bëhej prolongimi i zgjedhjeve lokale dhe njëherësh në bazë të ligjit do të obligoheshin kryetarët e komunave dhe këshillat komunale të vazhdojnë mandatin e tyre deri në mbajtjen e zgjedhjeve kur do të caktohen“, tha Hani.

Ditë më parë në intervistën për Radion Evropa e Lirë edhe kryetari i Lidhjes Social Demokrate të Maqedonisë, Zoran Zaev, tha se “një nga zgjidhjet e para ligjore, që duhet sjellë në Parlament është ndryshimi i Kodit Zgjedhor, për shkak të prolongimit të zgjedhjeve lokale”.

Zgjedhjet lokalebeson Zaev do të shtyheshin për në vjeshtë në pajtim me të gjitha partitë parlamentare.

Ndryshe zgjedhjet e parakohshme parlamentare në bazë të ligjit duhej të mbaheshin në maj të këtij viti, por për shkak të mos konsolidimit të parlamentit më shumë se katër muaj pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, u pamundësua dhe shpallja e zgjedhjeve lokale. (REL)

XS
SM
MD
LG