Ndërlidhjet

Sulmohet fizikisht Arbana Xharra, reagime në Kosovë


Arbana Xharra, ish-kryeredaktore e gazetës Zëri

Ish-kryeredaktorja e së përditshmes “Zëri” dhe anëtarja e re e Partisë Demokratike të Kosovës, Arbana Xharra, është rrahur me mjete të forta të shtunën në orët e hershme të mëngjesit nga persona tash për tash të panjohur.

Sulmi, njofton Policia e Kosovës, ka ndodhur në afërsi të banesës së saj pas orës 01.00 pas mesnate ndërmjet së premtes dhe të shtunës dhe Xharra, nga lëndimet trupore që ka marrë, është dërguar në spitalin e Prishtinës.

“Ne tani po punojmë me të gjitha kapacitetet tona policore, të gjitha njësitë duke përfshirë edhe kapacitete e forenzikës dhe hetuesit policor në mënyrë që të vijmë deri te zbardhja sa më parë e këtij rasti dhe arrestimin e personave që kanë qenë të përfshirë në këtë rast”, ka thënë për Radion Evropa e Lirë, Baki Kelani zëdhënës në Policinë e Kosovës.

Autoritetet shëndetësore, për Radion Evropa e Lirë, kanë konfirmuar se gjendja e zonjës Xharra është stabile.

Sulmin ndaj Xharrës e kanë dënuar përfaqësues institucionesh vendore dhe ndërkombëtare në Kosovë.

Shefja e Zyrës së BE-së, Nataliya Apostolova, në reagimin e saj, ka thënë se “është tronditur nga sulmi ndaj Arbana Xharrës, një sulm ndaj vlerave njerëzore, për të cilat Bashkimi Evropian qëndron pas tyre. Ajo i ka bërë thirrje institucioneve të ndëshkojnë keqbërësit".

Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Greg Delawie, në një postim në Twitter, ka thënë se është tmerruar nga akti brutal ndaj Xharrës.

Shefja e misionit të EULEX-it në Kosovë, Alexandra Papadopoulou, në në postim në Twitter, ka thënë se sulmi ndaj Xharrës është “i papranueshëm”, duke thënë se EULEX është i gatshëm të ndihmojë autoritetet e Kosovës për të zbardhur këtë rast.

Sulmin ndaj Arbana Xharrës e ka dënuar presidenti Hashim Thaçi, duke kërkuar zbardhjen e rastit dhe dënimin e sulmuesve.

"Jam thellësisht i tronditur dhe i shqetësuar me sulmin kundër Arbana Xharrës. Është krejtësisht i papranueshëm dhe i dënueshëm përdorimi i dhunës dhe asgjë nuk e arsyeton atë”, ka thënë Thaçi.

Kryeministri në largim, njëherësh kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës,Isa Mustafa, këtë sulm e ka quajtur akt të ulët dhe të turpshëm, duke shtuar se “kryerësit duhet të sillen para drejtësisë”.

Sulmin fizik ndaj Xharrës e kanë dënuar edhe partitë politike në Kosovë, të cilët kanë kërkuar ngaorganet e rendit që ta zbardhin këtë rast dhe t'i nxjerrin para drejtësisë kryesit e këtij akti.

​Kryetari i Partisë Demokratike, njëherësh kryetari në largim i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, sulmin e ka quajtur një akt barbar dhe të patolerueshëm.

“Linçimi i vazhdueshëm i një gruaje dhe nëne, e cila ndër vite është shquar për veprimtarinë e saj të guximshme në të mirë të të gjithë shoqërisë sonë, është një sulm i radhës qyqar ndaj Arbanës, familjes së saj dhe demokracisë në vendin tonë", ka shkruar Veseli në Facebook.

Ndërkaq, në një konferencë për media anëtarë të Partisë Demokratike të Kosovës, kanë thënë se sulmi ndaj Xharrës ka qenë i planifikuar dhe menduar mirë.

Nënkryetari i kësaj Partie, Enver Hoxhaj, ka thënë se sulmi ndaj Arbana Xharrës është një tendencë për frikësimin e njerëzve që duan që Kosova së bashku me PDK-në të ketë një fillim të ri.

“Natyrisht, që është një sulm i planifikuar, i menduar mirë meqë nuk mund të sulmohet askush në një parking të banesës së saj, pa pasur një logjistikë paraprake, pa qenë individë, të cilët e kanë përcjellë zonjën Xharra, para se të ndodhë ky sulm”, ka deklaruar Hoxhaj.

Ndërkohë, ka reaguar edhe Lëvizja Vetëvendosje. Vetëvendosje e konsideron të pajustifikueshme dhunën e ushtruar nda Arbana Xharrës.

Reagime ka pasur edhe nga kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, i cili ka thënë se “sulmi ndaj Arbana Xharrēs, është i papranueshëm dhe i dënueshëm”.

Ndaj dhunës mbi Xharrën, ka reaguar edhe kryetari i Nismës për Kosovën, Fatmir Limaj. Ai ka thënë se është i shqetësuar nga sulmi fizik që i është bërë Arbana Xharrës.

Sulmi i së shtunës është dënuar përgjithësisht edhe nga pjesëtarë të shoqërisë civile.

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut ka shprehurshqetësimin me fjalorin e dhunshëm që i paraprinë fushatës, ku si pasojë ndodhi edhe dhuna e shfrenuar ndaj Arbana Xharrës pas kalimit në Partinë Demokratike të Kosovës, ka thënë për Radion Evropa e Lirë, kryetari i këtij Këshilli, Behxhet Shala.

“Rrahjes brutale të Arbana Xharrës i ka paraprirë një linçim publik. Xharrën të gjithë e kanë linçuar pse kaloi në PDK. Dhe, këtu është përgatitur një terren pastaj rrahja e saj ka qenë vetëm çështje teknike”, ka thënë Shala.

Arbana Xharra është laureate e Çmimit Ndërkombëtar për Gra të Guximshme, që ndahet nga sekretari Amerikan i Shtetit, dhe një prej zërave kritikë në shoqërinë e Kosovës.

Ajo la gazetarinë dhe iu bashkua jo më shumë se një javë Partisë Demokratike të Kosovës, hap ky që nxiti një debat kryesisht në rrjetet sociale.

Xharra ishte e kërcënuar edhe herave të tjera për shkak të qëndrimit të saj ndaj dukurive në shoqërinë e Kosovës, dhe Policia në disa raste ka hapur hetime për kërcënimet ndaj saj.(REL)

  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG